Shkëlqimi dhe rënia e ansamblit “Mirdita”

 


Nga Kol Zefi*

Na ishte një herë Ansambli “Mirdita”, shumë i njohur dhe shumë i dashur për të gjitha trevat shqipfolëse. I famshëm për këngëtaret dhe këngëtaret e tij, për meloditë dhe poetikën e përdorur. Ai kishte një Këshill artistik të zgjedhur nga njerëzit më të shquar të artit dhe kulturës të Mirditës, të cilët përcaktonin objektivat artistike dhe kulturore të këtij institucioni dhe certifikonin gjithë produktin artistik dhe kulturor të tij. Kishte një grup krijuesish poet të talentuar nën drejtimin e “Mjeshtrit të Madh” të artit mbarë shqiptarë, poetit të mirënjohur Gjok Beci dhe mjeshtrit të lirikes mirditore poetit, Viktor Gjikola, të cilët e volën  krijimtarinë  folklorike dhe  popullore ndër breza, të Mirditës dhe mrekullisht e përgatitën dhe e sollën si modelin më të arrirë të artit dhe kulturës mirditore, duke krijuar vlera të përsëritshëm, autoktone dhe origjinale në artin dhe kulturën kombëtare.

Kishte një grup muzikantësh si Mjeshtri i Madh, tani me titull Mark Gjoka, hulumtues, krijues dhe interpretues i mbi 100 këngëve, të cilët sot janë të botuara në librin e tij “100 Zambake Mirdite”, pa harruar aspak muzikantët e tjerë si Zef Tusha, Aleks Kolshi, Servet Cara, Paulin Tusha, Tom Lleshi, Fran Vorfi, Kole Picaku, Llesh Lleshi, Dode Prendi, të cilët mblodhën gjithë nektarin e melosit mirditor, për ta sjellë madhërishëm në panteonin e këngës shqiptare. Kishte një grup këngëtarësh si Luljeta Perbasha, Margarita Nikolla, Marte Bushi, Prena Beleshi, Prena Beci, Lize Perleka, Heronia Moli, Bardhe Gega, Tone Gjoka, Lindita Kaceli, Drane Pergega, Alda Prendi, që me zërin e tyre femëror sillnin para artdashësve të shumtë gjithë flladin e bjeshkëve, gurgullimën e krojeve dhe aromën e luleve të maleve tona. Kishte një orkestër të muzikës së lehtë drejtuar nga mjeshtri, muzikanti i shquar Zef Tusha, nga njohësi i thellë i melosit të Shqipërisë së Veriut, kompozitori Dorian Nini dhe kompozitorja me përmasa kombëtare Balina Shehu, të cilët bënë që muzika në Mirditë të njohë nivele të larta. Kishim një trupë vallesh me koreografe të talentuarën Dava Gjini si dhe me mjeshtren e valles mirditore, koreografen Angjelina Leka te cilet eksploruan në gjithë hapësirën  e valles mirditore për ta sjelle në skenë e sidomos në skenën e Festivaleve të Gjirokastrës si vallen “Pëllumbesha dhe Skifteri”, të mbledhur nga Fabian Barkata të viteve  1800, “vallja e Vashës”,vallja e “Gurrës së lashtë” etj, duke sjellë kështu një risi të veçantë në vallen shqiptare.

Kishim një kostumografi mirditore, të gjurmuar dhe mbledhur nga mjeshtri i madh piktori Lin Loci dhe Ndue Gjika, me 36 variantet dhe nënvariantet e saj që nga veshjet Ilire, veshjet e shtresës së lartë të qëndisura në ar, të krahinës e deri tek veshjet e bujqve dhe barinjve, e papërsëritshme në gjithë hapësirën etnografike shqiptare. Kishim një regji që kishte marrë përsipër që gjithë këto vlera të jashtëzakonshme artistike të krijuara të Ansamblit “Mirdita” të prezantoheshin në skenat tona përmes një mjeshtërie të lartë regjisoriale nga mjeshtri i skenës shqiptare Zef Nikolla dhe regjisori i TV shqiptar Llesh Nikolla.

E mbi të gjitha kishim një grup solistësh që përbenin Grupin e Burrave të Ansamblit “Mirdita”, që me këngët e tyre epiko-heroike u bënë të njohur kudo ku ka shqiptar që nga Europa e deri në Amerikën e largët.

Po sot? Asgjë nga këto që thamë më lartë nuk është më. Përveç emrit dhe famës të së shkuarës. Sepse çdo ditë të patalentuarit dhe të paditurit dhe ata që nuk kanë asnjë lidhje me këtë fushë, po e gërryejnë e po e zhbëjnë në interes të përfitimeve të tyre. Por dhe diçka, pse mos ta themi. Edhe mjeshtrit e përfitimit bënë diçka të mirë. U interesuan pranë Presidentit të Republikës dhe Ai nuk nguroi që Ansamblit “Mirdita” për vlerat e tij të larta dhe të vërteta, t’i  akordojë titullin “Mjeshtër i Madh”. Ai bëri një vlerësim maksimal në fjalën e tij të gjatë për këtë Ansambël Emblematik, sa duke dëgjuar Presidentin unë pata një ndjesi sikur do të thoshte:- I jepet Ansamblit “Mirdita”- pas vdekjes.

*Kantautor

SHKARKO APP