Shqiptari në administratën e Londrës

 

PROFIL/Lavdrim Krashi, që prej 15 vitesh në administratën vendore britanike, ka menaxhuar aspekte të ndryshme të politikave të strehimit

Nga Halil RAMA

Çerek shekulli më parë, kur u gjend mes atyre mijëra studentëve që aspironin për një Shqipëri si gjithë Europa, Lavdrim Krashi as që e kishte çuar ndërmend se do të ishte pikërisht ai, shqiptari që do të bënte emër në vendin me demokraci dhe institucione demokratike të konsoliduara. Por do të ishin rezultatet e shkëlqyera në studimet pasuniversitare, master në Kiminë e Mbrojtjes së Ambjentit, që do t’i hapnin atij perspektivën e angazhimit të drejtpërdrejtë në administratën vendore britanike. Pas përfundimit të studimeve, rrethanat e sollën që të qëndronte në Angli. Lavdrim Krashi ka rreth 15 vite që punon në Bashkinë e Londrës, ku ka menaxhuar aspekte të ndryshme të politikave të strehimit.

Aiështë i afërt dhe i respekton njerëzit të cilëve kërkon t’u shërbejë. Këtë respekt e kanë ndjerë nga afërnë kontaktet me të, emigrantët e shumtë shqiptarë në Londër, të cilët kanë parë dhe shohin tek Ladi një dorë të dhembshur,  një zemër të ndjeshme,  një mendje të kthjellët dhe një inteligjencë të devotshme për t’iu shërbyer atyre siç duhet. Njihet si intelektali shqiptar me mentalitet europian, që realisht u hap bashkëatdhetarëve udhën e dyfishtë si për një komunikim të lirë brendakombëtar, si për komunikimin e lirë me Europën e tabuizuar.

Në vizionin e Lad Krashit kujdesi social për bashkëatdhetarët nuk është kurrë i tepërt. Madje ai konsiderohet si një detyrë organike, obligative e familjes, shoqërisë dhe e shtetit, si një tregues i rëndësishëm i modernitetit dhe një nga standardet e qyteterimit. Në kushtet e emigrimit ky kujdes merr një kuptim më të plotë dhe më të gjerë.

Në proces, ka kryer disa kualifikime profesionale në fushën e planifikimit dhe strehimit si “Prince 2 Project Management”, “Politikat e Strehimit dhe Planifikimit dhe Kuadri i tyre Ligjor”, ndërkohë që është anëtar i Chartered Institute of Housing, Royal Institute of Purchase and Supply etj. 

 

Angazhimi me komunitetin zë një vend të veçantë në aktivitetin e  tij në Londër, sidomos gjatë viteve të vështira për shqiptarët e Kosovës 1998-99, deri në çlirimin e saj. Ai shprehet se  nuk ka kënaqësi më të madhe kur ndihmon me këshilla dhe zgjidhje praktike për çshtje të ndryshme që ka komuniteti, ku ai kontribuon si vullnetar me Programin Shpresa, Chrysalis Family Futures, i cili konsiston kryesisht në ndryshimet për sa i takon shërbimeve publike si strehimi, shëndeti publik, e drejta për blerjen e banesave etj. Qellimi i këtyre aktiviteteve është të ndihmojë komunitetin për ingranimin në shoqëri dhe ruajtjen e traditës e kulturës shqiptare edhe ne Angli. Ingranimi kryhet duke ndihmuar njëri-tjetrin në zhvillimin e karrierës së tyre nëpërmjet rrjeteve profesionale, zhvillimin e kurseve të ndryshme, duke ofruar ndihmë për studentet dhe të sapodiplomuarit etj.

Nga ana tjetër komuniteti është shumë i ndjeshëm ndaj dëshirës për të qenë pranë njëri-tjetrit në festa kombëtare kur bashkohen shpesh për të festuar e kujtuar se gjërat që i bashkojnë janë më shumë se ato që i ndajnë dhe që jashtë shtetit janë madje edhe më pranë njëri – tjetrit.

