Shoqata Labëria “nderi i kombit” në 25 vjetorin e saj

Prof. Dr. Ago Nezha/Shoqata Kulturore Atdhetare Labëria , festoi këto ditë 25 vjetorin e themelimit të saj në një atmosferë tepër festive me pjesëmarrjen e shumë personaliteteve të fushës kulturës, artit e shkencës, fesë, politikës dhe shoqatave homologe si Kosova, Çamëria, Tirana, Ismail Qemali, Nermin Vlora, Mbrojtjes së trashëgimisë historike kulturore kombëtare, etj.

Tashmë Labërinë, ky Jubile e gjen ndryshe nga përvjetorët e tjerë, se qysh nga Dhjetori i vitit 2015, ajo mban mbi krye kurorën e shndritshme “Nderi i Kombit” të kurorëzuar nga Presidenti i Republikës.

Po të bëjmë një retrospektivë të jetës së saj, Shoqata Labëria, u krijua në dimrin e demokracisë, më 12 Dhjetor, të vitit 1991, nga një grup intelektualësh nga trevat e Labërisë. Ajo, lindi në një klimë të acaruar, kur partitë ngjanin me një fole grenzash që shponin dhe helmonin njëra tjetrën me vrerin e kohës, ndërsa shoqatat amortizonin dhe i bashkonin njerëzit pa dallime partiake. Shoqata Labëria, ka pasur një fëmijëri të vështirë, një adoleshencë të shëndetshme dhe një maturi të parakohshme. kuvendi i Parë themelues i shoqatës u mbajt në Tiranë, ku kryetar u zgjodh poeti i njohur Halil Qëndro. Nisur nga misioni i shoqatës dhe traditat patriotike të trevës së Labërisë, për bashkimin  e trojeve shqiptare, Kosovë e Çamëri, në këtë Kuvend u zgjodh Kryetar Nderi Akademiku Kosovar, Prof. Dr. Rexhep Qosja, një personalitet i shquar i çështjes shqiptare, Rilindës i kohës tonë. Kuvendet e tjera u mbajtën respektivisht, i Dyti në Vlorën e flamurit, i Treti në Himarë, jo rastësisht por për tu thënë himarjotëve se Himara në lashtësi, ka qenë kryeqendra e Labërisë me 52 fshatra. Kuvendi i Katërt u mbajt në Kuç të Vlorës, për të evokuar një ngjarje madhore atë të Kongresit të Labërisë për çështjet zakonore që u zhvillua më 28 Nëntor-4Dhjetor 1924, me pjesëmarrjen e 300 delegatëve nga të gjitha trevat shqiptare, nga Kosova e Çamëria. Po të heqësh një paralele midis dy kohëve, problematikat e trajtuara 92 vjet më parë, janë të ngjashme me ato të sotmet, si gjakmarrja , që për fatkeqësinë e pushtetit demokratike kemi shumë të ngujuar, problemet e gruas, të arsimit, etj. Kuvendi i Pestë, u mbajt në kryeqendrën e kulturës labe, në Gjirokastër, që shënoi disa arritje kulmore, veçanërisht prurje të mëdha intelektuale dhe biznesmenë të rinj, që e fuqizuan veprimtarinë e saj. E gjithë kjo arritje sendërtohet në fjalën  përshëndetëse të Profesor Rexhep Qoses, që tha se: “Këtë shoqatë të mirorganizuar, do ta kishte zili çdo parti dhe  çdo qeveri”.

Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria” në rrugën e saj 25 vjeçare, ka funksionuar me degët e saj përmes  një gjeografi të admirueshme duke filluar  nga Saranda, Gjirokastra, Tepelena, Vlora, Orikumi dhe Himara, duke zbritur në Myzeqe me degët e Fierit, Patosit, Durrësit që e rikrijuam në prag të 25 vjetorit dhe Tiranës, që ka përqendrimet më të mëdha intelektuale. Të gjithë kryetarët e degëve kanë dhënë  kontributin e tyre shoqëror plot përkushtim duke filluar nga kryetari i Tiranës Prof. Asoc. Benard Zotaj, i Vlorës Ahmet Dema, i Gjirokastrës  Murat Kërri, i Sarandës Rystem Duka, Tepelenës  Qemal Danaj, Patosit Mersin Balili, Fierit Pasho Zhupa dhe Orikumit Neki Haskoçela, si dhe gjithë paraardhësit e tyre. Të gjitha degët kanë veprimtaritë e tyre cilësore, por që nuk është vendi në këtë shkrim për të bërë bilancin e punës së tyre.  Me këtë rast desha të veçoj degën e Vlorës si një model eksperiencë, me Kryetar Ahmet Demën, që e ka kthyer degën në institucion patriotiko-kulturor, me veprimtari tepër të larmishme dhe me një pjesëmarrje për ti pasur zili, sa që Kino Teatri i Vlorës me 400 vende nuk i merr por rrinë dhe në këmbë. Koloriti i veprimtarive është tepër domethënës. Por ngritja e 12 busteve të heronjve të Lumit të Vlorës me në krye apostullin e lirisë dhe pavarësisë Ismail Qemalin, flet shumë për vizionin, përkushtimin dhe përgjegjësinë që i njeh vetes kjo degë.

