Shpjegimi i detajuar i Tatimeve: Pse po e ndryshojmë sistemin aktual të kasave fiskale

Reforma e re fiskalizimit që do të nisë të aplikohet pas pak muajsh tashmë në fazën e konsultimit publik. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në faqen zyrtare të saj ka shtuar informacione lidhur me risitë dhe nevojën e kësaj reforme.

Mëposhtë shpjegimet e Tatimeve:  

Cilat janë rezultatet e pritshme?

Taksat – Mbledhje më e mirë e taksave në shkallë vendi, ku zëri kryesor mbetet Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Duke iu referuar rezultateve të arritura në vendet e tjera që zbatojnë këtë sistem, në mbledhjen e TVSH-së janë regjistruar rritje nga 10-15%, krahasuar me të ardhurat nga TVSH-ja, përpara aplikimit të këtij sistemi. Rritje priten edhe në kategori të tjera taksash (psh. Taksa mbi të Ardhurat).

Ulje e informalitetit – duke përmirësuar dy aspekte kryesore – raportimi i më shumë transaksioneve me para në dorë dhe ulja e transaksioneve të fshehura pa para në dorë, me një kontroll më të mirë të sistemit fiskal, do të reduktohet informaliteti në ekonominë shqiptare.

Rritje e efiçencës në raportimin tatimor – me më shumë informacion të mbledhur nga një tatimpagues, Administrata Tatimore do të jetë në gjendje t’i ofrojë një shërbim më të mirë tatimpaguesit, si plotësim paraprak i faturave të TVSH-së me të dhëna tashmë të gatshme të tatimpaguesit. Kjo do të përshpejtojë raportimin tatimor dhe reduktojë gabimet në këtë proces.

Përmirësim i kontrollit tatimor dhe verifikimit në terren – duke përdorur sistemin e fiskalizimit, mundësohet kontrolli dhe inspektimi tatimor mbi bazën e riskut, çka do të rezultojë në identifikimin e drejtëpërdrejtë të abuzuesve, duke shmangur kështu inspektimet në bizneset e rregullta.

Angazhimi qytetar – përmes verifikimit të faturave që paguajnë, – nëse janë deklaruar apo jo në sistemin tatimor, – vetë qytetarët ndihmojnë dhe bëhen pjesë e luftës kundër informalitetit dhe abuzimit të atyre që punojnë në të zezë. Në planifikojmë gjithashtu shpërblime konkrete, për të motivuar përfshirjen qytetare në këtë proces.

Digjitalizimi i ekonomisë – përmes përmirësimeve në programin software të fiskalizimit, zgjerohet mundësia për të shtuar digjitalizimin e proceseve në pikat e shitjes, veçanërisht për tregun e SME në vend. Kjo do të çojë në një ekonomi sa më pak burokratike, me lehtësi të shtuara në këmbimin e informacionit mes biznesit dhe qeverisë dhe bizneseve me njëri-tjetrin po ashtu.

Pse po e ndryshojmë sistemin aktual?

Sistemi aktual i pajisjeve fiskale në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve mundëson që të dhënat financiare te merren nëpërmjet transmetimeve të raporteve tatimore ditore “Z”. Aktualisht pajisjet fiskale transmetojnë të dhëna në sistemin qendror nëpërmjet GPRS, në fund të ditës së punës dhe jo në kohë reale. Sistemi i instaluar në 2009, mbështetej në teknologjinë e asaj kohe, por nuk arrin standartet që kanë aktualisht shumica e vendeve të Bashkimit Europian, sidomos duke e vlerësuar në pikëpamje të efektivitetit të kostos si për taksapaguesit ashtu edhe për Qeverinë.

Ky sistem i ri do të krijojë një mekanizëm të mbikëqyrjes në kohë reale, të pajisjeve fiskale që operojnë me para në dorë dhe atyre pa para në dorë. Ai mundëson për qytetarët që të mund të verifikojnë në kohë reale nëse fatura që kanë marrë, është raportuar në sistemin tatimor dhe për administratën tatimore kontroll efektiv dhe analizë të saktë e të thelluar të të dhënave tatimore.

Sistemi i ri i mundëson çdo qytetari të verifikojë menjëherë pas lëshimit të faturës, nëse ajo është raportuar në sistemin tatimor qendror. Ky proces realizohet duke skanuar me telefon bar kodin unik të faturës dhe dërgimin e tij të menjëhershëm në departamentin përkatës të taksave. Në çastin që departamenti I taksave merr kodin, do të përgjigjet duke konfirmuar nëse kodi përkatës ekziston në databazë bashkë me detajet e faturës përkatëse. Ky verifikim i mundëson qytetarëve të dinë nëse fatura për të cilën kanë paguar është raportuar në sistemin tatimor, ki gjithë ky proces rrit transparencën në të bërit biznes dhe ndihmon qeverinë për të luftuar evazionin fiskal, duke qenë lehtësisht i verifikueshëm mashtrimi tatimor ose mos deklarimi I faturave.

Për Administratën Tatimore, sistemi i ri jep mundësinë e analizës së qendërzuar dhe efektive, për të modeluar qasjen e modulit të riskut. Kjo do të thotë që sjelljet e dyshimta do të identifikohen lehtësisht dhe do të orientojnë identifikimin real të abuzuesve, duke shmangur inspektimet dhe kontrollet e gjeneralizuara, të cilat penalizojnë bizneset e rregullta.

