Shkolla shqipe e Dardhës, një dritare diturie e progresi

Nga Kristaq Balli

– Me rastin e 100 Vjetorit të çeljes –

  U mbushën 100 vjet që kur, për herë të parë, hapi dyert shkolla shqipe në Dardhë. Kjo ngjarje, sigurisht, shënon një kapitull të ri në historinë e  këtij fshati të njohur për  shumë vlera e tradita historike, sociale, etnokulturore, klimaterike e  turistike e  sidomos shpirtërore me karakter të theksuar përparimtar,  që i kishin dhënë atij jo vetëm statusin e një qendre të zhvilluar urbane, por edhe sepse fryma progresive e jetës së tij ishte si një fushë magnetike që influenconte pozitivisht në gjithë rajonin përreth. Kjo, për arsye edhe të një atmosfere të përparuar arsimore.

  Në të vërtetë, historia e arsimit në Dardhë i ka fillesat e saj thellë në kohë, më shumë se 250 vjet përpara, kur në këtë fshat u hapën shkollat e para për djem e më vonë për vajza në gjuhën greke. Duke iu referuar sfondit historik të evoluimit të jetës materiale e  shpirtërore në Dardhë, situata pak a shumë rezulton e tillë: Dardha është krijuar si një vendbaim i qëndrueshëm  aty rreth mesit të shekullit XVII, pra mund të konsiderohet si një vendbanim mesjetar jo shumë i lashtë në kohë, por, nga ana tjetër me disa tipare e veçori të dallueshme të reja, sidomos në aspektin shpirtëror. Ajo u themelua dhe u konsolidua nga disa komunitete të vogla, apo fise e familje që zbarkonin në këtë “liman” nga disa fshatra të tjerë përqark saj (Bozdovec, Qinam, Lerishtë, Linotopi,  më tej Nikolicë e Arzë), por edhe nga krahina të tjera më të largëta  si Çamëria, Suli, Vlora,  Kruja, e akoma më lart në Veri(këtë e dëshmon lista me rreth 140  mbiemrave të familjeve të Dardhës që kanë banuar aty qysh prej fillesave të saj), si kundërpërgjigje e politikës islamizuese dhe represionit otoman që në shekullin  XVII ishte tejet e ashpër. Familje, apo fise të tëra nga komunitetet që nuk denjonin t’i  nënështroheshin konvertimit fetar nga të krishterë në islamë, detyroheshin me forcë, apo me vullnet të largoheshin nga vendbanimet e të parëve të tyre dhe të zhvendoseshin më në thellësi të skutave malore, siç ishte edhe vendndodhja e Dardhës, një lloj fortese shkëmbore,   ku jeta ishte më vështirë, por edhe më e lirë dhe e pavarur nga privacionet, represioni, joshjet dhe interesat perandorake dhe të fillojnë një jetë tjetër të re, por besnikë e mbrojtës të bindur  të fesë së tyre të hershme, krishtërimit ortodoks. Pra që prej themelimit e deri nga vitet ’60 të shekullit XX, dmth për rreth 300 vjet  Dardha ka qenë i vetmi

ngulim  tërësisht i krishterë. Dhe ku kishte krishtërim, kishte edhe një arsye apo prirje më shumë për të bërë një jetë ekonomike e sociale më autentike dhe më të zhvilluar, edhe në fushën e edukimit. Nga ana tjetër,