Shoqata Labëria ka lidhje me shumë shoqata homologe Brenda vendit, si Kosova, Çamëria, Tirana, Ismail Qemali, Nervin Vlora, të Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore etj. Por ajo që synojmë në të ardhmen është që ta ndërkombëtarizojmë emrin e shoqatës. Ne kemi hedhur hapa duke bërë një takim me 100 gra e vajza me emrin Vlora të Komunës së Preshevës, në bashkëpunim me Shoqatën “Nermin Vlora”ku kemi nderuar dhe ish Kryetarin e Komunës për tre legjislatura rresht Z.Ragmi Mustafa me titullin e lartë “Mirënjohje të Labërisë. Këtë nismë ne duhet ta shtrijmë në të ardhmen edhe në Prishtinë që jemi në kushte më komode, pasi kemi anëtare të Kryesisë Znj. Labëri Luzha, por pse jo edhe në Maqedoni e Mal të Zi.

Shoqata Labëria ka mbajtur qëndrim kritik dhe e përsërit me keqardhje shpërdorimin që ju bë nga qeveritë e kohës kremtimit të dy festave jubilare, 100 vjetorit të Pavarësisë dhe 70 vjetorit të Çlirimit që u kaluan pa vlerësimin e merituar. Ishte në turpin e Kombit që në jubileun e 100 të Pavarësisë  nuk u vendos në kryeqytet një bust madhështor i krijuesit të shtetit shqiptar Ismail Qemalit, siç e kanë gjithë popujt e qytetëruar të botës, por u gjet një bust i aksidentuar i nxjerrë nga magazinat e Muzeut Historik Kombëtar dhe u vendos në një qoshe të Tiranës. Është koha që Bashkia e Tiranës ta korrigjoi  këtë boshllëk historik dhe të krijoi një shesh qendror me emrin dhe bustin e Ismail Qemalit. Atë që nuk e bëri shteti i shtirë shqiptar, e bënë një grup patriotësh vlonjat me Dr. Bujar Leskaj në krye , që përgatitën dhe vendosën në qendër të Prishtinës  një bust madhështor të krijuesit të kombit shqiptar,babait të kombit, plakut të mençur Ismail Qemalit. Është fatkeqësi kombëtare që në Shqipëri, si askund tjetër,vendin e heronjve e zënë tradhtarët. Ka rryma antikombëtare regresive, që investojnë e punojnë të helmojnë klimën sociale duke i konvertuar tradhtarët dhe kolaboracionistët me heronjtë e kombit. Por labi që ka një sensibilitet të shprehur gjenetik të trashëguar në breza për çështjen patriotike, nuk e duron dot tradhtinë. Labërit siç duan dhe respektojnë Labërinë, po aq duan dhe respektojnë Kosovën, Çamërinë dhe gjithë shqiptarët kudo që janë. Por me patriotizmin e Labërisë është abuzuar dhe spekuluar duke e lënë atë në mjerim nga pikëpamja ekonomike dhe infrastrukturore. E kam thënë vazhdimisht braktisjen që i është bërë Lumit të Vlorës me 22 fshatra, që vështirë se kalohet me kafshë, pa folur me mjete motorike. Urojmë që kjo plagë të gjej shërim nga kjo qeveri.

