Shpjegim i koronavirusit me anë të ngjarjes në Çmendinën X

Nga: Kastriot Myftaraj

Çmendina X kishte një famë të madhe si e suksesshme. Sekreti i suksesit të saj kishte të bënte me atë se pacientëve iu ishte krijuar ideja që ata ishin bashkëdrejtues dhe bashkëpunëtorë në funksionimin e institucionit.

Çmendina X funksiononte me anë të një teknologjie të lartë, dhe ishte arritur që pacientët të aftësoheshin për ta zotëruar atë në masën e duhur që kërkonte roli i tyre. Duke kryer këtë rol, pacientëve iu ishte ngulitur ideja se edhe vetë marrja e barnave sipas programit ditor të mjekëve ishte një punë që ata e bënin dhe jo një kurë së cilës i nënshtroheshin.

Dhe Çmendina X mbahej si modeli sesi duhet të ishin qendrat e këtij lloji, nga cdo pikëpamje, mjediset, pajisjet, cilësia e shërbimit. Pacientët përjetonin gjendje të mirëqenies materiale dhe shpirtërore.

Shumë çmendina të tjera, publike dhe private, të cilat vuanin probleme si mungesë bashkëpunimi të pacientëve me personelin e shërbimit, konflikte të pacientëve me njëri-tjetrin dhe me personelin e shërbimit, krime e deri rebelime masive të pacientëve, përpiqeshin ta kopjonin në gjithçka atë që ishte në dukje Çmendina X.

Por pas Çmendinës X, këtij projekti të sponsorëve të cilët nuk donin që t’ u bëhej i njohur emri, fshihej një investim i kompanive proxy të kompanive të prodhimit të barnave, të cilat e kishin këtë institucion si qendër eksperimentale për barnat e reja të prodhuara. Prandaj, pacientët, në cilësinë e tyre si “punonjësh” dhe “bashkëdrejtues” ishin shumë fitimprurës në “punën” e tyre. Kuptohet për kompanitë dhe sponsorët e rremë që qëndronin pas institucionit.

Por erdhi një ditë, ku edhe atje ku rëndom nuk ndodhte asgjë, në Çmendinën X, ndodhi diçka e papritur. Pacientët pësuan masivisht krizë të pashpjegueshme. Ndonëse ata vazhdonin që të bashkëpunonin si më parë për funksionimin e institucionit, tashmë këtë gjë e bënin jo vetëm pa kënaqësinë e mëparshme, por në një mënyrë që paralajmëronte se shpejt do të arrihej deri te kundërshtimi dhe agresiviteti.

Sistemi sipas të cilit punonte institucioni rrezikonte të arrinte në pikën e dështimit të plotë.

Pasi u pyetën gjatë pacientët, dhe u bënë vrojtime ndër ta, u bënë shumë studime, kërkime, u krijuan hipoteza, teori, u krijuan kura të reja, u bënë eksperimente për to, u provuan te pacientët, por pa sukses. Më në fund një studiues tha diçka që i bëri të tjerët të habiten, të qeshin, të kundërshtojnë, të reflektojnë, ashtu si ndodh me të gjitha teoritë e vecanta. Ky studiues kishte arritur në përfundimin se thelbi i krizës ishte se pacientët ishin të mërzitur nga mirëqenia, iu ishte bërë bajat ajo. Ashtu si njeriu kërkon të shijojë skajet e shijes, kripën dhe sheqerin, po ashtu kërkon në jetë jo veç mirëqënien dhe stabilitetin, por edhe rrezikun dhe përmbysjen.

Drejtuesit e klinikës e kundërshtuan kolegun duke i lejuar vetes edhe talljen e fshehur pas eufemizmave të frazave akademike. Këtë teori mund ta rrëzojmë fare lehtë në praninë e kolegut tonë, thanë ata, për këtë do të mjaftonte që të cënohej sadopak mirëqënia e tyre, duke u krijuar disa çrregullime në plotësimin e nevojave materiale të pacientëve, për të cilat ata tashmë janë mësuar që t’ u përmbushen në mënyrë rutinore. Dhe do ta shikoni pastaj reagimin e tyre.