 

LAD KRASHI, NDËR GJASHTË BASHKËTHEMELUESIT E FRESSH-it

 

Lavdrim Krashi që ka hyrë me dinjitet në administratën e Londrës, formimin bazë e ka marrë në shkollën "Skënderbej", pra është gjysëm ushtarak. Më pas ai kreu studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Kjo pasi në atë kohë (vitet 80-të), dhjetë nxënësit me rezultatet më të larta kualifikoheshin në Universitetin Shtetëror për nevojat e ushtrisë. Ai kujton se në atë kohë dega më e pëlqyeshme ishte Inxhinieria Elektronike dhe ndonëse ishte me të gjitha notat 10-ta, shoku i tij i ngushte kishte një përparësi ndaj tij pasi ishte kandidat për anëtar partie, ndaj kjo degë iu rezervua atij. Gjithsesi ai është një nga miqtë e tij të ngushtë edhe sot e kësaj dite.

Megjithë vështirësitë e jetës si nxënës larg familjes, nga mosha 14-18 vjeç, ai ruan kujtime të bukura të atyre viteve kur studjonte në shkollën “Skënderbej”. Ishte një institucion ku u mësuan të duan njeri-tjetrin, të ndanin ato pak gjëra që kishin së bashku, të vlerësonin besnikërinë dhe miqësinë. Atje u brumosën me dashurinë për atdheun dhe kombin. "Beksat", apo "kadetët" siç i thërrisnin njerëzit, midis cilësive të tjera, ishin gjithmonë të respektuar për besnikërinë, drejtësinë, mësimin, forcën fizike dhe mendore, disiplinën. Ai ndjen krenari legjitime për faktin se shumë nga bashkëmosharët e tij janë sot elita e Ushtrisë shqiptare dhe Administratës së lartë publike.

Vitet studentore pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ku studioi për Inxhinier Kimist, kanë qenë të mbushura me plotë ngjarje që kanë ndryshuar rrjedhën e zhvillimeve në vendin tonë dhe më gjerë.

Lad Krashi bën pjesë në atë brez studentesh që i kanë jetuar të dy sistemet, gjysma e parë në fund të viteve 80-të dhe pjesa tjetër në fillim të të 90-tave. Ai përjetoi me dhimbje kohën kur Shqipëria e lodhur nga komunizmi dhe varfëria, u përball me dëshirën për të ndryshuar gjërat, ku protoganistë ishin studentët. Kjo pjesë vitale e shoqërisë, ku bënte pjesë edhe studenti nga Çidhna e Dibrës, i dha shpresën Lëvizjes për ndryshime dhe atëhere kur e tashmja dukej e zymtë, rinia tregoi se e ardhmja ia bënte me sy të shkonte drejt saj me shpresë dhe konfidencë.

Ndonëse ka marrë pjesë në shumë ngjarje të asaj kohe, politikisht Lavdrim Krashi e gjeti veten në anën e Partisë së transformuar në Socialiste. Ai ishte pjesë e një grupi prej gjashtë studentësh (Pandeli Majko, Ilir Zela, Flamur Metollari, Arjan Kokoshi, Haki Morina dhe Lavdrim Krashi) që ideuan së bashku formimin e FRESSH si formacioni më i madh rinor i kohës. Ky forum do t'i jepte frymëmarrje PS dhe jetës politike të vendit. Në këtë angazhim ai, si dhe bashkëthemeluesit tjerë u pritën mirë nga drejtuesit dhe nga forumet e kohës. Ai veçon Pandin që sipas tij ka qenë shumë i hapur dhe kritik në shumë aspekte, aq sa shumë mendonin se "djali nuk ishte i yni" por ishte "Kolonë  e pestë" dhe se ishte çështje kohe para se ai të largohej nga PS-ja. Ndërkohë ai vlerëson faktin që Pandeli Majko ka qenë nga të parët parlamentarë që ka folur pozitivisht për NATO-n në kohën kur pjesa më e madhe e PS-së atëhere mendonte se ajo ishte një organizatë që punonte kundër Shqipërisë. Si për ironi të fatit, Lad Krashi mendon se miku i tij i viteve ’90-të, mbeti dhe është aty ku ishte atëhere. PS ndryshoi dhe moderoi shumë qëndrime dhe shumë nga ata që nuk besonin Pandin janë larguar nga PS për në formacione të tjera politike.

