Shitjet me pakicë u rritën me 3.5% në tremujorin e dytë

Shitjet me pakicë në ekonominë shqiptare u rritën me 3.5% në tremujorin e dytë të këtij viti. Sipas Institutit të Statistikave, rritja me bazë vjetore e shitjeve me pakicë ishte lehtësisht më e lartë se në tremujorin e parë. Megjithatë, edhe në këtë tremujor, rritja e këtij treguesi është frenuar ndjeshëm nga shitjet në segmentin e hidrokarbureve.

Po të përjashtojmë karburantet, rritja e shitjeve me pakicë ka ndjeshëm më e lartë, me 4.7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndikimin kryesor pozitiv e ka dhënë rritja e shitjeve për produktet ushqimore, me një rritje vjetore 5.7%, ndërsa shitjet për produktet jo-ushqimore janë rritur me 4%.

Shitjet me pakicë janë ndër treguesit kryesorë të tërthortë të ecurisë së konsumit privat në ekonomi. Konsumi është shtylla kryesore e rritjes së ekonomisë shqiptare, me mbi 80% të kontributit total. Megjithëse në tërësi rritja ekonomike këtë vit pritet të jetë më e ulët se vitin e kaluar, duket se kontributi i konsumit është në përmirësim për gjysmën e pare të vitit.

Rritja e shitjeve me pakicë tregon një tendencë në përmirësim të konsumit, i mbështetur nga ulja e papunësisë, rritja e besimit konsumator dhe zgjerimi i kredisë bankare me qëllim blerjen e mallrave të konsumit.

SHKARKO APP