Studiuesi nënqeshi dhe tha se nuk kishin kuptuar asgjë nga ato që kishte thënë, gjë për të cilën fajësoi vetveten duke thënë se nuk ishte shpjeguar mirë. Për t’ ua shpjeguar më mirë idenë e tij, do të bënte një krahasim të shprehur si pyetje: Si ndodhte që në revolucionet politiko-shoqërore të shkaktuar nga varfëria, forca më radikale revolucionare, njerëzit më të egër, nuk vinin nga shtresat e varfra të popullsisë por ishin njerëz të cilët nuk e kishin njohur varfërinë? Sipas standardeve të shoqërisë së tyre këta ishin njerëz të cilët jetonin në mirëqënie dhe ishin radikalizuar sepse iu ishte mërzitur mirëqenia. Diçka e tillë po ndodhte edhe në Çmendinën X.

Pas këtyre fjalëve askush nuk diti çfarë të thoshte për të kundërshtuar. Në heshtjen e thellë që pasoi u dëgjua drejtori i Çmendinës X të pyesë:

-Ju profesor, a keni edhe një kurë përveç shpjegimit?

-Po, e kam,- u përgjigj tjetri, -do t’ i shëroj pacientët e tu me anë të një halucinacioni që do t’ ua shkaktoj atyre.

-Halucinacion?!

-Po, do t’ u jap një përzierje barnash që do t’ u krijojë halucinacionin se janë në një Çmendinë nga ato me regjim më të ashpër. Pra ata do ta shohin vetveten në një Çmendinë të tillë, gjatë përditshmërisë së tyre. Domethënë thjesht do t’ i bëj të shohin thelbin e realitetit të cilin juve ua keni fshehur me mënyrat tuaja.

-Dhe si do t’ i shërojë ata kjo gjë?

-A nuk mburreni juve se sekreti i suksesit tuaj është që pacientët mendojnë se nuk janë fare në Çmendinë? Unë do t’ i bëj të mendojnë të kundërtën. Ata do të ankohen te juve dhe ju do t’ u thoni se po përjetojnë një krizë psikologjike si pasojë e mërzitjes nga mirëqenia. Ju do t’ i bindnin se kur t’ iu kalojë mërzitja, zhduket dhe halucinacioni.

Dhe pacientët tuaj do të nisin të mallkojnë veten që nuk e paskan vlerësuar sa duhet atë të mirë që kishin më parë. Paskemi qenë shumë mirë dhe nuk e paskemi ditur! Do të thonë ata dhe nuk do të duan veçse një gjë, që të rikthehet e kaluara e cila i kishte mërzitur aq shumë.

Dhe kur ju ta bëni këtë, thjesht duke iu ndërprerë dhënien e përzierjes së barnave që e shkakton halucinacionin, ata do të jenë të lumtur dhe kujtimi i së keqes që përjetuan do t’ ua largojë çdo grimë mërzie sapo t’ u shfaqet, si të jetë pararendësja e Apokalipsit.

Ideja e Profesorit u vu shpejt në zbatim. Pacientët e Çmendinës X nisën të ankohen masivisht se ata ishin duke përjetuar skena sikur gjendeshin në një Çmendinë, madje në një të tillë me regjim të ashpër, ku infermierët e egër i keqtrajtonin duke i lidhur në këmishën e forcës në dhoma izolimi dhe duke iu bërë elektroshokun.

Madje i keqtrajtonin edhe pacientët e tjerë të cilët kishin krijuar banda dhe i detyronin me dhunë që të gërmonin tokën për të hapur tunele që të arratiseshin nga Çmendina. Gjendja është bërë e padurueshme, ankoheshin pacientët.

Kue kalonte efekti ditor i halucinacioneve personeli i Çmendinës X iu thoshte se kjo ishte symptomë e mërzitjes nga mirëqënia që ata përjetonin në institucionin e tyre. Kur t’ iu kalonte kjo mërzitje do të zhdukeshin dhe halucinacionet.

-A thua vërtet do të ndodhë kështu?- Thoshin pacientët dhe kujtonin me mall të kaluarën, ndërsa makthet përsëriteshin çdo ditë.

Kur kura halucinogjene u ndërpre, u rikthye normaliteti për pacientët e Çmendinës X, të cilët tashmë ishin shumë të dëshiruar për mirëqënien e atjeshme, dhe nuk kishte gjasa të mërziteshin më prej saj. Pengesë e sigurt për këtë ishin kujtimet e maktheve të përjetuar sikur kishin qenë pacientë çmendine

SHKARKO APP