Shkodra kremton dy datëlindjet e trashëgimisë që përkundën djepin

“Një jetë në skenë”, kolazh me humor dhe këngë ka rijetësuar, duke e ngjitur në apogje dy prej kremteve që janë njiherash gurthemelet e “Djepit të kulturës”, Shkodrës, 65-vjetorin e Teatrit “Migjeni” dhe 80-vjetorin e aktorit, Paulin Preka. Dy lindje që kanë nënshkru testamentin e trashëgimisë kulturore të këtij qyteti me tradita të patëdyta.

“Humori shkodran ëshë thikë me dy presa”, kjo perifrazë ka dalë prej gojës së njërit prej anëtarëve të Byrosë Politike të kohës së diktaturës, e cila rrekej të stigmatizonte një antikonformizëm që orvatej ta mbronte artin nga degradimi, duke u përleshur pa droje me flakët e ferrit të censurës. Nji prej këtyne teheve, i cili ende pret është Paulin Preka, i cili fundjavën e shkuar festoi 80-vjetorin e lindjes, bashkë me 65-vjetorin e një tjetër ardhjeje në jetë, Teatrit “Migjeni”.  Një rikthim në skenë pas 18 vitesh mungesë, e gjen mjeshtrin e tipave dhe karaktereve, i rrethuar prej një kandje dhe gazmimi, mirënjohjeje dhe respekti të krejt atyne, që iu vunë nga mbas në ngjitjet e pamata në skenë, publikut. Bashkë në këtë mbramje kremteje ishin ata që “lindën” në Teatrin “Migjeni” dhe do të mbeten përjetësisht në memorien e këtyre themeleve, e kësaj skene 65-vjeçare, si më të ndritshmet kujtime e ma të andshmet përvoja, aktorët dhe kangtarët.

“Humori i Shkodrës është një djep prej ari”, nënvizon një qëmtues i kësaj vlere të pasurisë shpirtërore të qytetit Shkodrës. Nuk është fjala për “Djepi i arit” i Ernest Koliqit, as satira therëse e At’ Gjergj Fishtës, as e Hetit të Molla Sylos, as e Kolë Shirokës, as e Tano Banushit e Tefë Palushit, as e Paulin Selimit e Paulin Prekës e Gëzim Krujës, as e Kolec Pepës e Muharrem Nuros, po e një populli të tanë, që duket se ka le atë ditë që ka le edhe humori. E kur rrekemi të ndërmendim mes mbamendjesh të pamata për traditën e këtij qyteti në fushën e humorit dhe jo vetëm, s’ka gjas’ me u çue prej njasaj sofre gazmendi e hokash, pa e ba pjesë të këtij galdimi, nji prej emblemave të humorit shkodran, skenës së Teatrit “Migjeni” dhe këtij visari të paçmuar, pa përmend Paulin Prekën. Shkodra e ka ndez’ me nji flakadan të potershëm fundjavën e shkume, duke ba pjesë të gjallnimit të jetës së saj kulturore artistike, nji recital të titullum “Paulin Preka, një jetë në skenë”. Veç atyne që jeta i ndau pamëshirshëm, askush nuk mungoi në atë mramje. Ishin krejt në sallën e “Migjenit” me festu këto dy datëlindje, por edhe me marrë pjalmin prej luleve ma të bukura që kanë zbukuru këtë skenë, kanë skalit në ngazëllim e kandë emrin e Paulin Prekës.

Artisti i Merituar Paulin Preka i dhuroi Shkodrës dhe artdashësve të saj të shumtë një mbrëmje, deng me emocione dhe nostalgji. Duke risjellë në skenë pjesët ma të bukura të tij, lojës përkrah mjeshtrave të skenës shkodrane: Zyliha Miloti, Zef Deda dhe kolegëve Besnik Çinari, Drande Xhaj, Gëzim Kruja, Anton Krosaj etj., ai rimishëroi kujtimet dhe mbresat që na lidhin me skenën e Teatrit “Migjeni” dhe krejt’çfarë skaliti në memuarin e saj 65-vjeçar ky amfiteatër.

Për mbi 2 orë spektatorët që kishin tejmbushur Migjenin, përcollën me emocion dhe mbresa virtuozitetin e atyne që sollën mirënjohjen nëpërmjet zanit të tyne: Frederik Ndoci, Myfarete Laze, Mukades Çanga, Ilsi Ademi. Natyrshëm për vetë artistin Paulin Preka emocionet ishin të shumta, sepse kjo skenë dhe ky publik i mrekullueshëm i ka munguar prej 18 vitesh. Jeta e tij përtej Adriatikut me familjen, sigurisht dhe vitet e kanë thelluar këtë hendek, por pa mujt’ me e fashit interesimin e kolegëve dhe publikut për të.

Paulin Preka është një nga artistët shumëdimensional. Galeria e pafundme e roleve dhe karaktereve në  teatër dhe kinematografi e kanë ngjitur në panteonin e nderit këtë korife të skenës së humorit. Sot kemi legjitimitetin të përcjellim mirënjohjen e përunjur dhe respektin për çka mishëruan në ekzistencën e tyre ky teatër dhe ky aktor, kjo sprovë dinjiteti dhe kjo memorie krenarie. 

SHKARKO APP