Shëndeti pozitiv dhe lumturia

Dr. Jorgji KOTE-Tanimë të pohosh “jam mirë me shëndet” s’do të thotë më thjesht se nuk vuan nga ndonjë sëmundje, por shumë më tepër se aq. Madje sipas ekspertëve, edhe vetë përkufizimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ( OBSH) se “shëndeti është gjendja e mirëqenies së plotë në planin fizik, mendor dhe social ” ka nevojë për përditësim.
Këtë e tregon qartë përvoja e disa vendeve evropiane, konkretisht e Holandës dhe Belgjikës, të cilat kanë ndër shërbimet më të mira shëndetësore në botë; kështu, Belgjika shpenzon çdo vit 45 miliard Euro për shëndetësinë publike; e megjithatë, një shumicë e madhe njerëzish, të moshuar por dhe të rinj në këto dy vende preken nga shumë sëmundje, duke përfshirë ato psiqike, depresioni, kardio-vasculare, etj. Mirëpo, ka shumë të tjerë, të cilët ndonëse nuk vuajnë nga ndonjë sëmundje, sërish nuk mund të thuhet se gëzojnë shëndet të mirë e ca më pak të ndihen të lumtur; për pasojë, më vonë shumë prej tyre preken nga sëmundje të ndryshme apo dukuri negative si vartësia ndaj drogës, alkoholit, etj.
Në këto kushte, lindi koncepti i ri “Shëndeti Pozitiv” me një përkufizim shkencor dhe sociologjik që i përgjigjet realiteteve cilësisht të reja në botë.
Kontribut të veçantë gjatë 10 viteve të fundit në këtë drejtim ka dhënë mjekja dhe sociologja e mjekja e njohur 67 vjeçare holandeze Machteld Huber gjatë; krahas studimeve të shumta mbi këtë dukuri bëri dhe një sondazh me 2000 pacientë dhe ekspertë të shëndetësisë. Huber kishte kaluar vetë disa sëmundje por kishte ardhur në përfundimin se krahas terapive mjeksore dhe medikamenteve, ato luftohen dhe shmangen mbi të gjitha me rezistencë, vullnet dhe pozitivizëm. Raste tipike kurajoze janë ato të pacientëve që kur mjeku ua ka thënë copë se «ti do të vdesësh nga kanceri” përgjigja e tyre befasuese pozitive ishte ” jo, unë do të jetoj me kancer» dhe kështu ka ndodhur.
Mbi bazën e rezultateve të përftuara nga këto sondazhe dhe kërkime, Hubert e përkufizoi shëndetin pozitiv si “aftësia për t’iu përshtatur më mirë mjedisit të jashtëm, për t’u bërë ballë ndryshimeve të vazhdueshme në jetë dhe për të marrë më mirë nën kontroll gjërat që na shqetësojnë”.
Mënyrat dhe format e zhvillimit të shëndetit pozitiv janë të shumta dhe tregohen më poshtë; veçse zbatimi i tyre kërkon paraprakisht predispozicion dhe të menduarit pozitiv nga kushdo; tejet e rëndësishme është që të dalësh nga suaza individuale dhe të përfshihesh në jetën sociale, në punën dhe kënaqësitë që të jep grupi, etj.
Parakusht tjetër i domosdoshëm për shëndetin pozitiv janë politikat qeveritare/publike. Është fjala për sigurimet sociale, transportin, administrimin e territorit, strehimin, shmangien e zhurmave dhe bezdive të tjera mjedisore, shërbimet komunitare deri te administrimi i banesave, etj.
Për rrjedhojë, dhe personeli mjeksor në këto vende kujdeset për pacientët jo vetëm me terapitë përkatëse, por dhe duke përdorur me efikasitet këto forma dhe funksione. Në këtë linjë, në Holandë tashmë ka dhe Institute të Shëndetit Pozitiv.
Ky i fundit është pritur me entusiazëm dhe po vihet në zbatim në shumë vende evropiane nga pacientët, mjekët, sigurimet sociale, media dhe shoqëria.
Nën shembullin e Holandës, edhe shërbimet sociale dhe shëndetësore në Belgjikë kanë realizuar kohët e fundit një sondazh të gjerë me pjesëmarrjen e 8.000 pacientëve, ekspertëve dhe punonjësve të mjeksisë.
Edhe ky sondazh ka konfirmuar konceptin mbi shëndetin pozitiv mbi bazën e këtyre gjashtë funksioneve kryesore:
Gjendja dhe funksionimi fizik – pra aftësia për lëvizje, gjumi, ushqimi, rikuperimi i energjive, etj.
Funksionimi ditor, dmth mënyra e organizimit dhe shërbimet e jetës së përditshme, sa i njeh limitet, sa dhe si merresh me shëndetin, sa e planëzon aktivitetin ditor, administrimi financiar, vullnetarizmi dhe bamirësia, jeta në komunitet, etj ;
Pjesëmarrja në jetën shoqërore: interesi për çka ndodh në shoqëri, sa jep dhe sa kërkon ndihmë, sensi i përkatësisë ( prania në organizma jo shtetërore, kishë, xhami, komunitet,) kontaktet e mira me të tjerë, sa të ndihmojnë në rast nevoje miqtë dhe dashamirësit, qëndrimi miqësor ndaj mjedisit, etj
Mirëqenia mendore : sa mban mend, sa i përqëndruar je, sa lexon, dëgjon, sheh dhe shijon, sa e ke jetën ne kontroll, në çmasë në vend të qarjeve dhe ankesave kërkon zgjidhje për problemet, a ndihesh i lumtur që je vetvehtja;
Kuptimi i jetës : a ke ide/ideale dhe besim te e ardhmja, sa e merr jetën si të vjen, sa mirënjohës je, sa i gatshëm je për ndryshime, a je gati të mësosh gjatë gjithë jetës?
Cilësia e jetës: a bën jetë të mirë dhe të mbushur në kuptimin cilësor të fjalës? Sa përfiton nga jeta, a ndihesh i lumtur, a bën jetë të ekuilibruar, a ndihesh i sigurt, je i kënaqur me njerëzit që të rrethojnë dhe a ke mjaftueshmërisht para sa të paguash faturat?
Gjithkush mund të bëjë një test për vehten dhe pas përgjigjeve ndaj këtyre pyetjeve të përcaktojë nëse ka shëndet pozitiv dhe çduhet të bëjë më tej për përmirësimin e këtyre treguesve.
Të kundërtën e shëndetit pozitiv me të gjitha këto funksione e ka përshkruar aq bukur mjeshtri i madh i poezisë botërore Pablo Neruda te vjersha e mirënjohur ” Të vdesësh ngadalë” ( Die slowly)
Duke perifrazuar këtë vjershë që mund të gjindet thjesht duke klikuar titullin e mësipërm, vdes ngadalë ai/ajo që nuk lexon, nuk sheh, nuk dëgjon dhe nuk udhëton ; ai/ajo që nuk ndryshon itinerarin e përditshëm, që fsheh emocionet, që nuk ndihet i kënaqur me punën, që refuzon ndihmën ; ai/ajo që braktis një projekt pa e filluar atë, që buzëqeshjes i përgjigjet me një ” plaç” ; ai/ajo që sheh vetëm të zezën dhe jo të bardhën, që ankohet për fatin dhe jetën e tij ku “bie vetëm shi”, që nuk pyet për gjërat që nuk di dhe nuk u shpjegon të tjerëve gjërat që di….
Së fundi, Shëndeti Pozitiv lidhet ngushtë dhe me konceptin e minimalizmit në jetë, për të cilin do të shkruajmë nesër.

SHKARKO APP