Shqipëria përmes objektivit të një juristi gjakovar

Nëntor Oseku, djali gjakovar që nuk pushon së udhëtuari në viset e Shqipërisë. Kush është juristi 33-vjeçar që fotografon bukuritë natyrore të vendit. Çfarë e lidh avokatin me udhëtimet dhe çfarë përfiton ai prej kësaj. Zbuloni nëpërmjet fotografive terapinë e një juristi që gjithë javën e kalon mes gjyqeve…

Një djalë si Nëntori nuk e takojmë shpesh. Ai është jurist në profesion, ka katër vite që punon në Gjykatën e Gjakovës. Pasioni i tij më i madh është të udhëtojë. Njëra fundjavë e tij nuk i ngjan tjetrës. 33-vjeçari nga Gjakova e njeh Shqipërinë, jo nga ato çka ka mësuar në libra, por nga fakti se pjesën më të madhe të saj e ka shkelur me këmbë.

Nëntor Osekut i mjafton një çadër për të fjetur nën qiellin më të bukur, të cilin e ka gjetur në Gjirin e Gramës, në jug të vendit, dhe nuk i duhet asgjë më shumë për t’u zgjuar magjishëm mes maleve në veriun e Shqipërisë.

Shoqëruesi i tij më i mirë është aparati fotografik, më të cilën ai fikson vende dhe momente që rrallë mund t’i shohim në të përditshme. Madje, dy vite më parë në një konkurs të organizuar nga Ministria e Jashtme, “Colours of Albania”, ka marr çmimin e parë.

Në këtë fillim sezoni veror, ku plazhet po fillojnë të popullohen ne ftuam Nëntorin në këtë bisedë në Dita, për të na treguar Shqipërinë nga objektivi i tij, por edhe për të na zbuluar vende që çdo kush prej nesh mund t’i vizitojë.

Me anë të kësaj bisede ne njohim më shumë Nëntorin dhe vendin tonë.

-Një jurist që njihet më shumë për udhëtimet e tij dhe pasionin për fotografinë. Na e shpjego pak këtë lidhje, Nëntor?

Po, unë jam jurist me profesion. Kam mbaruar për drejtësi, kam dhënë provimin e avokatisë, ndërsa tani jam në përfundim të masterit. Kurse ekspeditat dhe fotografinë i kam pasion, të cilat me çlodhin nga puna dhe më bëjnë të ndihem shumë i qetësuar.

Ke vite që merresh më udhëtime. Ke marr edhe çmime në fotografi si promovues i Shqipërisë turistike, mund të na rrëfesh hartën tënde të udhëtimeve deri më tani?

Harta e ime e udhëtimeve deri me tani: duke filluar nga Thethi në veri, bjeshkët dhe lugina e Valbonës, zona Nikaj-Mertur, liqeni i Komanit, lumi i Shalës, qyteti i Shkodrës, Lezha e Kruja me të gjitha monumentet e veta kulturore historike, kanioni i Brarit, kanioni i Erzenit, Kepi i Rodonit, qyteti i Durrësit, Tirana, Elbasani, Berati, kanioni i Osumit, Korça, Voskopoja, fshatin turistik Dardhë, Pogradecin, Tushemishtin, Drilonin, e deri te Vlora, gadishulli i Karaburunit (imazhe nga plazhe të virgjëra) Himara, Borshi, Buneci, Lukova, gjiri i Kurorëzës, Saranda, Syri i Kaltër, Gjirokastra, Përmeti, Ksamili, Butrinti, Konispoli, ishujt Tongo dhe Stile.

-Nuk lodhesh?

Udhëtimet e mia i kam bërë nga dashuria e madhe që e kam për Shqipërinë. Asnjëherë nuk kam menduar që këto udhëtime t’i materializoj për përfitime materiale. Arsyeja është promovimi i Shqipërisë përmes fotografive duke vizituar vende të bukura dhe uroj që në të ardhmen ta kem Pasaportën e Shqipërisë, të cilën e kam ëndërr, që të më bëhet lehtësimi për lëvizje të lirë edhe në Europë duke hapur ekspozita të bukurive natyrore dhe kulturore të Shqipërisë, duke dhënë kontributin tim edhe në promovim global të turizmit shqiptar.

-Vështirësia më e madhe që ke hasur në udhëtim?

Dua ta ceki një moment kur kam qenë shume i mërzitur me rastin e vrasjes te dy turisteve çek në Prekal të Shkodrës. I goditur rëndë nga ky akt, pas dy ditësh vendosa ti ngjitem Majës së Jezercës për herë të dytë, ku në shenjë të nderimit dhe të respektit për dy turistët çek, ngrita flamurin e Çekisë në këtë majë.

-Nëntor, ti punon në Gjykatën e Gjakovës apo jo, na trego pak, si të del koha?

Gjatë ditëve të javës jam në punë kurse të shtunave dhe dielave e kam pushim nga puna. Unë udhëtimet çdoherë i bëj të shtunave dhe të dielave. Çdoherë ditë e fundjavës i kam të destinuara për ekspedita, që të rikthehem të hënën në punë me energji pozitive nga udhëtimet.

-Po pse zgjodhe juridikun?

Si fëmijë më ka pëlqyer çdoherë drejtësia. Këtë e kam pas synim për profesionin tim të ardhshëm, kurse udhëtimet bashkë me fotografinë çdoherë i kam parë sikur pasion-hobi i imi i cili do të më ndihmoj në profesionin tim që të jem i relaksuar dhe me energji në fushën e drejtësisë.

-Ti ke parë shumë… si është ky vend në objektivin tënd?

Kam parë shumë vende të bukura në Shqipëri por mendoj akoma t’i vizitoj disa pjesë të tjera jo shumë të frekuentuara. Kam qenë në Europë dhe SHBA, jo që këto dy kontinente nuk janë të bukura por zemra çdoherë më rreh për Shqipërinë e cila ka vende mahnitëse.

Nëntor, ti shpesh udhëton më çadër me vetë, cili është qielli më i bukur që ke parë ndonjëherë dhe ku?

Udhëtimet i bëj më shumë në çadra dhe nuk i parapëlqej shumë hotelet. Qiellin më të bukur e kam parë te Gjiri i Gramës në Gadishullin e Karaburunit kurse mëngjesi dhe perëndimin më të bukur më shumë e shoh nëpër plazhe dhe në malet e veriut të Shqipërisë kur jemi me çadra në lartësi mbi detare mbi 1000 metra.

-Vështirësia më e madhe që ke hasur në udhëtim?

Vështirësia më e madhe ka qenë në fshatin Curraj i Epërm në zonën e Nikaj-Mërtur kur për herë të parë e bëmë këtë ngjitje. Në vend që ta marrim një shteg që është i frekuentuar nga banoret, në e kemi ngatërruar shtegun dhe kemi shkuar në një shteg i cili ka vite të tëra që nuk është i frekuentuar. Kështu që për të arritur në fshatin Curraj i Epërm kemi bërë dy ditë rrugë.

-Ke menduar për pushimet e kësaj vere apo ti je vazhdimisht me pushime?

Pushimet e mia më shumë janë gjatë fundjavës. Për këtë vit kam plan t’i gërshetoj pak nga mali duke filluar nga Thethi dhe të dalim në bjeshkët e Malit te Zi dhe fundjave t’i kaloj te plazhet e virgjëra të jugut të Shqipërisë.

/Marrë nga gazeta Dita/

SHKARKO APP