gjatë fundit të shekullit të XVIII, në kuadrin e Perandorisë Osmane,  Dardha ishte territor që gjendej  brenda pashallëkut të Janinës, me sundimtar Ali Pashë Tepelenën, i cili u tregua tolerant për shumë arsye historike e politike të kohës. Madje, sekretari i tij ishte dardhari Tërpo Pano, i cili nga ana e  vet kishte rekrutuar dardharin tjetër, Ligor Dodanin si korrier midis tij dhe Ali Pashës. Ky mirëbesim reciprok ka luajtur një rol pozitiv në rritjen e zhvillimin e Dardhës, madje i ka atribuar asaj edhe disa liri e të drejta suplementare. Gjatë kësaj periudhe Dardha, brenda kuadrit të Pashallëkut të Janinës, mbulohej administrativisht nga qyteti më i afërt i Kosturit, ku edhe aty banonin shumë shqiptarë, faktorë këta që kondiciononin dhe stimulonnin edhe marrëdhëniet, dokumentet, shkëmbimet administrative, tregtare, shoqërore e fetare të kohës. Njëheresh enciklopeditë më të njohura greke (si  Enciklopedia e Madhe Greke Pirsos)  e kishin njohur Dardhën si një fshat që banohej nga shqiptarët etnikë e vendas.

          Atëhere nuk bëhej fjalë për mësimin në shkolla shqip, pasi ato nuk ekzistonin. Por, dardharët që kishin filluar të rrihnin kurbetin e të ishin në kontakt me botën e qytetëruar e kuptuan se roli i mësimit dhe diturimit ishte i pazëvendësueshëm në procesin e përparimit të jetës sociale e shpirtërore sidomos të fëmijëve të tyre, se  shkollimi ishte burimi kryesor i diturisë, botkuptimit dhe integrimit. Ndaj zgjodhën alternativën e vetme të asaj  kohe duke çelur një shkollë elementare në gjuhën greke që ata të mësonin, të mos mbeteshin analfabetë e sidomos që ai arsimim  të shërbente si një trampoline diturie nga ku ata mund të kapërxenin në të tjera nivele më të larta studimi e për të realizuar ambicjet, dëshirat e talentet e tyre. Kjo ndodhte rreth  viteve 1760-70, pra shumë më herët se  fillimi i lëvrimit të gjuhës dhe shkollave shqipe, madje kur  shkolla të tilla analoge  në gjuhë të huaj ishin të rralla edhe për qendra shumë më të mëdha urbane.   Akoma nuk kishin filluar lëvizjet irredentiste ndaj perandorisë të sëmurë e në shthurrje të Bosforit, për më tepër në Shqipërinë periferike ishin ende larg në kohë shfaqjet e etnicitetit shtetformues, iluminizmit, bashkimit patriotik, apo rilindjes kombëtare. Në këto kushte historike e gjeo-politike, funksionimi i një shkolle, edhe pse në gjuhë të huaj ka luajtur një rol më tepër pozitiv sesa negativ edhe në Dardhë. Jo vetëm në zhdukjen masive të analfabetizmit, por edhe sepse nga kjo shkollë kanë dalë edhe shumë personalitete të shquar, burra  të ditur e të mençur, që ky arsimim ju shërbeu atyre për të vazhduar studimet e avancuara, kolegje, institute e universitete në shtete të ndryshme, të  kultivohen aty e të zënë pozicione të larta në administrata  të  larta shtetërore në vendet fqinje.

Kështu Polikarp Boçi, mitropolit i Larisës, Petro Marku, ministër i Pyjeve në Greqi, Kristaq Themeliu (Melovano), filolog, sekretar i Havidit të Egjiptit, Apostol Kristo Kreska, kryeinxhinier i shtetit në Athinë, Sotir Llaci, sekretar i Legates shqiptare në Athinë, Sotir Naçi muzikant e poet, Spiro Konda profesor filolog, Pandeli Glozheni, profesor mjek, Thoma Nashi, kompozitori i parë shqiptar, Spiro Tërpaci, mjek i familjes mbretërore në Beograd, Sotir Peci, ministër e regjent, e shumë të tjerë kanë filluar të mësojnënë shkollën elementare në gjuhën greke në Dardhë. Po ashtu edhe shumë mësues dardharë që shërbyen fillimisht tek kjo shkollë e më pas në arsimin shqip në Dardhës kanë marrë mësimet fillestare nga kjo shkollë.

