Shën Nifoni i Kostandinopojës, vëllam i Gjergj Kastriotit- Skëndërbeut
Nga Miron Çako-
Shën Nifoni ka lindur në More të Peloponezit në fund të shek XIV. I ati quhej Manuel, ndërsa e ëma Maria. Në shkollë mësoi shkrim e këndim dhe njohuri rreth Shkrimit të Shenjtë.
Më vonë shkoi pranë një asketi të quajtur Andon, i cili pas këmbënguljes së të riut e vuri në qeli aty afër dhe i caktoi rregullin e lutjes për fillestarët.
Më pas, duke parë përkushtimin e tij, asketi e bëri murg me emrin Nifon. Pas pak kohe asketi ndërroi jetë, por Perëndia nuk e braktisi shërbëtorin e tij.
Nifoni dëgjoi se në qytetin e Artës, ku jetonin shqiptar të quajtur çam ishte një mësues i madh shpirtëror i quajtur Zaharia, i cili kishte ardhur nga Mali i Shenjtë. Murgu filloi ta mësonte Nifonin për rregullat e jetës murgjërore dhe për doktrinën orthodhokse.
Në veprën agjiografike orthodhokse: “Jeta dhe veprimtaria e Nifonit, Patrik i Kostandinopojës”, botuar në Bukuresht në vitin 1937 jepen të dhëna në lidhje me aktivitetin e Nifonit në Shqipëri.
Të dhënat janë përkthyer nga rumanishtja prej teologut z. Dhimitër Beduli, aty na thuhet: “Dhe Zaharia me Nifonin, si ndenjën pak kohë atje (në Ohri), deshën të shkojnë në vendin e Askulumit (këtu kuptohet Shqipëria); me ata u bashkuan edhe shumë të tjerë.
Dhe u nisën nga Justiniana, disa nga ana e tokës, disa me anije dhe arritën në një qytet të madh me emrin Durrës, i cili është në vendin e Askulumit dhe që andej u ngjitën në qytetin e Krujës, që është rreth 6 milje larg nga Draçea, Durrësi.
Shkuan tek Gjergji, prijës i Shqipërisë, i cili quhej Skënderbe i pranoi me gëzim të madh e dashuri, sepse edhe ky kishte dëgjuar për jetën e tyre, dhe vendosi Zaharinë atë shpirtëror, mësues dhe edukator për të gjithë njerëzit, ndërsa Nifonin, me bekimin e kryepiskopit të Krujës e bëri prift atje”.
Kurse kjo është përmajtja sipas variantit të botuar nga rumuni Tit Simedrea : “Të dy kallogjerët u nisën nga Justiniana, e cila ishte qendra e patrikut orthodhoks, nga ku vareshin bullgarët, serbët dhe shqiptarët. Ata mbërritën në Krujën e lirë të Gjergj Kastriotit”.
Nifoni dhe Zaharia qenë shqiptarë. Atyre iu ngarkua detyra e atit shpirtëror në Krujë, mision i cili kërkon të dish mirë gjuhën e popullit.
Në Krujë, Shën Nifoni u bashkua aq shumë me Gjergjin sa u bënë vëllezër në shpirt, ose pinë gjakun e njëri-tjetrit, sipas zakonit, prandaj u quajt vëllam i Skëndërbeut.
Ky fakt tregon besimin e krishterë orthodhoks të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit dhe lidhjen e ngushtë të tij me klerikët orthodhoks, të cilët shenjtëronin me Mistetet e Kishës Orthodhokse popullin shqipëtar në ato vite të vështira, por të lavdishme për historinë tonë kombëtare.
Me dyndjet e turqve më 1466, Nifoni dhe Zaharia u larguan nga Shqipëria prej rrezikut të pushtimit turk, që pasi kishin pushtuar Kostandinopojën, filluan sulmet kundër tokës Arbërore, e cila ishte një vend i lirë dhe valvitej akoma flamuri i shqiponjës së Perandorisë së Bizantit .