Shoqata Labëria ka shënuar suksese dhe rritje cilësore në veprimtaritë e saj, nga njëri kuvend në tjetrin. Ajo arriti të bëhet Nderi i Kombit jo rastësisht. Ndjenja e saj patriotike dhe qëndrimet parimore për çështje kombëtare brenda dhe jashtë kufirit kanë qenë motua e punës së saj. Mjafton të sjellim në kujtesën e lexuesit disa nga veprimtaritë më madhore, më përfaqësuese, që kanë pasur ndikim mbarëkombëtar. Kur janë shfaqur fenomene në kundërshtim me interesat kombëtare, shoqata Labëria ka sensibilizuar gjithë opinionin shoqëror. Ishte e para shoqata Labëria, që bashkoi rreth vetes rreth 70 shoqata, nga shoqata Kosova te Çamëria, ku kanë nënshkruar një peticion ndaj qeverisë dhe kanë denoncuar marrëveshjen famëkeqe të detit, për shitjen e detit Greqisë. Të njëjtin qëndrim kritik ka mbajtur për vetëdeklarimin e popullsisë sipas etnisë dhe fesë, për problemin e varrezave greke në Përmet dhe Boboshticë të Korçës, për pretendimet e Vorioepirit për Himarën si popullatë greke, për hapjen e shkollave greke në Jug të vendit, për mohimin e të drejtave të Çamërisë për trojet e tyre, për problemet e asosacioneve  serbe në Kosovë, vendosja e kufirit mes Malit të Zi e Kosovës dhe shumë probleme të tjera që cenojnë interesat kombëtare.

Shoqata Labëria është rritur si në sasi ashtu edhe në cilësi nga njëri kuvend në tjetrin. Në rast se në fillimet e saj ajo mblidhesh në salla të mbyllura sot nuk e merr salla e muzeut Historik Kombëtar. Lartësimi i emrit të saj, ka bërë që të afrohen intelektual të shquar dhe personalitete të spikatura në të gjitha fushat si të arsimit, kulturës, shkencës dhe artit. Nga kuvendi i Pestë i Labërisë e deri më sot, tendenca për të afruar një grupim të madh intelektualësh dhe biznesmenësh ka qenë risia që ka krijuar një imazh të fuqishëm mbarëkombëtar. Veprimtaritë e dendura të shoqatës të shoqëruara me praninë e personaliteteve të shquara të Labërisë ishin binomi që e çuan shoqatën në apogjeun e Titullit “Nderit i Kombit”. Ekuacioni i suksesshëm i binjakëzuar: “ intelektual të shquar-biznesmenë të fuqishëm, është aristokracia e shoqatës Labëria, që e bën atë të dallojë nga shoqatat e tjera. Afrimi i shumë intelektualëve lab me integritet ka krijuar mundësi për të ndryshuar situatat e vështira nëpër të cilat ka ecur shoqata gjatë jetës së saj. Për 25 vjet rresht, ajo nuk ka pasur një zyrë ku të ushtroj veprimtarinë e saj institucionale por takimet bëheshin rrugës apo në kafe, në një kohë që disa parti me kryetar, por pa anëtar, kanë zyra e klube për aktivitete të pista. Është rasti që në këtë shkrim të falënderojmë anëtarin e Kryesisë Aldrin Dalipi, që pas kësaj odiseje të gjatë, krijoi mundësinë për një zyrë . Intelektualët janë një pasuri e madhe kombëtare. Shoqata Labëria në udhëheqje të saj ka një strukturë të admirueshme.

Mjafton të kujtojmë që në strukturën e Këshillit Drejtues ka me grada e tituj shkencor Profesor e Doktor 30 anëtar, si Pëllumb Xhufi, Moikom Zeqo, Bardhosh Gaçe, Rami Memushi, Kristaq Kume, Bilal Shkurti, Natasha Hodo, Diana Shehu etj, si dhe ”Skulptorin e Popullit” Muntaz Dhrami, “Piktorin e popullit” Skënder Kamberi dhe “Mjeshtrin e Sportit” Bejkush Birçe.

Ka disa personalitete të nderuar nga Presidenti i Republikës me titujt “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, “Mjeshtra të Mëdhenj gjashtë dhe me gradën Gjeneral në ushtri një person.