          Fillimi i shekullit  XX e gjen Dardhën në zenithin e saj. Ajo ishte rritur e  zhvilluar nga pikpamja demografike, urbano arkitektonike, ekonomike, tregtare, etnoulturore, turistike, duke u shndrruar në një qendër urbane thuajse të krahasueshme me fizionominë e jetës së një qyteti, madje të zhvilluar. Në arenën botërore e europiane kishin ndodhur ngjarje të rëndësishme historike e gjeoploitike që i kishin dhënë gjithë globit e sidomos Europës tipare të tjera shtetformuese. Me rrënimin e Perandorisë Otomane, Europa kishte marrë një konfigurim të ri gjeografik dhe politiko-ekonomik. Edhe  Shqipëria kishte pësuar ngjarje e zhvillime të reja e transformuese pozitive. Rilindja kombëtare e shprehur fillimisht si lëvizje iluministe kulturore dhe arsimore e, më pas, si lëvizje nacionale e politike për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, kishin bërë të mundur realizimin e dy ngjarjeve të mëdha, hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë, më 1887, përhapjen dhe lëvrimin e saj në mënyrë masive e kapilare dhe më 1912 shpalljen e pavarësisë kombëtare dhe krijimin e një shteti që, pavarësisht se i brishtë,  do ta administronin vetë shqiptarët. Më 1913, me konfigurimin e kufjjve nga fuqitë e mëdha dhe njohjen e saj ndërkombëtare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, në Korrik 1913, ku viset shqiptare u fragmentuan në një shtet shqiptar dhe në disa shtete të tjerë fqinj, Dardha mbeti një tokë e padiskutuar  shqiptare brenda kufijve të Shqipërisë. Ndërkohë, luftrat Ballkanike, por edhe më tej Lufta I Botërore e kishin shndrruar Shqipërinë në një arenë betejash të koalicioneve kundërshtare botërore, por edhe në një kaos e anarki totale se cila fuqi ndërluftuese do t’i zhvaste Shqipërisë së pastabilizuar territore nga shteti i sapoformuar edhe pse forcat patriotike, sidomos në juglindje të vendit luftonin për ruajtjen e  integritetit territorioal, sidomos kundër synimeve aneksioniste e shoviniste të Greqisë të cilat ishin vendosur në qarkun e Korçës e kundër të cilëve rivalizonin forcat franceze. Bashkëpunimi i formacioneve luftarake të Themistokli Gërmenjit dhe Sali Butkës me ushtrinë Franceze, që kërkonin të shuanin “vatrat e zjarrit” dhe të kishin siguri e qetësi në prapavijat e tyre, më 10 Dhjetor 1916 bënë një aleancë për të bashkëpunuar në dëbimin e ushtrisë greke të Venizellos nga rajoni i Korçës duke shpallur “Krahinën Autonome të Korçës” ku bënin pjesë territoret e Korçës, Bilishtit, Kolonjës, Oparit dhe Gorës, e cila do të administrohej nga shqiptarët nën mbrojtjen e auoriteteve franceze. Midis  të tjerash, flamuri dhe gjuha e kësaj “republike “ do të ishin ato shqiptare dhe, në këtë kuadër, midis vendimeve të këshillit administrativ ishte edhe ai i çeljes së 60 shkollave shqipe në këto treva.

