Shkollat e para klerikale në trojet shqiptare

Nga Luljeta Dushi

Në trajtimin e shkollave klerikale, duhet të kemi parasysh këto synime:

  1. Periodizimin historik;
  2. Shtrirjen gjeografike të tyre.

Përsa i përket shtrirjes gjeografike, vëmendja është përqendruar edhe në shtrirjen e shkollave klerikale në trojet shqiptare deri në vitin 1913.

  1. Nga fillimet deri në shek. XVI
  • Benediktinët, të ardhur në fillim të shek. IX në Mal të Zi, hapën shkolla pranë manastireve.
  • Në Manastirin e Ardenicës, që në fillim të shek. XIII është njohur një shkollë.
  • Domenikanët, një urdhër fretërish që shkelën të parët në tokat shqiptare, themeluan më 1224 një kuvend në Durrës dhe hapën aty shkollën e lartë teologjike “Studium generale”, me 9 magjiistër dhe 100 nxënës.
  • Në Ulqin, më 1258-1571 ngrihet një shkollë pranë kuvendit.
  • Po ashtu në Kotorr më 1266-1591.
  • Në Delvinë, pranë manastireve të Shën Ion Theologut të Kamenicës, të Navaricës e të Stillos, që nga viti 1275 ka pasur shkolla klerikale.
  • Në Durrës në vitet 1278-1498 ka pasur shkolla.
  • Në Vlorë pranë Manastirit të Svërnecit, deri në vitin 1376 ekzistonte një shkollë.
  • Në Shkodër në vitet 1345-1487, kemi shkolla pranë kuvendeve.
  • Ekzistenca e mejtepeve në Prizren nga fundi i shek. XV.
  • Po në këtë shekull, hapja e Medresesë së Madhe në Shkup.
  • Në shek. XVI, shkolla fillore islame kanë ekzistuar edhe në Kosovë, viset shqiptare në Maqedoni, si edhe në vise të tjera.
  • Gjatë shek. XVI gjejmë medrese pothuajse në të gjitha qytetet e mëdha të Kosovës dhe në viset e tjera shqiptare.
  • Kolegji i Shën Athanasit, i themeluar në Romë më 1572, për nxënësit arbëreshë dhe grekë të Italisë.
  • Themelimi i “Kolegjit Ilirik” në Klementin, në të cilin pranoheshin nxënës edhe nga viset shqiptare.
  • Në vitin 1574 u themelua i dyti “Kolegj Ilirik” në Loreto.
  • Në shek. XVI ka ekzistuar një shkollë fillore katolike në Janjevë.
  1. Gjatë shek. XVII
  • Në trojet shqiptare kanë ekzistuar shkolla fillore islame në Ohër, Gostivar, Shtip, Shkup, Prilep, Manastir, Gjakovë, Tivar, Kratovë etj..
  • Në Tivar, në shek. XVII, ka punuar një medrese.
  • Shkolla fillore islame ka pasur gjithashtu në Prizren, Pejë, Dibër dhe në qytete e fshatra të tjera më të mëdha me popullsi shqiptare.
  • Veçanërisht, nga fundi i shek. XVII, u shtua shumë numri i medreseve, si në: Shkup, Manastir, Tivar, Kumanovë etj..
  • Në Shkodër (qytet) përmendet të kenë ekzistuar 12 mejtepe dhe mjaft të tillë edhe në fshatra.
  • Në disa qytete, si: Shkodër, Prizren, Elbasan, kishte nga dy e më tepër medrese.
  • Në vitin 1613 u themelua i treti “Kolegj Ilirik” në Fermo.
  • Në vitin 1627, në Himarë u hap një shkollë nga një mision katolik oriental, ose unit. Ajo u riorganizua më 1660.
  • Më 1632 kemi hapjen e shkollës fillore të Kurbinit (Krujë), një nga shkollat e para shqipe.
  • Më 1637 hapet një shkollë fillore në Korçë.
  • Më 1638, nga françeskanët, hapet një shkollë fillore në Pllanë (Lezhë).
  • Më 1639 hapet një shkollë tjetër në Blinisht të Zadrimës, në rangun e shkollës së mesme.
  • Në gjysmën e parë të shek. XVII ka pasur një shkollë katolike në Pejë.
  • Gjithashtu nga mesi i shek. XVII ka pasur shkolla katolike shqipe në Prishtinë, Prizren, Suharekë, Gjakovë, si dhe në fshatrat përreth.
  • Në vitin 1660 fillon hapja në masë e shkollave ortodokse në bregdetin jugor.
  • Rreth vitit 1670 në Tivar janë çelur mejtepe e medrese.
  • Në vitet “70 të shek. XVII u çelën dy shkolla në Himarë.
  • Në çerekun e tretë të shek. XVII në Berat kishte 5 medrese.
  • Më 1683 Jan Krisofidi Hap një shkollë në Palasë.