Ata u vendosën në qytetin e Ohrit. Sulltan Mehmeti II kishte urdhëruar që kryepiskopi i Ohrit, Dorotheu, bashkë me klerikët që kishte në vartësi të internohej. Midis tyre ishin dhe priftërinjtë Zaharia me Nifonin .
Pas vdekjes së mitropolitit të Selanikut, Parthenit, episkopët dhe i gjithë kleri vendosën të zgjidhnin si bari të tyre Nifonin. Me shenjtërinë dhe fjalët e tij, shumë mëkatarë të penduar, që ishin larguar nga kisha nga frika e terrorit osman, u kthyen përsëri në gjirin e Kishës Orthodhokse.
Sipas Faik Konicës, kur froni i patriarkut mbeti bosh, Shën Nifoni u fronëzua Patrik i Kostandinopojës në vitin 1482. Qëndrimi i tij në fronin e primatit të fesë orthodhokse ishte deri në vitin 1586, ku u shkarkua pas intrigave të grekut Amirus.
Vite më vonë, Nifoni u rizgjodh patrik i Kostandinopojës, ku qëndroi vetëm një vit dhe përsëri u përndoq.
Ata që nuk e donin u përpoqën ta largonin. E arrestuan dhe e dërguan në Andrianopojë. Nifoni shkoi në Vllahi ku e pritën me të gjitha nderimet.
Për disa kohë ndaloi në Maqedoni dhe pastaj në Malin e Shenjtë dhe u vendos në kishën “Pantakrator”, në manastirin “Lavra e Madhe” si dhe në manastirin e “Shën Anës” dhe atë të “Shën Dionisit” dhe në manastirin e “Vatopedit”, ku bëri një jetë me përulësi dhe shenjtëri. Fjeti më Zotin në 11 gusht të vitit 1508 në moshën 90 vjeç.
Fama e tij u përhap me shpejtësi dhe në varrin e tij u bënë shumë mrekulli, dëshmi e shenjtërisë së tij para Zotit, që i lavdëron besnikët.
Lipsanet e shenjtë të Shën Nifonit u morën dhe gjenden në Rumani. Koka në katedrën e Krajovës, ndërsa lipasnet dhe reliket e shenjtit (mitra dhe spektri) janë në manastirin e Dionisit në Athos.
Historiani z Mojkom Zeqo, duke u bazuar tek shkrimet e dhe kërkimet e Faik Konicës dhe peshkop Fan Nolit e veçanërisht në librin “Shën Nifoni, Patriarku i Kostandinopojës”, botuar në Athos viti 1995, na thotë se: “Nifoni ka vdekur në Athos, ku gjendet dhe reliktuari i tij.
Në shumë kisha janë pikturuar afreske me figurën e Nifonit. Ato e tregojnë Nifonin duke mbajtur në dorën e majtë Biblën e Shenjtë dhe me dorën e djathtë me gjestin e bekimit. Këto afreske janë të shumta dhe përbëjnë një koleksion shumë të rëndësishëm të një personazhi të shquar shqiptar të shekXV.
Ajo që më tërhoqi vëmendjen, veçanërisht, është se në qelën e Nifonit, ku gjendet dhe biblioteka e tij, ekziston nje portret i Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Ky portret është botuar në faqen 29 të librit dhe e paraqet Skendërbeun në profil me një mjekër të gjatë dhe të përdredhur, me përkrenaren e tij me kokë dhie dhe më e habitshmja është se ky portret në formë ikone ka të shënuar shqip, me gërma latine, mbishkrimin “SKENDERBEU- KASTRIOTI”.
Kisha Orthodhokse i këndon me nderim hierakut Shën Nifon: “Kanuni i besës dhe i përkorës ndrite përpara besnikëve me të vërtetën e punëve, me përunjësi fitove të lartat me varfëri të pasurat, atë i lavdëruar Shën Nifon Patriark i Kostandinopolit, lutju Zotit tonë Jisu Krisht t’u falë shpirteve tona ndjesën e mëkateve”. (Përlëshorja e shejntorit)