          Në sfondin vendor të fshatit  Dardhë, situata historike, politike, ekonomike e shoqërore kishte pësuar gjithashtu ndryshime të mëdha. Qysh prej më se një shekulli dardharët kishin aplikuar në masë emigracionin sezonal në të gjitha  vendet e   Ballkanit, Turqi e madje deri në Egjipt dhe, në fillim të shekullit XX, emigracionin ekonomik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Krahas punëve të tyre të rënda dhe veprimtarisë ekonomke për të ndihmuar familjet e tyre në  vendlindje, ata ranë në kontakt me lëvizjet e përparuara humane dhe me idetë kombëtare dhe një pjesë e tyre u kultivuan si të rinj intelektualë që mbështetjen e tyre të mos e konceptonin vetëm si ndihmë familjare, por ta shndrronin atë me një vizion më gjithëpërfshirës si një kontribut vlerash mëmëdhetare  që t’i shërbenin komunitetit, përparimit dhe të drejtave e  lirive humane. Për këtë arsye filloi organizimi i tyre në shoqëri, së pari fshatarake, që kishin fillimish qëllime jo politike, por bamirëse,  ndihmën shpirtërore,  financiare e  materiale  për përmirësimin e jetës komunitare urbano-arkitektonike, kushtet e jetesës, ruajtjen e identitetit autokton dhe sidomos atë shpirtërore, ku hynte pasuria etnokulturore, si edhe mësimi e lëvrimi i gjuhës shqipe. Dardharët  kanë formuar të parën organizatë apo shoqëri bamirëse fshatarake në SHBA. Më vonë këtë shoqëri u shumuan, u bashkuan, deri në krijimin “Federatën Panshqiptare “Vatra”,  boshti i së cilës ishte tërësisht kombëtar politik.

          Nga ana tjetër, në Dardhë, në këto rrethana specifike ndërkombëtare, e rajonale, por sidomos edhe nga rrezatimi e presioni pozitiv i influencave perëndimore të bijve të saj nga Amerika, si dhe të një atmosphere të brendshme  kombëtarisht të favorshme , lindi dhe u konsolidua  nevoja e çeljes së shkollës në gjuhën shqip, si një prej ndërgjegjësimeve të para se gjuha kombëtare ishte një pasaportë identifikuese, pa të cilën një komb edhe mund të asimilohet e të humbasë në vorbullat e historisë dhe kohës. Edhe çelja e disa shkollave të tjera shqipe do kohë  më parë në disa fshatra të tjerë të rajonit të Korçës u bënë shembull nxitjeje e veprimi konkret.

          Megjithatë çelja e shkollës shqipe në Dardhë nuk u bë ashtu rastësisht e menjëherë. Tentativat dhe përpjekjet për ta  lëvruar atë kishin kishin filluar shumë kohë më parë, ku hapur e ku fshehur, individualisht apo me grupe të vogla. Kështu fillimet për praktikimin e saj i gjejmë në disa dokumente të familjes Zengo, ku një prej bijve të saj Papa Jani Zengo,  rreth vitit 1865, përpiqej që të përshtaste në shqip tekste të liturgjisë duke krijuar edhe një alfabet të vetin  me shkronja të përziera latine, greke e cirilike, si dhe përkthimin me to të disa fragmenteve të shkurtra të shërbesave fetare festive. Po ashtu, shumë emigrantë dardharë e kishin mësuar shqipen, madje disa prej tyre ishin bërë gazetarë të organeve të rëndësishme në emigracion. Sotir Peci themeloi të parën gazetë shqip “Kombi” në SHBA, më 1906,  e cila u bë një tribunë e promovimit të çëshjes shqiptare, më vonë ishte delegat në Kongresin e Manastirit e anëtar i Komisisë Letrare Shqipe të Luigj Gurakuqit,. Të tjerë patriotë dardharë u bënë gazetarë ose me gazetat e tyre në gjuhën shqipe, ose nëpërmjet artikujve të tyre me karakter të spikatur antishovinist e kombëtar në shtypin shqip në emigracion. Të tillë si Josif e Vasil Pani (me gazetat “Drita” e “Sazani”), Kostë Isak,  Misto Millona, Gaqo Konda, etj., vunë në dispozicion kapacitetet e tyre intelektuale e  materiale në  funksion të çështjes shqiptare  duke i shprehur ato në gjuhën shqipe.

          Një premisë e natyrshme e futjes së gjuhës shqipe në Dardhë kanë qenë vetë familjarët emigrantë në SHBA, të cilët duke dërguar letrat e tyre, inkurajonin fëmijët e të afërmit e tyre në Dardhë të mësonin gjuhën shqipe dhe të dërgonin përgjigjet e  letrave në këtë gjuhë.