  • Në Manastirin e Pojanit (Fier) është mbajtur një shkollë për nevojat e klerikëve të këtij rrethi; pas vitit 1684 ajo u kthye në shkollë të mesme.
  • Në vitin 1692 në Velë (Mirditë) hapet një shkollë fillore katolike.
  • Më 1698 në Shkodër kemi gjithashtu një shkollë fillore katolike.
  1. Gjatë shek. XVIII
  • Në fillim të shek. XVIII (1710), në Voskopojë, u hap një shkollë fillore ortodokse, e cila më 1744 u ngrit në rangun e shkollës së mesme dhe mori emrin “Akademia e Re”.
  • Në disa qytete të Shqipërisë, si në Gjirokastër, Berat, Elbasan, Kavajë kishte nga dy dhe më shumë medrese e mejtepe.
  • Gjatë këtij shekulli në Ulqin, Tivar e Podgoricë rritet ndjeshëm numri i mejtepeve.
  • Më 1736 në Elbasan funksionon një shkollë ortodokse.
  • Më 1745 kemi një shkollë fillore katolike në Shkodër.
  • Në mesin e shek. XVIII, hapet në Shkodër, nga Mehmet Pashë Bushatliu (Plaku), medreseja e parë, që u shndërrua shkallë-shkallë në një kompleks arsimor-kulturor. Më vonë kemi hapjen e medresesë së dytë nga Kara Mahmud Pasha.
  • Më 1756 kishte një shkollë fillore fetare në Gjirokastër.
  • Më 1770 një shkollë fetare në Përmet.
  • Në vitin 1775, kleriku D. Nikollë Kançi hap një shkollë fillore në Sheldi (Shkodër).
  • Në shek. XVIII në Janinë u ngritën dy shkolla të mesme, ku punoi mësuesi Evgjen Vulgari.
  • Rreth vitit 1778, në Manastirin e Pojanit (Fier) u hap një shkollë fillore.
  • Nga viti 1778 u hap si shkollë fillore, shkolla që kishte ekzistuar në Manastirin e Ardenicës që nga shek. XIII dhe deri në vitin 1684.
  • Në vitin 1778 hapet një shkollë fillore në Berat.
  1. Gjatë shek. XIX
  • Në dhjetëvjeçarin e parë të këtij shekulli, në viset shqiptare janë hapur një numër i konsiderueshëm shkollash fillore islame.
  • Gjatë këtij shekulli numri i mejtepeve në Tivar, Ulqin, Podgoricë e Plavë ka qenë më i madh se në shek. XVIII. Në Podgoricë ka funksionuar një medrese.
  • Në vitet “20 të shek. XIX, në rrethin e Pejës kanë funksionuar 18 shkolla fillore, ku përveç shkollave fetare hynin edhe iptidaijet (shkolla fillore shtetërore).
  • Në vitet 1806-1836 funksionoi në Prizren një medrese. Në vitet “40 të shek. XIX u ndërtua dhe një medrese tjetër.
  • Në vitin 1835, në Shkodër kemi një shkollë fillore ortodokse.
  • Në vitin 1859 hapet në Shkodër Seminari Papnor Shqiptar.
  • Në vitin 1861, po në Shkodër, hapet shkolla fillore françeskane.
  • Rreth viteve “60 të shek. XIX, në Prishtinë, Vuçiternë, Pejë, Prizren etj., filluan të hapen shkolla fillore islame për vajzat.
  • Më 1873, në Shirokë (Shkodër) hapet një shkollë katolike.
  • Në vitin 1874, kanë ekzistuar shkolla fillore dhe medrese në Prizren, Tetovë, Gostivar, Shkup, Nish, Dibër, Prishtinë, Pejë, Guci etj..
  • Më 1877, hapet në Shkodër, Kolegji Saverian.
  • Në Nënshat (Shkodër), më 1878, hapet një shkollë katolike.
  • Në vitin 1879, në Krahinat e Beratit, Korçës dhe të Durrësit kishte shkolla greke.
  • Në vitin 1880 në Shkodër fillon jetën e saj shkolla Normale e Motrave Stigmatine.
  • Në vitin 1882, në vilajetin e Janinës kishte shkolla fetare islame për djem dhe mikse, si dhe shkolla për vajza.
  • Në Shkodër (qytet), nga çereku i findit të shek. XIX, u hapën 11 mejtepe, ndërsa në fshatrat e këtij rrethi ekzistonin disa mejtepe.
  • Më 1882 hapet shkolla katolike e Trashanit (Zadrimë).
  • Më 1883 hapet një shkollë e tillë edhe në Bajzë të Kastratit (Malësi e Madhe).
  • Më 1891 hapet një shkollë katolike në Blinisht të Zadrimës.
  • Po më 1891 hapet një shkollë e tillë në Selcë të Këlmendit.
  • Më 1893 hapet shkolla e Traboinit (Malësi e Grudës).
  • Në vitin 1894, në sanxhakun e Gjirokastrës kishte shkolla fillore greke.
  • Në vitin 1896, në Kallmet të Lezhës, motrat stigmatine hapin një shkollë fillore për vajza.