 

BIR I DENJË I NJË FAMILJEJE TË NDERUAR INTELEKTUALËSH

 

Për Lad Krashin, atdheu përfaqëson vlerat me të cilat është rritur, trashëgiminë kulturore të paraardhësve, të njerëzve që do.., përfaqëson vendin ku ndihet gjithmonë “në shtëpi” edhe pse kalon vetëm një muaj në vit atje. Patriotizmi ka rrënjë të thella në mendjen e shpirtin e tij. Kjo edhe për faktin se,siç shprehet ai me nostalgji, ka lindur shumë afër vendlindjes së Skënderbeut dhe në fakt shtepia e prindërve të tij qëndron në kalanë që Heroi ynë Kombëtar e përdorte para fortesës natyrore mbi dy shkëmbinjtë, i Qytetit dhe Harlecit.  Ai e ka të shenjtë familjen, si baza e atdheut të tij. Prindërit e tij kanë patur një etje të madhe për dije dhe arsimim. Të dy ishin të përkushtuar që të gjithë fëmijët të mbaronin universitetin. 

Babai i tij, Mersim Krashi ka qenë një nga emrat shumë të njohur të zonës së Çidhnës, madje edhe më gjerë në gjithë Dibrën. Ai ka spikatur që në moshë të re për zgjuarsinë natyrale dhe të kultivuar, dhe si drejtues në disa vepra zhvillimore, si aeroporti i Rinasit, rruga kombëtare Tiranë-Mirditë-Kurbnesh si dhe në zhvillimet me përgjegjësi gjatë viteve 60, 70 dhe 80. Ata që e kanë njohur nëpërmjet punës e vlerësojnë si një njeri korrekt, të përkushtuar ndaj njerëzve dhe me një intelekt natyror të jashtëzakonshëm. Ishte  biri i Zenel Krashit dhe nipi i Lile Krrashit, një person që ka patur ndikim në zhvillimet e kohës së tij nga vitet 1900-1950, i cili pas një emigrimi disavjeçar në Turqi, u kthye si një njeri i rrallë i kohës që dinte të lexonte dhe përkthente për të gjithë familjarët që kishin nevojë për përkthime si letra, dokumente pronësie etj. Ai mbajti "mihirin e katundit", të gjithë Çidhnës derisa ndërroi jetë.

Nëna e Ladit, Dylbere Krashi është nga Xhediket, kështu ai është nip tek Xhediket në Zall Dardhë, një familje e penës, punës e pushkës ku spikasin kompozitori i famshëm Muharrem Xhediku, Dr. Emin Xhediku, Ing. Elmaz Xhediku etj.

Në familjen e Mersim Krashit me 7 motra dhe vellezër, kur u diplomua vëllai i vogël në 1995, kënaqësia e prinderve ishte krejt e dukshme, së bashku me krenarinë. Në këtë familje të ngushtë ka mjek, inxhinier, mesues, oficer, dhe natyrisht, pasi të gjithë kanë krijuar familjet e tyre, janë shtuar edhe profesione të tjera. Udhetimi i Ladit me Anxhelën, shoqen e tij të jetës, filloi para 17 vitesh dhe familja e tij sot është e kompletuar me fëmijët, Mersimin 15 vjeç dhe Elmën 8 vjeçe. (Jo rastësisht djalin e ka pagëzuar me emrin e babait, në shenjë mirënjohje dhe siç e ka tradita). Së bashku ata e vizitojnë Shqipërinë shpesh e me mall.