          Por edhe brenda në Dardhë kishte filluar “underground” mësimi i gjuhës shqipe nga disa “mësues” privatë që kishin mësuar atë në situata të caktuara, sidomos pas çeljes së Mësonjëtores së Parë Shqipe, por që hasnin kundërshtimin e një pjese konservatore të propagandës së megaloidesë.

          Jo pak e rëndësishme ishte ekzistenca tek dardharët e një dëshire të thellë arsimdashëse që ata e kishin konfirmuar edhe më herët, duke mos njohur asnjëherë analfabetizmin.

          Gjithashtu ndër faktorët që stimuluan mundësinë e fillimit të një faqeje  të re për gjuhën shqipe në Dardhë ishin edhe hyrja e një sërë librash, broshurash e literature metodike shqipe nga shoqëritë e emigrantëve shqiptarë në Rumani, Bullgari, Egjipt dhe SHBA, të cilat nuk kish se si të mos krijonin një situatë entusiaste për nevojën e mësimit të gjuhës shqipe, madje edhe kur dihet se gjatë viteve për të cilat bëhet fjalë, edhe influenca shoviniste greke për të mos lëshuar pozicionet e  saj në fushën e edukimit grekofil ishte e sertë, intensive.

          Pak a shumë këto ishin faktorët historikë e shoqërorë, ballafaqimi i tyre shpesh konfliktual, perceptimi i tyre objektiv në përputhje edhe me situatën e përgjithshme kombëtare pro konsolidimit të një shteti shqiptar, ku autoktoniteti dhe gjuha amtare janë faktorët determinues të ekzistencës dhe identitetit, që bënë të domosdoshme dhe të mundur çeljen e  shkollës shqipe në Dardhë një shekull më parë. Sigurisht që kjo ngjarje ishte në fakt një lëvizje përparimtare, ku shumë njerëz e faktorë influencuan pozitivisht duke dhënë në një apo tjetrën formë ndihmesën  e vet, por merita kryesore i takon mësuesit të pasionuar e përparimtar Leonidha Çika (dhe babait të tij Vangjel), kontributi i të cilit konsiderohet i gjithanshëm, vendimtar e i merituar në marrjen e këtij vendimi deçiziv për çeljen e shkollës shqipe në Dardhë.

          Por edhe pse shkolla shqipe filloi udhën e saj të vështirë por të pandërprerë, edhe shkolla greke nuk u mbyll sakaq. Me rivalitet,  mbështetje e manovra të qarqeve të caktuara filogreke, ajo rezistoi edhe dy vjet, derisa falimentoi nga bojkoti që fëmijët e banorëve dardharë i bënë asaj përfundimisht aty nga viti 1920.

          Shkolla shqipe e Dardhës kishte në thelb një karakter  laik, demokratik, progresiv e kombëtar. Qëllimi kryesor i saj ishte së pari mësimi i gjuhës shqipe të unifikuar. Por në programin e saj ajo kishte edhe dituritë e  shkencave natyrore e  shoqërore si matematikën e gjeometrinë, historinë e gjeografinë, si dhe “filozofinë e lashtë”, moralin, familjen, mësimin e profesioneve, fizkulturën e kulturën, të gjitha të programuara nga mësuesit e pasionuar që në të shumtën e rasteve punonin vullnetarisht, apo mbaheshin nga fshati. Edhe pse me kushte të vështira ekonomike e mungesë librash e materialesh didaktike, por të sprovuar në pasionin dhe përkushtimin e tyre mësuesit, të mbështetur veçanërisht nga emigrantët dardharë, siguronin disa libra bazë për programin e tyre,  ose i krijonin ato vetë,  minimalisht për të garantuar që një nxënës, kur mbaronte këtë shkollë të dilte i përgatitur aq sa mund t’i hapej rruga e mëtejshme për vazhdimin e shkollave të tjera në nivele më të larta. Madje, u bë e mundur që shkollën ta ndiqnin edhe të rriturit me programme të përshtatura kryesisht në mësimin e shkrimit dhe leximit në gjuhën amtare.

