Shqipëria përgatitet të legalizojë kanabisin, Maqedonia e Veriut që e bëri 4 vite më parë është penduar
Shqipëria po përgatitet të legalizojë prodhimin e bimëve narkotike për qëllime mjekësore, në një kohë kur ende vazhdon kultivimi i paligjshëm dhe trafikimi i marijuanës.
Shumica socialiste kundërshtoi disa vite më parë propozimin e politikanit socialist Koço Kokëdhima për legalizimin e saj.
Por, sot ajo angazhohet ta miratojë ligjin brenda këtij sesioni parlamentar.
Maqedonia e Veriut, që e nisi më herët këtë rrugë4 vjet më parë me shpresa të mëdha për fitime ekonomike, nuk ka të dhëna optimiste dhe sot optimizmi atje është zbehur ndjeshëm.
“Mendoj se prishmëritë nuk janë arritur as për së afërmi. E them këtë nga shkaku se në vitin 2016 ky lloj biznesi u paralajmërua me pompozitet të madh, projeksionet ishin se brenda një viti do t’i sillte vendit një fitim të pastër prej 100 mln euro dhe se Maqedonia do të shndërrohej në një lloj superfuqie evropiane por edhe botërore në prodhimin e kanabisit. Kishte një eufori të themi në mesin e investitorëve dhe biznesmenëve dhe një pjesë e madhe e tyre vendosën të investojnë në këtë degë të re të biznesit në Maqedoninë e Veriut.
Por, 4 vite më pas mund të them se pjesa më e madhe e tyre janë të dëshpëruar pasi nuk kanë arritur të kthejnë as për së afërmi investimin. Është një aktivitet që ende nuk është duke lulëzuar si duhet, ende nuk është duke hapur vende të reja të punës, ende nuk është duke reflektuar aq sa pritej në shoqërinë e Maqedonisë së Veriut dhe nga kjo perspektivë kohore nuk mund të flasim për ndonjë impact social” – thotë për VOA gazetari investigativ në Maqedoninë e Veriut, Xhelal Neziri.
Ndërsa studiuesi Zef Preçi thotë se informaliteti i lartë në ekonomi nuk e ndihmon suksesin e kësaj nisme, madje ajo mund të sjellë edhe efekt “boomerang”.
“Mendoj se duhet parë në dy këndvështrime të ndryshme. Së pari, prania e kanabisit në ekonominë tonë kombëtare dhe roli i këtij burimi informal dhe kriminal parash dhe së dyti, përpjekjet e qeverisë për të shtuar të ardhurat buxhetore në periudhë krize. Mendoj se kjo është një përpjekje e qeverisë, ndoshta më shumë si një sinjal politik duke qenë se jemi në vit elektoral, pasi dihet që ekonomia shqiptare ka rreth gjysmën e saj informale. Do të thotë që pamundësia e qeverisë për të mbledhur taksat është evidente dhe futja e komponentëve të kësaj natyre do të deformojë, sipas mendimit tim edhe kulivimin e bimëve bujqësore, deri të çmimi i bukës mund të pësojë rritje për shkak të orientimit drejt fitimit” – tha zoti Preçi.
Liberalizimi i kanabisit mjekësor, për disa shihet si një nismë e vonuar që do t’i sillte Shqipërisë të ardhura të kënaqshme, por pjesa tjetër e konsideron si një nismë me rrezik të lartë që shkon në raport të zhdrejtë me situatën.
Shqipëria vijon të konsiderohet si vend prodhues në masë i kanabisit nga agjenci ndërkombëtare që kanë në fokus kriminalitetin dhe lëndët narkotike; informaliteti ekonomik dhe brishtësia e institucioneve e shtojnë dozën e skepticizmit mbi nismën e paralajmëruar.
/Ora News