“Shqipëria dhe shqiptarët në Europën e Piut II”, prej Aurel Plasarit

 

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama
 
 
Në “Parafjalen” e librit, të studiuesit A. Plasari lexojmë: “Karta europiane e identitetit e shqiptarëve”: edhe kështu mund të titullohej ky libër për nga rëndësia kulturore-historike që paraqet pozicioni i Arbërisë dhe i arbërve në veprën e Enea Silvio Piccolominit, veçan te De Europa e tij, por edhe në pjesën tjetër të saj. Përfshirja në Europën e tij si e pjesës së saj perëndimore, ashtu edhe e asaj lindore, – çfarë e zhdukte tendosjen e dikurshme mes Lindjes dhe Perëndimit si pa baza reale gjeografike, historike, kulturore, – i mundësoi vizionit politik të Piut II t’ua pohonte sa arbërve, aq edhe Arbërisë vendin e tyre në konstruksionin e Europës humaniste. Nga studiuesit e historisë europiane të shqiptarëve kjo situatë pothuajse nuk është vënë re”.
Studimi i Plasarit sjell një nga figurat e shquara të humanizmit evropian, Enea Silvio Piccolomini (Papa Piu II), i cili  aktualizoi konceptin Europë, të trashëguar nga mitologjia dhe tradita mesjetare, duke e mbushur atë me përmbajtje të re dhe duke përuruar vizionin e një Europe si bashkësi gjeografike, historike, kulturore dhe – sidomos – politike, të panjohur si të tillë deri përpara tij. Meritë e posaçme e librit është interpretimi, sipas dokumenteve të kohës, të pozicionit ndërkombëtar të arbërit dhe Arbërisë, në kapërcyellin e Mesjetës së vonshme dhe Kohës së Re. Midis të tjerash, kreu “Albania”, nga më të rëndësishmit e librit De Europa, sjell vlerësimin e Papës Piu II mbi botën arbërore si dhe raportin e veçantë, bashkëpunues dhe besues, me Skëndërbeun. Lidhja e interesit të Arbërisë me pjesën tjetër të Europës rezultoi një konstante e politikës së tij.
Vepra e A. Plasarit interpreton humanistin Enea Silvio Piccolomini mbi një Europë të përftuar si njësi e harmonishme kulturash, ndërsa në praktikë, me veprimet e tij si Kryeprift, vijonte të mbronte idenë e Republica Christiana-s, që do të thoshte të unifikuar mbi idealin e një kryqëzate të llojit mesjetar. Por edhe në këtë kundërshti konceptuale Enea Silvio rezultoi përfaqësues, pothuajse me të tëra karakteristikat, i historiografisë humaniste të lëvizjes së Rilindjes europiane. Studimi ka vlera të posaçme si në zbulimin e personalitetit të jashtzakonshëm të Piu II, ashtu edhe të lidhjeve historike të shqiptarëve me frymën dhe përkatësinë evropiane.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?