Shqiptarët shpenzojnë më pak se 1 milion euro në vit për kinemanë

 

Kinemaja, apo ekrani i madh siç njihet në të gjithë botën, ka joshur për vite njerëzit, të cilët nën efektin e marketimit të mirë të gjigantëve të prodhimit të filmave, kanë shkuar të ndjekin historinë dhe jetuar eksperiencën.

Por Shqipëria duket ende paksa mbrapa krahasuar me fqinjët e saj ballkanas në frekuentimin e kinemave, ndonëse çmimi mesatar i biletave nuk konsiderohet i lartë, por i listuar i treti në rajon për shtrenjtësi, sipas agjencisë Numbeo.

Menaxheri i Kinema Millennium, Altin Elezaj, tregon se nga viti në vit, ka pasur një rënie të numrit të frekuentuesve, përjashtuar ata klientë besnikë, si pasojë e dy faktorëve kryesorë: shtimit të numrit të kinemave të tjera në Tiranë dhe konkurrencës së pandershme tëwebsite online, të cilat i nxjerrin filmat e fundit, në kohë rekord, edhe të përkthyer.

Ndërsa vështirësisë në treg, administratori i rrjetit të kinemave Imperial ia atribuon edhe mosmbështetjes nga shteti, për të pasur një lehtësim taksash dhe subvencionim për këtë lloj biznesi, siç ndodh jashtëdhe niveli i klientëve nga viti i shkuar ka pasur një rritje thuajse të papërfillshme sipas tij, prej 5%.

Sa i përket sezonit më të pëlqyer nga shqiptarët, vera vijon në trendet e tre viteve më parë, për shikueshmëri më të ulët. Dimri, sidomos fundviti, mbetet më i frekuentuar, ku sipas aktorëve të tregut, edhe filmat janë shumë të mirë.

Shqiptarët shpenzojnë vetëm rreth 800-850 mijë euro në vit për kinema

Të ardhurat nga shitjet e biletave të tre operatorëve kryesorë në vend, Imperial, Millenium dhe Cineplexx ishin rreth 110 milionë lekë në 2013-n, apo rreth 800 mijë euro, ndërsa të ardhurat në total, përfshirë dhe nga reklamat arritën në 145 milionë lekë, me një rritje minimale prej 3% në raport me një vit më parë. Të dhënat janë marrë nga bilancet e kompanive.

Operatorët e tregut pohojnë se dhe 2014-a ka qenë e dobët, duke e çuar tregun maksimumi në rreth 850 mijë euro.

Nga përpunimi i të dhënave, sipas të ardhurave të kompanive nga shitjet e biletave, rezulton se shpenzimi për frymë për bileta kinemaje në një vit në Shqipëri është rreth 0.5 euro, shumë më i ulët se shtetet e tjera. Në Britani psh, sipas të dhënave të statista.com, shpenzimi mesatar për frymë për kinema është 17 paund, apo rreth 23 euro.

Sipas të dhënave të Eurostat, banorët e BE-së mesatarisht shkojnë në kinema 2.4 herë në vit, përkundrejt 5.4 herë që shkojnë banorët e SHBA-ve. Popullsia e BE-së shpenzon mesatarisht 13.7 euro në vit për bileta kinemaje, ndërsa mesatarja e shpenzimeve në SHBA është tre herë më e lartë, rreth 33.8 euro.

Krahas frekuentimit të ulët të kinemave nga shqiptarët, që pranohet dhe nga vetë aktorët e tregut, çmimet shumë të ulëta të biletave tek ne janë një tjetër faktor që ndikojnë në diferencën e lartë të shpenzimeve për frymë.

Shpenzime për frymë për bileta kinemaje në vit

SHBA              33.8 euro

Britania e Madhe        23 euro

BE                               13.7

Shqipëria                    0.5

(Monitor)

SHKARKO APP