Shëtitja me qen pa maskë në Shqipëri, ndryshon ligji: Gjobë 30-100 mijë lekë e burg 1-10 vite

Ndryshimet në Kodin Penal që pritet të votohen në seancë plenare këtë javë parashikojnë ndëshkime të ashpra për ata që mbajnë kafshë shoqëruese pa kujdesin e duhur. Penalitetin më të madh duket se do ta kenë ata që mbajnë qen.

Referuar ndryshimeve të reja në Kodin Penal, shkelja e rregullave për mbajtjen dhe shoqërimin e kafshës, mbajtja pa kujdesin e duhur të kafshës së shoqërimit, mosvendosja e maskës mbrojtëse qenve agresive, nxitja me qëllim egërsimin e kafshëve që paraqet rrezik për njerëzit, në mjedise publike apo të hapura për publikun, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 30 mijë deri në 100 mijë lekë.

Po ashtu, ndryshimet parashikojnë se kur nga vepra penale ka ardhur plagosja e lehtë e një personi, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj. Kur nga vepra penale ka ardhur plagosja e rëndë e një personi, dënohet me burgim nga 1 deri në 5 vjet.

Kur nga vepra penale ka ardhur vdekja e një personi, atëherë penaliteti është burgim nga 3 deri në 10 vjet.

Media ka raportuar mjaft raste ku në kryeqytet dhe në zona të tjera të vendit lëvizja me qen  agresivë, pa maskë, ka sjellë dëmtime të qytetarëve.

SCAN

SHKARKO APP