Shqipëria, oturaku i botës

 

Dr. Bledar Kurti –

Një univers pa fillim e pa fund; miliona galaksi; miliarda yje; tetë planete (i nënti mendohet se është zbuluar së fundmi); shtatë kontinente (ndonëse disa mendojnë se janë gjashtë pasi Evropa dhe Azia janë të lidhura); pesë oqeane; shtatë detra; dyqind shtete; me mijëra ishuj; 40,000 km perimetër glob; dhe shqiptarëve u ra për pjesë të lindin e ngordhin në këtë oturak. Jo oturak gjeografik, pasi natyra shqiptare është perlë e Mesdheut, por një shurrëhane mendore, shoqërore, dhe mbi të gjitha politike.

Xhisiela, Babale, aparate në xhep që matin cilësinë e ushqimeve nga banania e deri tek buka, deputetë që meritojnë çmimin OSCAR si aktori më i mirë por edhe çmime si aktori më i keq, për akuzat për lidhjet me krimin, analistë në skicojnë rrjedhën e debatit politik të cilët e dredhin sy për sy herë me Metën, e herë me Ramën, e ku i dihet edhe me Bashën, ekzekutime profesionistësh mbi jetë njerëzish, çitjena kryeministrore, narkozë opozitare, shtet kushtetues pa gjykatë kushtetuese, peshkatarë të huaj që lajmërojnë njerëzit të dalin në breg se po kapen peshkaqenët, por vetëm cironkat që kanë humbur rrugën zihen në rrjeta, shkolla të mbyllura, degë universiteti të dënuara me vdekje, të rinj që avullojnë jashtë kufijve, prindër që avullojnë jashtë kufijve bashkë me të rinjtë e tyre, biznese në faliment, shpresa zero, punë s’ka, dhe BE-ja shumë e shumë larg, jo për t’u bërë anëtarë me të drejta të plota e bashkëqytetarë evropianë, jo, jo, për t’ia plasur e ikur e për të ndërtuar një jetë të re larg pshurrësve të këtij oturaku.

Cilët prej tyre të lindur përpara brezit të makiatos e imagjinonte në fillim të viteve 90-të se Shqipëria do përfundonte në një oturak të tillë? Nuk ëndërronim utopi, e as Disneyland, por absolutisht një Shqipëri tjetër nga kjo që kemi sot. Një Shqipëri me njëmijë të zezat, por ende plot shpresë.

“Mund të ishte bërë ky vend,” më tha para pak ditësh i indinjuar një nga të 140-ët e kuvendit të Shqipërisë. “Kam besim se mund të ishte bërë. Po mos t’ia kishte pirë gjakun politika e ta kishte tharë deri në palcë këtë vend, ne do ishim sot si vendet e Evropës perëndimore.” Unë nuk u pajtova aspak. E kundërshtova. “Jo, zotëri, jo. Ndoshta Shqipëria mund të kishte ndryshuar shumë ose mund të kishte ndryshuar pak, kjo nuk ka asnjë rëndësi, kjo nuk është çfarë i është dashur këtij vendi. Shqiptarët kanë patur nevojë vetëm të shikonin një pushtetar, një të vetëm, që të tregonte dëshirën më të vogël për ta bërë këtë vend. Kjo do i jepte shpresë një kombi të tërë, dhe ndryshimin do e kishin bërë vetë shqiptarët. Por e kundërta ndodhi. Ndaj edhe sot jemi në një oturak.”

Njeriu ka mesatarisht 25,000 – 50,000 mendime në ditë. Shqipëria është në gjendjen e sotme pasi as edhe një mendim brenda “kokave të mëdha” nuk shkon për të. Të gjitha mendimet shkojnë tek tenderat, fiset e forta, gomonet, zgjedhjet e ardhshme, dashnoret, propaganda, e gjëra të tjera që shërbejnë si ushqim për egon dhe xhepin e titullarëve. Ndaj edhe vendi më i varfër në Evropë ka politikanët më të pasur në botë. Ndaj edhe natyra më e pasur në Evropë ka banorë me paga e standarde jetese më të ulëtat në botë. Ndaj edhe të pashkolluarit që s’dijnë të shkruajnë as emrin e tyre bëhen ministra e deputetë e kryetarë bashkie. Ndaj edhe ky vend bën bujë e jehonë për kanabis por nuk bën dot histori mendimi e zhvillimi.

Ironia më e madhe është kur vazhdojmë të shtiremi si dikur, si pishtarë ndriçues të kontinentit e më gjerë. Si dashnorë të historisë së shkuar e heronj të asaj që do të shkruhet, duke fyer kështu atë të zgjuarin apo intelektualin që i ka lexuar ca libra, i cili tundohet e shtyhet të imagjinojë Rusvelt-in apo Çurçill-in të marrë 20% nga tenderat e uniformave të ushtarëve që do shkonin në luftë me nazistët, 30% nga tenderat e urave, rrugave, pistave të reja të avionëve që do përlesheshin në ajër me armikun, 25% të tenderave të furnizimeve me ushqime për ushtarët që po vdisnin në llogore, 32% të ilaçeve e pajisjeve mjekësore nëpër spitalet ku kuroheshin heronjtë e plagosur të luftës, e pasi të siguronte përqindjet e veta, presidenti amerikan apo premieri britanik do uleshin me horrat dhe vagabondët e Uashingtonit dhe Londrës. “E ç’na sjell këtë paralelizëm,” mund të mendojë dikush, “ato ishin kohë ekstreme,” por a nuk është ekstreme që fëmijët tanë zhvaten dhe jeta e tyre rrezikohet në çdo aspekt, për shkak të X%  apo Y% në tendera? Dhe në kohë ekstreme, siç na dëshmon historia, përse nuk dalin drejtues historikë si kudo në botë, por na dalin drejtues më ektremë sesa kohët që po jetojmë.

E gjithë politika shqiptare e ka humbur garën me historinë. Asnjëri prej tyre nuk do ketë vend në të. Asnjë nga politikanët e tre dekadave të fundit. As edhe një dëshirë e vogël apo e madhe nuk ia fal mëkatet e nuk i mjafton për të hyrë në histori.

Sa shtetarë ka patur ky vend, e që nuk mbahen më mend, e madje edhe në Google nuk gjenden! Brezi i ri nuk njeh më as Enver Hoxhën që u vrau gjyshërit e u la pa bukë prindërit e jo më juve! Sapo të humbisni zgjedhjet, apo lëroheni nga detyra. Vetëm kaq. Fluska juaj e pushtetit vdes aty. Por, nëse ju kryeni një akt shpagimi. Një akt, një të vetëm, që u jep shpresë shqiptarëve që ky vend mund të bëhet, dhe ta nxirrni nga ky oturak i përmjerrë nga korrupsioni, atëherë jo vetëm do hyni në histori por edhe në vetë zemrat e shqiptarëve, të cilët, më falni pë lajmin e keq, ju kanë bërë lanet me kohë.

SHKARKO APP