Shoqata kulturore “Al Bano dhe Romina Pouer”, sot 21 vjeç

Nga Zenepe Luka/Sot, më 31 janar 2017, shoqata kulturore “Al Bano & Romina Pouer”, mbush 21 vjeç. Një vit më parë, në ditën e 20- vjetorit, u organizua një konferencë dhe veprimtari të gjithanshme, kurse këtë 31 janar, dëgjojmë këngë të Al Banos në klubin e fansave, dëgjojmë përshëndetjen e tij nga Sanremo dhe shprehim vazhdimësinë e shoqatës. Teksa hedhim vështrimin në rrugëtimin e kësaj shoqate kulturore, që i kaloi dy dekadat, konstatojmë lehtë, që janë bërë aq shumë veprimtari kulturore në Shqipëri e Itali, aq shumë botime, vizita e koncerte,  që padyshim kanë synuar në thellimin e miqësisë mes dy popujve, sa nuk kanë arritur të bëjë Ambasada  Italiane, apo Konsullata Italiane në Vlorë. Nëse shton argumentin, që për realizimin e gjithçkaje është bërë pa mbështetjen e tyre, të Institutit të Kulturës Italiane në Tiranë, lëre pastaj të Ministrisë së Kulturës e institucioneve të tjera në Shqipëri, del e qartë miqësia e sinqertë, dashuria e këngëtarit për Shqipërinë dhe e fansave për këngëtarin e madh italian, Al Bano Karrisi.

Vizitën e parë këngëtari italian e ka bërë në vjeshtë të vitit 1985, së bashku me prindërit e tij, me insistimin e të atit, Don Karmelo, që në prag të verbimit, kërkoi të shihte për herë të fundit vendin e shqiponjave, për të cilin ruante kujtimet më të bukura, kur kish qenë ushtar.

Për herë të dytë këngëtari erdhi më 17 shtator 1989, për të dhënë koncert në stadiumin “Qemal Stafa” dhe Pallatin e Kongreseve. Ishte i pari këngëtar perëndimor që këndoi ende pa rënë regjimi në Shqipëri. Herën e tretë, i ftuar nga shoqata kulturore, që ka emrin e tij, më 7 nëntor të vitit 2004, dha koncert në Pallatin e Kongreseve, si dhe bëri vizitë në qytetet e Krujës dhe të Vlorës. Për herë të katërt, Al Bano erdhi në Vlorë më 1 maj të vitit 2008, ku bashkë me fansat e tij, festoi 65 vjetorin e lindjes. Në këtë ditë të shënuar, këngëtarit ju dha “Mirënjohja e Qytetit të Vlorës” nga bashkia si dhe u promovua libri Al Bano dhe Albania” i autors Zenepe Luka. 8 qershori i vitit 2009, shënon ardhjen e pestë të këngëtarit në Shqipëri. Presidenti i Republikës prof. Bamir Topi i akordoi këngëtarit të famshëm Medaljen“Nënë Tereza”. Në këtë ditë, u promovua në Pallatin e Brigadave busti i këngëtarit, punuar nga skulptori vlonjat Skënder Tena. Shoqëruar nga kryetarja e shoqatës, këngëtari bëri një vizitë në qytetin e Krujës, më pas darkoi në qytetin e Vlorës. Për herë të gjashtë, erdhi në shtator të vitit 2009 për të dhënë  koncert në Teatrin e Operës dhe Baletit, me rastin e 20 -vjetorit të dhënies së koncertit të parë në Shqipëri. U promovua edhe libri biografik i këngëtarit “Kjo është jeta ime” përkthyer në gjuhën shqipe. Në shtator të vitit 2016, këngëtari, ftuar nga shoqata, dha një koncert bamirësie në Pallatin e Kongreseve, me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës. Po atë ditë, mori edhe pasaportën shqiptare si dhe çelësin e kryeqytetit nga z.Erion Veliaj, është hera e tetë. Më 29 nëntor po të këtij viti, Al Bano Karrisi ftohet për një spektakël në qytetin e Vlorës. Me këtë rast përurohet busti tij, punuar nga skulptori vlonjat Skënder Tena, ndërsa kryetari i bashkisë, Dritan Leli i dorëzon lejen e vendbanimit në lagjen “Pavarësia” në Vlorë. Më 29 nëntor, në maternitetin e Vlorës, u lind një foshnjë, që prindërit i vunë emrin Albano, në nderim të këngëtarit, që u bë qytetar i Vlorës. Kjo ishte hera e nëntë e ardhjes së tij në Shqipëri.

Al Bano për Shqipërinë:

“Raportin tim me Shqipërinë, mund ta përkufizoj thjeshtë të bazuar tek emocioni, që ka qenë i përmasave të jashtëzakonshme,pikërisht më 19 shtator 1989,me koncertin që dhamë në Stadiumin e Tiranës dhe në Pallatin e Kongreseve”. “Shqipëria është një vaksinë e trupit tim. -Dua të them se është i gjetur titulli i librit “Al Bano dhe Albania”, sepse emri im lind nga Shqipëria. Për mua, Shqipëria është një vaksinë në trupin tim dhe tërë jetën, kudo që shkoj nëpër  botë, Shqipërinë e kam me vete. Është emri im”.

SHKARKO APP