           Viti 1924 shënon një ngjarje të rëndësishme për këtë shkollë. Pasi numuri i nxënësve ishte rritur  ndjeshëm dhe godina ekzistuese përballonte me vështirësi akomodimin e tyre  dhe,  mbi të gjitha ambicjet e emigrantëve që Dardha të kishte një nga  shkollat më të mëdha e më  “rrezatuese”, që t’i përshtatej sa më mirë mjedisit të qytetëruar ekonomiko-shoqëror të vendlindjes së tyre, Vëllazëria Dardhare “Mbleta” në SHBA, me kontributet e anëtarëve të saj, bëri të mundur ndërtimin dhe paisjen e një shkolle të re aq të bukur,  të bollshme e modern për kohën,  sa do ta kishte zili edhe një qendër shumë më e madhe urbane. Me ndërtimin dhe kompletimin e kësaj shkolle fillon edhe një fazë e re e modernizimit të arsimit në Dardhë.

          Duke u perfeksionuar e rafinuar vazhdimisht, shkolla e Dardhës nuk pati ndërprerje, por funksionoi si e tillë në të gjitha situatat e vështira, madje edhe edhe  gjatë Luftës II Botërore (përveç disa muajve gjatë qëndrimit të Italianëve aty). Të 76 partizanët,  si dhe  16 dëshmorët e Dardhës kishin kaluar nëpër dyert e kësaj shkolle. Edhe shumë partizanë të tjerë jo dardharë, gjatë qëndrimit në Dardhë  mësuan të shkruajnë e te lexojnë gjuhën shqipe në këtë shkollë.

          Që Dardha ishte një nga shembujt  e qytetërimit dhe emancipimit te lartë te vlerave dhe nivelit të konsoliduar arsimor e tregon edhe fakti që aty organizoheshin edhe aktivitete me karakter promovues kombëtar, siç janë rastet e ”Kursit te mësimit të rrobaqepësisë”, 1927,  i cili kishte  qëllim reklamimin e makinave qepëse nga Korporata  e famshme amerikane “Singer”, fotot e  së cilës u botuan në shtypin shqiptar dhe amerikan të asaj kohe,  botimi për herë të parë në Shqipëri i një libri turistik, “Guida Turistike e Dardhës” dhe që u promovua po aty më 1931 nga princeshat,  motrat e mbretit Zogu I, etj.

          Shkolla ishte gjithashtu një arenë kulturore e artistike, jo vetëm për të vegjëlit, por edhe për të rriturit. Ajo vazhdon ta ketë edhe sot atë sallë të madhe ku zhvilloheshin koncerte e ku kitarat e mandolinat ishin instrumentet  kryesore e që i kishte çdo shtëpi , balllo vallzimi e dasma, festa kombëtare,  sidomos pjesë  teatrale me karakter edukues shoqëror e atdhetar, madje duke bashkëpunuar edhe me aktorët e teatrit pararendës të Korçës. Kështu nga “dramat”, skeçet, pjesët autentike, përkthimet dhe inskenimet prej vetë mësuesve, të rinjve e nxënësve, të cilat janë me dhjetra   shkëpusim nga dokumentet dhe përhirjet e kohës improvizime të tilla si “Lufta e Trojës” (Fragment nga “Iliada”), “Martesa me Pahir” (Molieri), “Nderi i Qytetarit”, “E Bija e Bankierit”, “Burrat e Dheut”, “Kundërshtarët e Prikës”, rreth shfaqjes të së cilës në arkivat e Shoqërisë Dardhare “Shpresa” të vitit 1930 thuhet se “…të hollat që janë mbledhur nga kjo shfaqje janë dërguar për fondin e ngritjes së monumentit të Themistokli Gërmenjit…” (Gaqo Kotepano, Niko Çika, kumtesë, 1987),  pjesë  sarkastike e skeçe anonime si ”Luloja”,  “Doktor Pilafi”, “Kush Janë më të Bukur, Burrat apo Gratë”, “Tre Veta në Një Krevat”, “Vajzat e Mëhallës” etj. Gjatë shfaqjes “Akimi”  të Viktor Eftimiut u hap një fushatë ndihmash për komandën vendore partizane, gjatë së cilës u mblodhën 400 napolona të asaj  kohe për  veshmbathjen e partizanëve. Shfaqje teatrale e koncert koral e muzikor kanë dhënë nxënësit, të rinjtë dhe mësuesit e Dardhës në Kinema Majestik me rastin e çlirimit të Korçës.