Ndryshimi i teknologjisë është i domosdoshëm, për sa kohë pajisjet aktuale mbështeten në teknologjinë 2G/3G dhe po zëvendësohen në të gjithë Europën. Për t’u siguruar që të shmanget varësia ndaj një modeli specific teknologjik, sistemi i ri nuk mbështetet në një model konkret (p.sh. pajisje Hardware ose Software), por në standarte të hapura që ofron aksesi me internetin.

Kjo qasje teknologjike do të thotë se fiskalizimi është i bazuar në software dhe procesi mund të implementohet lehtësisht në të gjitha paisjet egzistuese (pa patur nevojë për një paisje HW secondare vetëm për të operuar brenda sistemit të fiskalizimit). Në terma afatgjatë kjo ul ndjeshëm kostot e teknologjisë për taksapaguesit.

Pse është zgjedhur ky model fiskalizimi?

Modeli i ri shqiptar i fiskalizimit është zgjedhur duke u bazuar në analizimin e modeleve të ndryshme të aplikuara sot në botë. Ekspertë nga Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, AKSHi dhe institucione të tjera, vlerësuan opsione të ndryshme teknike dhe financiare.

Modeli i bazuar në këtë sistem fiskalizimi është përzgjedhur pasi garanton aplikimin e teknologjisë më të fundit, bazuar në standartet e Bashkimit Europian dhe me mundësi më të mira përshtatje për strukturën e ekonomisë shqiptare. I njëjti model është aplikuar në shumë vende të BE-së vitet e fundit si në Koraci, Slovaki, Çeki, Sloveni etj.

Ky model i zgjedhur konsiderohet si më i avancuari dhe më i lehti në zbatim.

Përse na shërben fiskalizimi?

Nuk është një taksë e re – Ligji që propozohet dhe ndryshimet që ai sjell, nuk prodhojnë asnjë ndryshim në skemën aktuale të taksave. Për të gjithë tatimpaguesit që deklarojnë dhe paguajnë këto detyrime, nuk ka asnjë ndryshim në peshën e detyrimeve të tyre.

Fiskalizimi ka në fokus ata që nuk deklarojnë dhe nuk paguajnë detyrimet e tyre në përputhje me ligjin. Me këtë proces të ri të raportimit financiar, ne sigurojmë një kontroll më të mirë dhe inspektim më efikas tatimor, ndërsa i jepet mundësia çdo qytetari, që të verifikojë nëse taksat që ai paguan për mallrat dhe shërbimet, deklarohen në sistemin tatimor.

Na ndihmon të ulim taksat – me projektin e fiskalizimit ne reduktojmë ekonominë informale. Kështu sigurohemi që më shumë individë, të cilët aktualisht ushtrojnë aktivitet në të zezë, pa deklaruar dhe paguar detyrimet, tani do t’i paguajnë detyrimet e tyre.

Në një ekonomi informale, ata që paguajnë mbajnë peshën edhe për ata që nuk paguajnë. Formalizimi i ekonomisë zgjeron rrethin e tatimpaguesve, duke ndërtuar kështu shanse reale për uljen e taksave.

Personat që nuk paguajnë taksa, po vjedhin nga të gjithë ne – tatimpaguesi që nuk paguan detyrimet e tij, është duke vjedhur çdo qytetar shqiptar. Mbledhja e taksave ka lidhje të drejtëpërdrejtë me investimet publike; rrugë, shkolla, spitale, parqe, etj.

Çdonjëri prej nesh sa herë paguan për një shërbim apo mall, paguan edhe detyrimin e TVSH-së. Kur biznesi nuk e deklaron, këto të ardhura në vend që të rrisin buxhetin e shtetit dhe në këtë mënyrë investimet publike, humbasin në xhepat e atyre që abuzojnë me paratë tona.

Nuk ka ndryshim për tatimpaguesit e rregullt – për tatimpaguesit e rregullt ky projekt nuk sjell asnjë ndryshim thelbësor. Ata do të duhet të modernizojnë formatin e tyre të raportimit me një teknologji të re, por pa afekt në veprimtarinë e tyre të biznesit dhe shumë pak, ose aspak efekt financiar.

Na ndihmon të identifikojmë parregullsitë – Sistemi i ri do t’i japë mundësinë çdo qytetari të verifikojë nëse fatura, për mallin apo shërbimin që ka paguar, është raportuar në sistemin tatimor. Me hapa shumë të thjeshtë, duke skanuar parametrat unikë të faturës, ju do të jeni në gjendje të verifikoni, nëse ajo është raportuar në sistemin tatimor. Kështu do të keni mundësinë të ushtroni të drejtat tuaja si qytetar dhe të denonconi kur dikush lëshon një faturë të parregullt.

Modernizon biznesin tënd – sistemi i ri i fiskalizimit e shtyn të gjithë ekonominë të përdorë më pak letër dhe burokraci, drejt një sistemi elektronik transaksionesh. Ky system i ri modernizon të gjithë ekonominë, duke rritur efiçencën e saj.

Anëtarësimi në BE – modernizimi i sistemit tatimor, transparenca në të bërit biznes, përdorimi i faturës elektronike (e-fatura – në përputhje me normat e Bashkimit Europian), janë të gjitha parapërgatitje të domosdoshme, që do të na ndihmojnë në rrugëtimin tonë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Të shmangim jo -paguesit – me sistemin e faturës elektronike (e-fatura), është më e thjeshtë për të gjurmuar pagesat dhe për të identifikuar kompanitë që gjenerojnë paaftësi paguese duke mos paguar faturat në periudhën e detyrueshme. Le të zbulojmë jo –paguesit që cënojnë të gjithë sistemin financiar të vendit.

https://www.tatime.gov.al/c/424/fiskalizimi

SCAN

SHKARKO APP