Shqiptarët që panë ”vdekjen me sy” (FOTO)

Kushdo që përdor rrjetet sociale, mesiguri që i kanë zënë sytë që faqe të ndryshme, kryesisht memesh, e kanë kthyer në qëllim lajmin e ”vdekjeve” të personazheve të njohur shqiptarë. I fundit në grackën e tyre ishte Arian Çani.

“RIP Arian Çani! Mirëmbrëma tokësorë, një lajm i hidhur ka shokuar botën e televizionit dhe jo vetëm. Sot në moshën 50-vjeçare, gazetari dhe prezantuesi karizmatik në Shqipëri, ka ndërruar jetë pas një incidenti në një strip club të Tiranës, i cili ka rezultuar fatal për gazetarin. Nga të pranishmit në vendin e ngjarjes bëhet me dije se i ndjeri, para se të largohej nga kjo formë jete, ka lëshuar një tingull të çuditshëm ‘Pyyyytteehhh”, shkruhej nëpër postimet e rrjeteve sociale.

Aq u desh dhe nëpër portale Çani “pa vdekjen e tij”, i cili reagoi me humor në puntatën e djeshme të “Zonë e Lirë”, duke i falenderuar me sportivitet ata që kishin shkruar letrën e vdekjes. Por jo gjithnjë ka ndodhur kështu.

Pak kohë më parë, ishte Aida Shtino dhe Agron Llakaj ata që u bënë të vdekur krej papritur. Nga aktori i humorit nuk pati ndonjë reagim, ndërsa ish-moderatorja e ”Njerëz të Humbur” reagoi me ironi.

”Askush nuk i ikën ndëshkimit të të pafajshmit….besoj se larg a vonë të gjithë ata që të lënduan pa të drejtë, do të vuajnë… Sot në mëngjes sa ngrihem dhe shikoj një lajm që ishte publikuar në ”mediat” tona se kisha vdekur. Ngela. Mendova me vete mos kam vdekur jam në Parajsë dhe gjithë këtë skenë po e shikoj andej?…Apo mos jam në ëndërr?…Pickova veten të kuptoja…. Isha në rregull. Pulsi më punonte. Zemra po. Isha gjallë. Po kush e publikoi? Pse?”-shkroi ajo në Instagram.

Këto lajme të rreme për personazhet e njohur po kthehen nga portalet në fenomen; një faqe në Instagram me disa ndjekës poston një ”lajm” të tillë dhe gjithçka bëhët virale sa hap e mbyll sytë. Ja për shembull, këngëtari shqiptar nga Kosova, Sinan Vllasaliu, përjetoi ”vdekjen” disa kohë më parë.

Për Stresin gjithashtu qarkulluan lajme se vdiq. S’dihej se nga lindi, se kush e nxori! Të mos flasim për ”vdekjen” e Sabri Fejzullahut, që revoltoi bashkëshorten e Ermal Fejzullahut, Ariana.

”Nuk e kuptova në çfarë vendi të tmerrshëm jetojmë. Ku gazetarët e portaleve janë ata që përcaktojnë atë që Zoti se ka bërë akoma. Sot u mbusha nga mesazhe të ndryshme duke më thënë “Ngushëllime për Sabriun”. Gazetarë, që për disa klikime shpifin gjëra që s’janë të vërteta. Doja t’ju tregoj se i madhi Sabri Fejzullahu është shumë mirë…”-shkroi ajo, duke treguar se një lajm i tillë dashur pa dashur prishi qetësinë e gjithë familjes Fejzullahu. Burimi:/Anabel/

SHKARKO APP