  • Më 1898 rihapet shkolla në Pllanë (Lezhë).
  • Rreth vitit 1890, në qytetin e Shkodrës, ishte hapur edhe një shkollë serbe.
  • Më 1898, po në Shkodër, kemi hapjen e azilit të motrave servite (foshnjore dhe për fëmijët parashkollorë).
  • Nga fundi i shek. XIX kemi hapjen e shkollave katolike në Mirditë (Orosh, Kashnjet, Spaç), në Bushat (1900), në Rranxa-Bushat (1900), në Prizren (një shkollë për djem dhe një shkollë fillore për vajza, e drejtuar prej “Motrave të Dashnisë), në Gjakovë (një shkollë), në Pejë (një shkollë, më 1898), në Zym (një shkollë), në Durrës (një shkollë).
  • Në Shkodër, deri në fund të këtij shekulli mbeten të hapur 5-6 mejtepe. Më i njohuri prej tyre ishte mejtepi Ruzhdije.
  • Gjatë shek. XIX vazhduan punën medresetë e hapura që në shek. XVIII, në disa qytete të Shqipërisë, si në Shkodër, Gjirokastër, Berat, Vlorë, Kavajë, Elbasan etj..
  1. Në vitet 1900-1924
  • Në vitin 1901, në Bizë hapet një shkollë katolike.
  • Më 1907, Atë Shtjefën Gjeçovi hap një shkollë në Gomsiqe.
  • Po këtë vit kemi hapjen nga një klerik të një shkolle në Baz (Mat).
  • Gjithashtu më 1907, motrat stigmatine hapin një shkollë fillore në Durrës.
  • Gjatë viteve 1912-1913, Në Dajç të Zadrimës, ka pasur një shkollë fillore katolike.
  • Në vitin 1912, në Vlorë hapet një shkollë fetare greke.
  • Gjatë viteve 1914-1916 kemi hapjen e mejtepeve në Gjirokastër, Sarandë e Përmet.Gjatë Luftës së Parë Botërore në Mal të Zi, në Ulqin, Ljare, Tuz, Dimoshë, Ptiftën, Arzë, Triesh, Plavë, Guci, Vuthaj dhe Martinaj, hapen shkolla shqipe.
  • Në vitin 1916 hapet në Shkodër një medrese.
  • Në vitin 1920, motrat stigmatine hapin në Shkodër një azil për fëmijët e lagjeve të largëta të qytetit.
  • Në vitin 1921 hapet në Shkodër gjimnazi françeskan “Illyricum”.
  • Më 1924, në Shirokë, në Dajç të Bregut të Bunës, motrat stigmatine hapin shkolla fillore me tri klasë e azile.
  1. Në vitet 1925-1939
  • Në vitin 1925, në Shkodër hapet një medrese e re.
  • Më 1926, po nga motrat stigmatine hapet në Nënshat një shkollë fillore me tri klasë.
  • Në vitin 1927 hapet në Tiranë një foshnjore, e drejtuar prej murgeshave.
  • Në vitin 1928, motrat servite hapën në Tiranë një azil të ri.
  • Në vitin 1929, po në Tiranë hapet një medrese.
  • Në vitin 1930, motrat stigmatine hapin në Tiranë një shkollë fillore me tri klasë.
  • Gjatë vitit 1930, në Tiranë u hap një shkollë fillore italiane, e mbajtur nga jezuitët.
  • Më 1931 në Tiranë ekziston një shkollë fetare myslimane.
  • Gjate vitit shkollor 1932-1933, në Korçë hapet një kopsht fëmijësh i drejtuar nga klerikë. Një vit më pas një kopsht i tillë hapet në Vlorë.
  • Më 1937, në Korçë motrat stigmatine hapin një shkollë fillore me azil.
  1. Në vitet 1939-1944

Në vitin 1944, në Shkodër u hap një medrese e re,e cila vazhdoi deri në vitin 1947.

 Në vitet 1945-1990

Si rezultat i zbatimit të reformës arsimore, që filloi të zbatohej në vitin shkollor 1946-1947, të gjitha shkollat klerikale në Shqipëri do të mbyllen, duke e ndërprerë kështu veprimtarinë e tyre shumëvjeçare.

  1. Nga viti 1991 e në vazhdim

Pas vendosjes së demokracisë në vendin tonë, disa nga shkollat klerikale do të rifillojnë veprimtarinë e tyre.

  • Më 16.10.1991 rihapet medreseja në Tiranë.
  • Më 08.02.1992 rihapet në Shkodër Seminari Papnor Shqiptar (sot “Seminari Ndërdioqezan Shqiptar”).
  • Njëkohësisht do të fillojë medreseja e Shkodrës, e cila mori emrin “Haxhi Sheh Shamia”.
  • U bë hapja e medreseve edhe në disa qytete të tjera të Shqipërisë, si në Durrës, Kavajë, Gjirokastër, Berat, Elbasan, Peshkopi etj..
  • Më 01.09.1999 u hap shkolla e motrave saleziane në Shkodër.

SHKARKO APP