Asnjëri prej prindërve të tij nuk jetojnë më, pasi babai ndërroi jetë në fund të vitit 1995 në moshë shumë të re dhe nëna ka tre vite që nuk jeton.  Lad Krashi, sa herë vjen në Shqipëri, vizitën e parë e bën te prinderit, duke u përkulur pranë vendit të tyre të përjetësisë. 

KRENARI ATDHETARE PËR NJË VEND SI SHQIPËRIA

Karriera e deritanishme e Lad Krashit nuk ka nevojë të komentohet për nga sukseset dhe arritjet e shumta. Në administratën e Londrës, çdo ditë ai dëshmon përkushtimin dhe idealizmin e tij, dashurinë me të cilën ai merr përsipër dhe kryen punët publike, kulturën njerëzore, aftësitë drejtuese e bashkërenduese dhe vështrimin drejt së ardhmes. Pikërisht pse vepron kësisoj bashkëatdhetarët i besojnë vizionit të Lad Krashit dhe e mbështesin atë në përmbushjen e objektivave. Dhe ky nuk është optimizëm i rremë, pasi atë askush nuk e do. Ata besojnë se suksesi vjen me idetë e duhura, me përqasjen e  duhur, me drejtimin e duhur.

Lad Krashi identifikohet në Londër si shqiptari në mes të shqiptarëve. Në bisedë të afërt, ndër të tjera, mbaj mend fjalët që më tha për një brengë që ai kish, në lidhje me pengestarët e reformave të domosdoshme në kuadrin e integrimit të Shqipërisë në BE.. Ai është një njeri që i kupton thellë dhe interpreton drejt dhe me argumente fenomenet që ndodhin në gjirin e shoqërisë shqiptare.

Parë nga ky këndvështrim, mund të them se kam fatin që e njoh nga afër Lad Krashin, personalitetin e njohur shqiptar në Londër dhe një intelektualët shqiptarë që lartëson çdo ditë emrin e kombit tonë. Ai është e mbetet pjesë e kulturës sonë kombëtare, për ta patur zili për vullnetin e këmbënguljen, për sakrificën, sepse Lad Krashi në veprimtarinë e tij vuri tërë dashurinë, tërë pasionin, tërë kohën në shërbim të bashkëatdhetarëve.

Lad Krashi është krenari atdhetare për një vend të vogël si Shqipëria. Një pjesë të mirë të kohës së tij e zë edhe aktiviteti politik si anëtar i Partisë Laburiste në opozitë. Këtë e kombinon edhe me rolin e tij si Kryetar i degës së PS në Britani, e cila u krijua në fund të vitit 2011 me qëllim kryesor për t'i dhënë një zë më shumë komunitetit shqipfolës në Angli. Në disa zona kryesisht në Londër, ka një komunitet domethenës shqipfolës dhe shumë politikanë e shohin atë si një grup me peshë thelbësore në votime. “Aksesi në elitën politike vendore dhe kombëtare të bën të kuptosh se sa i vlerësuar është komuniteti ynë. Kjo lidhet mjaftë mirë edhe me politikën në Shqipëri, pasi shumë reforma që janë ndërmarrë nga qeveria atje shikohen si "Anglo-Saxone" si në arsim, sistemin e taksave etj”,-shprehet Ladi. Ai është pjesëmarrës aktiv edhe në aktivitete të tjera shoqërore, shkencore dhe kulturore, që lidhen me historinë e kastriotëve e të Skënderbeut, me historinë e ndritur të të parëve të tij në Çidhën,, me të tashmen dhe me të kaluarën e tyre. Ky njeri i madh me shpirt dhe me vepër, është model për t’u ndjekur nga intelektualët dhe veprimtarët tjerë shqiptarë kudo në botë.

Ky personalitet i madh, intelektual erudit me kulturë të gjithanshme është vlerë e njerëzve me vlera… Ai mbetet shembull i vlerësimit për njerëzit, për vlerat në shumë fusha të jetës politike, kulturore, shoqërore, letrare e shkencore. 

SHKARKO APP