Shkarkohet shefi ekzekutiv i Renault nga një “grusht i fortë shteti”
Prodhuesi francez i makinave Renault ka shkarkuar shefin e tij ekzekutiv, Thierry Bollore.
Drejtorja aktuale e financave, Clotilde Delbos, do drejtojë përkohësisht gjigantin e makinave.
Vendimi i Renault vjen pasi partneri i tij Nissan i kërkoi emërimin e një shefi të ri ekzekutiv në fillim të kësaj jave.
Bollore e përshkroi shkarkimin e tij si një grusht të fortë shteti.
Ai tha për një gazetë franceze se mori vesh përpjekjet për ta hequr qafe pasi zbriti nga një aeroplan në Paris në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.
Kryetari i Renault, Jean-Dominique Senard ishte pas vendimit dhe raportohet se ka pasur miratimin e qeverisë franceze. Senard ka 15% të aksioneve në Renault.
Bollore u emërua si shef ekzekutiv në janar, pas një skandali të madh që përfshiu paraardhësin e tij, Carlos Ghosn.
Ghosn, i cili ishte gjithashtu kryetar i Nissan dhe si edhe kryesonte aleancën globale midis Renault, Nissan dhe Mitsubishit, u arrestua në Tokio vitin e kaluar.
Ai akuzohet për keqbërje financiare, akuza të cilat i mohon. Ghosn pretendon se ishte viktimë e një komploti të orkestruar nga drejtuesit e Nissan, të cilët sipas tij ishin në ankth për parandalimin e bashkimit midis kompanisë dhe partnerit të saj francez.
Pasojat e arrestimit të tij ishin të rënda, duke shkaktuar përplasje brenda bordit të Nissan si edhe prishur marrëdhëniet me Renault.
Që nga ajo periudhë, të dy kompanitë kanë pësuar rënie të madhe të fitimeve, ndërsa Nissan është dëmtuar më tej nga skandali financiar.
Në fillim të kësaj jave, Nissan emëroi një drejtor të ri ekzekutiv, Makoto Ushida, në një përpjekje për të ndaluar shkatërrimin e kompanisë dhe për ta rikthyer atë në rrugën e duhur si edhe për të qetësuar situatën me Renault.