Shenjtorët shqiptarë, Skenderbeu, Fan Noli dhe Kryepiskopi Anastas
Nga Nikolla Barkaj-
Komuniteti orthodhoks në Shqipëri ka një pasuri të madhe sa i takon objekteve të kultit, ku përfshihen këtu qindra Kisha dhe Manastire si dhe prona të tjera me vlerë të madhe shpirtërore për besimtarët.
Prej 27 vitesh, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastasi, është përkujdesur që të ringrejë nga themelet Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Duke mos folur për dëmet që komunizmi i egër i shkaktoi Kishës Orthodhokse, Kryebariu ynë, Imzot Anastasi nën përkujdesjen e tij atërore dhe mbi të gjitha financiare, ka mundur që të rindërtojë nga hiri të gjitha monumentet e kultit orthodhoks ku besimtarët mund të luten në Shtëpinë e Perendisë.
Jo vetëm kaq, por orthodhoksia në Shqipëri, ka edhe një pasuri të madhe sa i takon shenjtorëve dhe personaliteteve të mëdha që kanë dhënë kontributin e tyre me hirin e Zotit për besimin tonë.
Mund të përmendim këtu figura historike si Gjergj Kastriot Skënderbeun, Shën Angjelina Arianitin, Shën Astin, Shën Lefterin, Onufër Neokastritin, Shën Nikodhimin e Beratit, Peshkopët Theofan Nolin, Irine Banushin dhe Kristofor Kisin, etj.
Nën kujdesin e veçantë të Kryepiskopit Anastas, për të gjithë këto figura të rëndësishme janë zhvilluar aktivitete, predikime, kumtesa, konferenca të ndryshme ku është përmendur kontributi i tyre i madh për besimin orthodhoks.
Po ashtu, Kryepiskopi Anastas ka shfrytëzuar të gjithë infrastrukturën e duhur për ti dhënë pozitën që meritojnë këtyre figurave, duke botuar shkrime dhe emisione në media me qëllim për të ringjallur këto ikona.
Qëllimi i Kryepiskopit Anastas ka qënë rikthimi në kujtesë i të gjithë këtyre ikonave duke i percjellë brezave të rinj pasurinë orthodhokse që Shqipëria ka trashëguar prej shekujsh.
Megjithatë ka zëra që kundërshtojnë këto ngjarje, ose përpiqen që të hedhin baltë mbi këto vepra.
‘Lidhja e Intelektualëve Orthodhoksë të Shqipërisë’ ka të drejtë t΄i shprehë mendime dhe t’i propozojë nisma Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë për çeshtje të ndryshme që lidhen me historinë e Kishës si dhe me rëndësinë për figurat e besimit orthodhoks.
Prej 27 vitesh, jo vetëm lavdia e Kishave është ringritur nga pluhuri i harresës, por falë kontributit të Kryepiskopit Anastas, të gjithë personalitetet që kanë lënë gjurmë në besimin dhe kishën tonë, kanë vendit që u takon duke i kujtuar dhe duke përcjellë për brezat e rinj punën dhe sakrificën e tyre ndër shekuj.
Çdo vit me rastin e përvjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Kryepiskopi Anastas e kujton në Liturgji, veprën e Skenderbeut, si një mbrojtës i krishtërimit.
Kisha ka një rol të rëndësishëm për ruajtjen e veprave të personaliteteve që kanë lënë histori me veprat e tyre për ruajtjen e besimit orthodhoks, duke dhënë dhe jetën e tyre.
Jo vetëm Skenderbeu, por të gjithë shenjtorët me origjinë shqiptare nderohen dhe respektohen nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, jo sepse dhanë jetën e tyre për Krishtin, por edhe për faktin se origjina e tyre rridhte prej trojeve shqiptare. Kjo i bën më të lidhur me besimtarët shqiptarë.
Fan Noli, është një tjetër figurë e rëndësishme, që Kisha Orthodhokse shkel nën udhën që ai eci.
E gjithë kjo përpjekje e Kryepiskopit Anastas, është për të promovuar këto personalitete duke i prezantuar shqiptarëve dhe botës, veprat e tyre për ruajtjen e besimit.
Mbi të gjitha le të flasin veprat, ku kishat, manastiret, shkollat, spitalet, mencat dhe shtëpitë e të moshuarve të themeluara nga Imzot Anastasi, tregojnë se udha e krishterë është e shenjtë dhe qëllimi i saj është ti qëndrojë afër komunitetit dhe të promovojë vlerat e saj, ku patjetër nuk mund të lihen jashtë të gjithë ata që kanë dhënë gjakun e tyre për besimin.