“Shopping and Fucking”, shfaqje që shokon dhe hap debat
“Është një tekst që thumbon shoqërinë bashkëkohore perëndimore dhe konsumerizmin që po na kaplon. Prurjet e reja në teatër siç është ky tekst i autorit Ravenhill mendoj se do të sjellin një frymë rebeluese, që në vete teatri e ka pasur gjithmonë. Teatri nuk e ka vetëm rolin e zbavitjes, ai edhe din të shokojë, të hap debate për çështje që rëndojnë shoqërinë dhe ky tekst gjithsesi do të jetë sfidues”, tha ndër të tjera Berisha, regjisor i “Shopping and Fucking”.
Sarandë Selimi
Teksti i Mark Ravenhill-it është pjesë e lëvizjes teatrore ‘In your face theatre’ dhe Ravenhill së bashku me Sara Kane janë autorët më të shquar të kësaj lëvizjeje e cila shkundi teatrot anembanë Evropës në vitet e ’90. Edhe teksti që është duke u punuar nga regjisori Fatos Berisha e që do të vije si premiera e parë për vitin 2015 në Teatrin Kombëtar të Kosovës është i tillë, i bie fytyrës audiencës, shokon dhe hap debat.
Kjo do të jetë hera e parë që vihet në skenë në gjuhën shqipe ky tekst dhe ky autor, e regjisori Berisha thotë për KultPlus se është i sigurt që do të zgjojë kërshërinë e publikut, sidomos të moshave të reja.
“Është një tekst që thumbon shoqërinë bashkëkohore perëndimore dhe konsumerizmin që po na kaplon. Prurjet e reja në teatër siç është ky tekst i autorit Ravenhill mendoj se do të sjellin një frymë rebeluese, që në vete teatri e ka pasur gjithmonë. Teatri nuk e ka vetëm rolin e zbavitjes, ai edhe din të shokojë, të hap debate për çështje që rëndojnë shoqërinë dhe ky tekst gjithsesi do të jetë sfidues”, tha ndër të tjera Berisha, regjisor i “Shopping and Fucking”.
E përzgjedhja e aktorëve në këtë shfaqje ka qenë paksa e vështirë për regjisorin Berisha. Ai ka takuar mbi 60 aktorë kryesisht të moshës së re, dhe thotë se ka hasur në talente dhe persona të hapur për eksperimentime në fushën e teatrit jo-konvencional.
“Për shkak natyrës së tekstit, procesi i audicioneve ka qenë i gjatë dhe më është dashur më shumë kohë se zakonisht, të përcaktohem për ekipin. Tani, që jemi në proces të provave mund të them se jam shumë i kënaqur me angazhimin e tyre, dhe njëkohësisht më vjen keq për shumë aktorë e aktore që për shkak limitimit të numrit të personazheve në tekst, nuk kam mundur t’u ofroj role”, theksoi ai.
Në kastën e aktorëve të kësaj shfaqje është një miks i moshave, duke filluar nga Luan Jaha, Arta Selimi, Armend Ismajli, Florist Bajgora dhe Tristan Halilaj nga Shqipëria, i cili është i njohur për publikun tonë nga filmi ‘Falja e gjakut’ që fitoi çmim në Berlinale para ca vitesh.
“Jemi duke kaluar një proces interesant të provave, jashtëzakonisht të ngarkuar, i kemi dhënë vetes vetëm 4 javë për përfundim të shfaqjes, por jam optimist sepse në ekip qarkullon frymë dhe energji shumë e mirë”, vazhdoi më tej Berisha.
Premiera e “Shopping and Fucking” do të jepet me 17 janar në Prishtinë, duke vazhduar më pas në muajin shkurt të këtij viti edhe në Tiranë, pasi që ky projekt është përkrahur edhe nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë.
“Dua të vlerësoj guximin artistik të përgjegjësve në Teatrin Kombëtar për të vënë në skenë një tekst të tillë avantgard, gjithashtu dua edhe ti falënderoj për bashkëpunimin dhe bashkëprodhimin me Teatrin Urban. Poashtu falënderim i veçantë shkon edhe për programin “Culture for all”, tha Berisha.
Në fund, Berisha përfundon duke thënë se deri më sot i është përmbajtur parimit se dëshiron të vë në skenë diçka që vërtetë i flet publikut tonë sot, si dhe njëkohësisht diçka të ndryshme nga ato që ka punuar më parë. / KultPlus.com