Shkolla ime

Nga Agim Xhafka

Kjo shkatërrirë ka qënë shkolla ku unë dhashë mësim shumë e shumë vite përpara. Sa mbarova universitetin më degdisën në malet e Gorës,mes mjerimit,varfërisë e urisë. Por populluar nga njerëz bujarë,që na mbanin në shtëpitë e tyre për të fjetur e kur ndonjëherë therrnin ndonjë pulë që e rrisnin fshehur,na jepnin ndonjë tas me supë me kofshën brenda në të.
Kjo pamje nuk më mërzit,më gëzon. Se një shkollë rronitet kur nuk ka nxënës. E mes atyre skérkave për fat jetojnë veç ca pleq që nuk kanë ku shkojnë nga pamundësia. Të tjerët prej vitesh janë rregulluar nëpér botë,në Durrës e Tiranë.
Pamja e shkollës sot rrëfen se velçanakët ikën drejt jetës më të mirë si kërkuesit e arit drejt Alaskës. U turrën me një boçe rrobash e nuk erdhën më.
Shkolla është si foleja e zogjve. Kur ata nuk rikthehen foleja te ballkoni na bije ndër këmbë. Pezmatohemi pak,por e dimë që diku tjetër ka nisur jetë foleja e re.
Shkolla u vidhis si vetë ngrehina komuniste. Zuri plot poshtë vetes,por shumica shpëtuan. Nxënësit e mij më bëjnë mesazhe nga Londra,Parisi,New Yorku,Roma,Athina. Gëzohem sikur të ishin fëmijët e mij. Prita 1 qershorin që të postoja këtë foto. E kisha prej muajsh,por sot dua të uroj gjithë ish-nxënësit. Janë të rritur,baballarë sot,por i kam ndër sy të vegjël,të vegjël fare. Gëzohuni që shkolla e vjetër na la. Në se shkon ndonjë prej jush këto kohë atje jepini kazmën e fundit dhe bëjeni lëndinë atë pjesë. E mbi të vendosni një dërrasë me mbishkrimin:”Këtu shkonin në shkollë ata që nuk kishin një vakt bukë e ata që vishnin gazeta poshtë tutave që mos i sëmurte era e dimrit të egër!”
Shkolla ime pas ca vitesh nuk do jetë më mbi tokë. Do jetojë tek mendja ime si zgjua bletësh,mbushur me harenë e moshës të qindra fëmijëve. Ende më gumëzhin koka prej asaj zhurme që ia kalon dhe uverturës së ujëvarave më të famshme…

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?