          Edhe aktiviteti sportiv ishte pjesë e programit mësimor të shkollës. Në mjediset e jashtme te ndërtesës së saj kishte një kënd sportiv. Skuadra e futbollit e të rinjve Dardharë ishte pjesë e kompeticioneve krahinore të fshatrave të Devollit.

          Pas çlirimit të Shqipërisë shkolla e  Dardhës mori një impuls masiv dhe u integrua në gjithë sistemin e unifikuar arsimor shqiptar konform politikave dhe rolit të saj  në emancipimin social të shoqërisë.

          Shkollën e Dardhës e  kanë ndjekur dhjetra breza fëmijësh e të rriturish, rreth 1700 nxënës. Një pjesë e konsiderueshme e tyre vijuan traditën arsimdashëse duke studiuar më tej institutet dhe universitetet pedagogjike dhe u bënë mësues e mësuese që punuan në gjithë Shqipërinë.

          Ndërkohë, nga bangat e kësaj shkolle kanë dalë personalitete të shquar në shumë fusha të jetës intelektuale, politike, shtetërore, kulturore, shkencore e shoqërore si Prof. Dr. Koço Glozheni, shkrimtari dhe ministri Teodor Laço, piktoret e para shqiptare Androniqi dhe Sofia Zengo, dëshmori e rekordmeni i atletikës Kristo Isak, regjisori Endri Keko,  fotografi i njohur Niko Stefani, e shumë të tjerë.

          Sigurisht që në përpjekjet për  çeljen dhe funksionimin e  vijueshëm të shkollës së Dardhës një kontribut të veçantë patriotik, kombëtar, organizativ e didaktik u takon mësuesve të saj të përkushtuar e atdhetarë, që e bënë atë një vatër të vërtetë të dijes dhe të zhvillimit shoqëror.  Mësuesit e hershëm dardharë,  të respektuar e të vlerësuar sot kombëtarisht, si Leonidha  Çika, Julia Tromara, Efterpi Ikonomi, Eleni Theohari, Marigo Mole, Sotir e Eftimia Niçi, Eleni Zdruli, Dhimitër Kere, Sotiria Zengo, Vangjo Konda,  Mihal Pani, Jorgjia Balli, Koli Skënde,  Shadije Batelli, shumica e të cilëve sot prehen në paqe,  meritojnë edhe një herë kujtimin dhe përuljen më të thellë e më të përzemërt njerëzore për kontributin e pashlyeshëm që ata i dedikuan jo vetëm arsimit shqip në Dardhë, por edhe jehonës dhe shembullit  që shkolla e Dardhës pati në çeljen e shkollave të tjera shqip në rajonin e  Korçës e më gjerë.

          Duke revokuar sot nga lartësi të reja kohore 100 Vjetorin e Shkollës Shqipe të Dardhës, plotësohet një obligim të domosdoshëm shpirtëror e simbolik ndaj  gjyshërve e stërgjyshërve dardharë këtu dhe  në emigracion ndaj kontributit e amanetit  të tyre për mbijetesë e gjasim shqiptar, për ta trashëguar e për ta kthyer Dardhën në një nga qendrat urbane më të zhvilluara e më të emancipuara të  kohës, si dhe për  të hapur rrugën që sot banorët, dashamirësit dhe vizitorët të ndjehen se  jetojnë në një prej margaritarëve më të bukur turistikë që rrezaton edukatë e kulturë  në të gjithë Shqipërinë.

SHKARKO APP