SHKËLZEN DOLI: ORAKULLI I MUZIKËS SHQIPE

Nga Mira Tuci 

“Ai luan aq bukur sa meriton  t’i puthësh të dy duart” – ishte ky komenti më I sinqertë I artikuluar nga nëna ime pas mbylljes së koncertit të Shkëlzen Dolit në Tiranë me Ansamblin Popullor. Skena e teatrit të operas ka parë shumë artistë të shkëlqejnë me talentin apo me kostumet e tyre të mveshura herë bukur dhe herë stisur por komenti i nënës time dhe shkëlqimi I syve të babait tim rritur dhe kaluar rininë  me muzikën që violinisti Doli solli në skenë ishin përgjigja më e qashtër që mund të marrë një artist për muzikën  dhe djersët derdhur mbi sipërfaqen e drunjtë të violinës. Jo sepse mendimi I kritikëve muzikorë nuk vlen por sepse kur vlerësimi vjen nga dy njerëz të thjeshtë që e shijojnë muzikën si emocion primordial I kombit të cilit I përkasin, ndjesia e  tyre kapërcen gjithfarësoj hamendësimesh të stilizuara.

Dikur ishte im atë që më injektonte muzikën e bukur shqip pa ndonjë detyrim të caktuar, thjesht duke mbajtur Radio Tiranën në programet dedikuar muzikës shqipe. Aty kam dëgjuar për herë të parë notat romantike të Bareshës , përmallimin për Arbërinë, dhimbjen therëse për vdekjen tragjike të Rexhos apo jam harlisur mbi notat ritmike të Margjelo-s (për koincidencë mësuesja ime e klasës së parë quhej Margjëlë). Kishte ardhur koha që atë cka im atë ma kish dhënë përmes dëshirës së tij për këngën shqipe unë t’ia përkujtoja atij dhe vetes se ajo këngë nuk ka vdekur. Dhe ku më mirë se në një koncert plot me shpirt shqip të Shkëlzen Dolit dhe ansamblit popullor.

shkelzen_doli02

 Ndonëse Shkëlzeni është rritur në Gjakovë (qytet I njohur për traditën muzikore dhe gjallimin e saj në cdo vatër) në kohë të ndryshme Ansambli popullor si për atë përtej kufirit ashtu dhe për ne në vendin burg, muzika dhe imazhi I tyre denjësisht dhe thellësisht shqiptar ishte një enë shprese, përkatësie diku në shenjtëri dhe drithërimash bashkimi që vetëm muzika mund ti përcojë.Shkëlzen Doli, virtuozi i Filarmonisë së Vjenës zbret nga Olimpi I muzikës klasike dhe ngjitet për tek Orakulli I muzikës shqipe dhe nuk e bën këtë vetëm si një akt rebelimi ndaj vulgut që ka pushtuar vibrimet dëgjimore të skenave shqiptare por e bën këtë si një përgjigje ndaj thirrjes së të parëve.

Sic do ti thoja pas koncertit: “Na  I shkunde ndjesitë e harruara me këngën shqipe dhe na bashkove copëzat e ndara të shpirtit”.

Dhe ky shpirt I bashkuar erdhi e qëndroi pezull mbi gjithë publikun në sallë në formën e tingujve me ngjyra të ndryshme por pjesë e së tërës, si kur shfaqeshin ndër imazhet ëndërrimtare të vajzërisë së divës së këngës shqipe Nexhmije Pagarusha, po aq në tendosjen e telave në violinën e Shkëlzen Dolit kur interpretonte vallen arbëreshe.

Si mirazh I një epoke kur muzika na bashkonte dhe pse  të copezuar nga oreksi I pangopur I fqinjëve që të rrëmbejnë dhe tjetërsojnë fustanellën , emrin apo vallen, vinte vallja e Osman Takës që në sfond bashkohej dhe ngjante si pjesa tjetër e medaljes me veshjen e burrit malësor të Rugovës që bardhësinë e bjeshkëve e mban mbi kokë dhe në zemër.

Filli lidhës gjeografik dhe shpirtëror kalon përmes gishtave në violinën e djalit të Gjakovës që bart dhe kabanë e Përmetit në gjakun e tij. Aq përfshirëse është dashnia e tij dhe e kompozitorit Gerti Druga për muzikën si tërësi kombëtare sa mjeshtrin Hekuran Xhambali  nga Korca e bëjnë të qajë mbi klarinetën e tij mitike  me tingujt e Dibrës së madhe në perlën muzikore të Rexhos.

E na kujton kështu perlë pas perle nga Jugu në Veri, nga Ulqini në Camëri e nga Kosova në Shqipërinë e mesme (duke na sjellë të gjallë zërin kumbues të vëllezërve Zena) se vetëm heqja e pluhurit nga gurët e cmuar të trashëgimisë që zotërojmë do të na shpëtojë. E ndërsa publiku duke filluar nga prindërit e mi në mirënjohje dëshiron ti puthë duart, vetë Shkëlzeni ka puthur shpirtrat e cdo shqiptari me këtë koncert duke na ftuar të shohim bukurinë që kemi brenda nesh si komb, si plotësia e  mozaikut.

SHKARKO APP