Kjo përbërje e lartë cilësore e shoqatës Labëria, ka krijuar premisa të vazhdueshme për ta bërë atë faktorë ndikues në jetën e vendit, siç ka ndodhur në realitetin shqiptar. Qysh nga krijimi i saj dhe deri në ditët e sotme në drejtim të shoqatës Labëria kanë qenë intelektual të shquar të saj. Një pjesë e tyre kanë ndërruar jetë, qysh nga kryetari i parë Halil Qendro, nën/kryetarët Enver Guga,Maliq Lila, Dasho Matodasho, e deri te poeti e kryeredaktori i talentuar Lirim Dede, të cilët i kujtojmë me mirënjohje për kontributin e tyre. Njëkohësisht respekt tregojmë për ata drejtues të vazhdimësisë në vite si Sekretari i Përgjithshëm Xhemil Çeli në katër kuvende dhe pasuesit e tij Petrit Ruka e Dorian Koçi, nën/kryetarët Gafur Duda, Lavdie Nanaj, Sejmen Gjokoli e deri më të rinjtë Agim Çiraku,  Agim Rrapaj e Robert Çelo, si dhe sekretarët Albert Zholi e Bashkim Qeli, që kanë prurë një frymë të re në shoqatë. E në rast se këtë do ta quajmë në mënyrë metaforike trurin e shoqatës, ajo s’do funksiononte dot pa zemrën e saj të shëndoshë, që janë biznesmenët me kontributet e tyre në vite. Nga lartësia e 25 viteve unë dua të falënderoj kontribuesit e pa kursyer për realizimin e veprimtarive si nën/kryetarët e shoqatës  të ndierin Enver Guga, legjendarin e deri sotëm Gafur Dudaj, Kastriot Zoto, Fatmir Toçi, e duke ardhur te më të rinjtë që‰ ju afruan pas Kuvendt të 5-të të Gjirokastrës si Dr. Bujar Leskaj, Agim  Çiraku, Agim Rrapi dhe prurjet e fundit të admirueshme si Ardian Resuli e Vullnet Sina. Të dy krahët e shoqatës, kanë funksionuar si një orkestër për ta çuar shoqatën në lartësitë që ndodhet sot.

E gjithë puna dhe veprimtaria e suksesshme e shoqatës do të ishte e mangët në rast se nuk do kishte zëdhënësen e saj Gazetën “Labëria”. Qysh nga lindja e saj e deri më sot ajo ka pasqyruar jetën social-ekonomike të trevës së Labërisë. Një punë të lavdërueshme kanë bërë kryeredaktorët e saj qysh nga krijimi me kryeredaktor Pëllumb Tare, për shumë vjet Lirim Dede, e tashmë Albert Zholi, si dhe botuesit Fatmir Toçi e Gafur Dudaj. Por ajo që desha të veçoj është se gazeta “Labëria”, pas Kuvendit të 5-të të shoqatës, me botues Agim Çirakun e Gafur Dudën dhe me përkujdesjen e drejtorit të Gazetës Telegraf, Engjëll Musai, ka pësuar një ndryshim cilësor si në formë, që botohet me ngjyra ashtu dhe në përmbajtje.

Identitet i një krahine është polifonia, që transmeton në breza, historinë, kulturën,traditat, zakonet dhe ndjenjat e komunitetit. Polifonia labe është një thesar kulturor dhe shpirtëror që shoqata Labëria ka ditur ta promovojë si pasaportën e saj në eventet kombëtare e ndërkombëtare. Në mbyllje të shkrimit desha të citoj thënien e Profesor Qoses gjatë një vizite në trevat e Labërisë, që thotë: “Labëria siç e përjetova unë, Labëria shpirtërore është Shqipëria natyrore, e kjo domethënë Shqipëria etnike. Dhe po aty, Kënga Labërishte është shembulli më i mirë i ndritshëm i vetëdijes së pa ndarë, i vetëdijes gjithëkombëtare shqiptare.

Jubileu i 25- të i Shoqatës Labëria, ishte një ceremoni festive ku u këndua nga grupet labe si Ansambli “Çipini”,”Mjeshtër i Madh” grupi i Armenit të Vlorës dhe grupi i Golemit të Gjirokastrës, nga këngëtar të Malësisë së Madhe si 12 vjeçari Gabriel Raposhi dhe johana Legisi si dhe recituan aktorët e mirënjohur Margarita Xhepa, “”Nderi i Kombit” dhe Bujar Asqeriu “Mjeshtër i Madh” të cilët u prezantuan plot elegancë nga moderatoria Silvana Braçe. Festën e 25 vjetorit e përshëndeti dhe Akademiku Kosovar Profesor Rexhep Qosja, njëherazi Kryetar nderi i Shoqatës Labëria, me një fjalë që u lexua nga Petrit Ruka “Mjeshtër i Madh”, pasi ai nuk ishte i pranishëm për arsye shëndetësore. Në këtë jubile u nderuan nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani dy personalitete të Shoqatës Labëria, si Nën/Kryetari i shoqatës Gafur Duda dhe poeti i talentuar Lirim Dede, pas vdekjes. Njëkohësisht Shoqata Labëria nderoi me Titujt “Personalitet i Shquar i Labërisë”, Agim Rrapaj, Robert Çelo dhe Kastriot Muço, dhe me Titullin “Mirënjohje  të Labërisë”, Axhem Gjonin, Ardian Resulin dhe Kastriot Hadërin.

SHKARKO APP