Shikoni skemën – Ku ndryshon koronavirusi nga gripi dhe ftohja

Është grip? Është ftohje? Është koronavirusi i ri? Pacientë, mjekë dhe autoritetet shëndetësore e shkencore në të gjithë botën (dhe kushdo tjetër) po mundohen që të kuptojnë dhe diferencojnë simptomat e Covid-19 me dy viruset “famimljare” të njerëzimit për të kuptuar se çfarë testesh dhe kure duhet të ndjekin.

Misioni bëhet i vështirë, në një kohë që të tre viruset me përhapje të mëdha janë në qarkullim në të njëjtën periudhë dhe që shkaktojnë pothuajse të njëjtat simptoma, por që kanë nivele të ndryshme komplikacionesh në shëndet dhe rrjedhimisht edhe pasojash.

Megjithatë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar së fundmi një raport, ku rendit ngjashmëritë dhe dallimet mes të tre viruseve. Ngjashmëria e parë është që të tre viruset shpërndahen përmes kontaktit fizik me personat e infektuar, apo me sipërfaqet e prekura nga njëë person i infektuar dhe përmes spërklave të shpërndara në ajër.

Ngjashmëria e dytë lidhet me simptomat. Të tre viruset godasin sistemin e frymëmarrjes, shkaktojnë ethe, temperaturë, lodhje/këputje dhe kollë. Rastet e rënda kalojnë në pneumoni, që mund të jetë edhe vdekjeprurëse.

Tek dallimet OBSH rendit gjashtë pika ku koronavirusi i ri ndryshon me gripin sezonal dhe ftohjen.

Së pari, nga studimet e deritanishme OBSH vë re se koronavirusi përhapet më ngadalë në krahasim me gripin sezonal dhe ftohjen. Gripi dhe ftohja kanë një kohëzgjatje më të vogël inkubimi (periudha nga infektimi deri tek shfaqja e simptomave). Koronavirusi shfaq simptomat 5-6 ditë pas infektimit, gripi shfaq simptomat 2-3 ditë pas infektimit dhe ftohja 2-4 ditë pas infektimit.

Dallimi i dytë lidhet me atë që OBSH e quan “rrezatim”. Ky është procesi që fillon pasi virusi infekton një person dhe nis të riprodhohet në organizmin e tij. Pas kësaj, virusi përhapet në mjedis, duke e bërë të infektuarin një person përhapës. Nga të dhënat e grumbulluara deri më tani, një person i prekur me koronavirus e përhap atë tek të tjerët dy ditë pas infektimit fillestar, pra pa shfaqur asnjë simptomë.

Virusi i gripit dhe ai i ftohjes zakonisht përhapen dy ditë pasi shfaqen simptomat e para dhe kjo zgjat deri në 14 ditë. Por, në Kinë ka raste kur persona të konfirmuar me koronavirus ishin bartës dhe përhapës të tij deri në 37 ditë pas infektimit fillestar.

Dallimi i tretë janë infeksionet e dyta. Koronavirusi shkakton në pjesën më të madhe të rasteve pneumoninë si infeksion të dytë. Gripi dhe ftohja rrallë e shkaktojnë një efekt zinxhir të tillë. Përveç kësaj, ndryshe nga dy të fundit, koronavirusi i ri shkakton edhe një stuhi në organizëm që prek thuajse të gjitha organet.

Dallimi i katërt lidhet sërish me përhapjen. Të miturit renditen si përhapësit kryesorë të gripit dhe ftohjes, por jo të koronavirusit. Covid-19 duket virus të rriturish. Sipas “Ëashington Post”, ekspertët nuk janë në gjendje që të shpjegojnë se përse koronavirusi nuk prek, ose prek me pasoja shumë të lehta fëmijët. Disa kanë hedhur teorinë se fëmijët kanë imunitetin e përgatitur prej versioneve të koronaviruseve që qarkullojnë prej kohës, të tjerë e lidhin me nivelin e alarmit të përkohshëm që karakterizon sistemin imunitar të fëmijëve.

Dallimi i pestë është se koronavirusi statistikisht është shumë me vdekjeprurës së gripi dhe ftohja. Vdekshmëria e tij shkon nga 3 deri në 5 për qind të rasteve. Gripi e ka këtë vdekshmëri vetëm 0.1 për qind, por numri i atyre që humbin jetën nga gripi është shumë më i madh, pasi vetë viruset sezonale të tij prekin me miliona persona në botë çdo vit.

Dallimi i fundit është se nuk ka vaksinë. Shumë kompani, institucione ndërkombëtare dhe qeveri po financojnë gjetjen dhe prodhimin e një vaksine, efekti i parë i së cilës do të ishte lehtësimi i dyndjeve nëpër spitale dhe frenim i përhapjes së epidemisë.

Burimi: Gazeta “Si”

SHKARKO APP