Shqiptarët bëhen më artdashës – Rritet me 73% numri i spektatorëve, arrin në mbi 30 600 frekuentues

Pjesa më e madhe e institucionet kulturore në vend rritën aktivitetin e tyre gjatë tremujorit të tretë të këtij viti. Referuar të dhënave të INSTAT mbi kulturën, gjatë kësaj periudhe numri i shfaqjeve kulturore ishte 94, duke u rritur me 42.4% krahasuar me po të njëjtën periudhë të një vitit më parë. Ndërkohë, në rritje me 73% nga një vit më parë është evidentuar edhe numri i spektatorëve, i cili gjatë këtij tremujori të tretë është 30 622.

Numrin më i lartë i shfaqjeve për këtë periudhë i takon Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, e cila ka vënë në skenë 41 të tilla, ndërsa ka shënuar një rritje me 127.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, ka regjistruar po ashtu edhe numrin më të lartë të frekuentuesve, 5 350 në muajt Korrik-Shtator, 94.1% më shumë se në të njëjtën periudhë të viti paraardhës.

Edhe Teatri Kombëtar Popullor dhe ai Eksperimental kanë rritur ndjeshëm numrin e shfaqjeve, duke vënë në skenë respektivisht 15 dhe 16 të tilla. Ndërsa frekuentuesit e tyre kanë regjistruar një rritje duke numëruar përkatësisht 5748 (+58.9% më shumë se në T3 2017)dhe 3327 spektatorë gjatë kësaj periudhe,  113.4% më shumë se krahashuar me periudhën korrik-shtator të vitit të shkuar.

Interes të shtuar kanë treguar edhe artdashësit e shfaqjeve të Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, me pjesëmarrje të 6600 spektatorëve, 44% më tepër nga një vit më parë. Nga të dhënat e INSTAT për këtë institucion kulturor, rezulton se në T3 janë realizuar 8 shfaqje në salla dhe ambiente të mbyllura.

Ndërkaq, edhe pse numri ekspozitave në Galerinë Kombëtare të Arteve është reduktuar në 1 gjatë kësaj periudhe, janë 8087 pjesëmarrës që kanë frekuentuar atë, 74.6% më shumë se po në të njëjtën periudhë të 2017-ës. Ndërkaq, me 174.5% është rritur edhe numri frekuentuesve në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, i cili numëron 1510 vizitorë në periudhën Korrik-Gusht-Shtator, ndërsa ka reduktuar edhe numrin e ekspozitave në 13.

Ndërkohë, vizitat në muze, parqe arkeologjike e kala po ashtu kanë parë një interes të shtuar, ku në total numërohen gjithsej 476 051 vizitorë, rreth 43.4% më shumë se krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Të dhënat nuk paraqiten pozitive Bibliotekën Ndërkombëtare, pasi numri i shërbimeve dhe frekuentuesve ka pësuar një rënie gjatë tremujorit të tretë të vitit 2018, respektivisht me 11.4 % dhe 41.4 % më pak krahasuar me po të njëjtën periudhë të vitit 2017.

SHKARKO APP