Shqiptari që fotografoi ngjarjet më të mëdha në SHBA

 

Opinioni publik shqiptar, veçanërisht ai kulturor, është bërë i ditur me Muzeun e  Artit Oriental  “Bratko” të vendosur në qytetin e Korçës, si dhe me dhuruesin e  krijuesin e tij, Georges Dimitri Boria. (Georges Dimitri Boria, ose Gaqo Dhimitër Mborja ose Gaqo Mborja, ose Dimitri Boria, ose Bratko janë versione emrash të të njëjtit person në shkrimet mbi të.)

Nga Kristaq BALLI

Pamjet befasuese e të veçanta të këtij institucioni janë eksponatet dhe objektet që paraqiten aty e që i përkasin kulturave dhe arteve të disa vendeve e kombeve nga Lindja e Largët (Kinë, Japoni,Indi, Kore, Tibet, Tailandë, Indonezi, Etiopi, Persi, Rusi, etj.), pak të njohura për publikun shqiptar, si edhe mënyra  se si është ngritur ai, pra që ndërtesa dhe gjithë objektet e ekspozuara në vitrinat e tij janë frut i një akti shembullor human, atdhetar, qytetar e  filantropik nga shqiptaro-amerikani Georges Dimitri Boria (1903-1990. Është lindur në  Korçë dhe ka ndërruar jetë në SHBA në shtetin Maryland. Hiri i trupit të tij është varrosur në varrezat e Korçës, pranë nënës së tij Viktoria Bratko në Qershor të vitit 2003. Ai mban titullin “Qytetar nderi” i Korçës), i cili ia kushtoi e dhuroi ato vendlindjes së tij, qytetit të Korçës. G. D. Boria bëhet kështu vijuesi i traditës së dalluar të shekujve XIX-XX, atë të dhurimit e altruizmit  që qytetarët korçarë e kanë  kultivuar shpesh si një  alternativë prosperiteti e qytetërimi human të vendlindjes dhe atdheut të tyre. Edhe pse historia e ndërtimit të këtij muzeu i ngjet një kronike të gjatë, në të shumtën e herëve plot peripeci dramatike, ku spikat nga njëra anë dëshira e dashuria universale dhe nga ana tjetër, jo rrallë, mentaliteti absurd e nihilist politik  i ish regjimit totalitar (Georges D. Boria e ka lënë testamentin e tij në favor të Korçës qysh nga viti 1986, pra kur ai jetonte. Por qeveria shqiptare e asaj kohe nuk e mori në konsideratë këtë dhuratë, kështu ajo mbeti pezull 15 vjet. Boria e toleroi dhe nuk e ndryshoi destinacionin e testamentit edhe kur hartoi variantin përfundimtar që do të zbatohej pas vdekjes së tij.). Më në fund ai u përmbush dhe, pa dyshim, i shtoi vlerave komunitare vlera të vyera individuale, ashtu si edhe vlera historike, kulturore e sociale qytetit të Korçës, me të cilat ai ndjehet krenar e mirënjohës. Edhe pse modest në krahasim me kulturat e artet tradicionale shumëshekullore të popujve e vendeve aziatike lindore, Muzeu i Artit Oriental “Bratko” përbën, veç të tjerash, edhe një larmi vlerash komplementare e diversiteti kulturor, artistik,  turistik e miqësor që e shoqëron qytetin në të gjithë rrjedhën e kohës dhe hapësirën e tij ekzistenciale. Mbi 500 objekte nga më të larmishmit e më interesantët për vizitorin përfshijnë midis tyre piktura tradicionale japoneze të stileve Jamato e Ukiyo në letër e mëndafsh dhe ikona kristiane, statuja të besimeve mitologjike si Bud’ha, Shiva, Parvati dhe gdhendje artistike në dru, mobilje të polikromuara, koleksione shpatash e kamash të periudhave Koto, Shinto, Shinshito, Shoëa dhe veshje e pajime samurai, porcelane e bizhuteri, maska artistike demonësh e vegla muzikore frymore bambuje, sixhade e tapete persianë, iranianë, afganë dhe pipa e nargjile drogash e duhani, veshje folku dhe objekte me vlerë të përdorimit ritual e utilitar, koleksion fotosh të personaliteteve të njohura botërore të asaj kohe të realizuara nga vetë Boria, etj.

 

Krahas veprave e eksponateve muzeore që iu përkasin disa shekujve të mijëvjeçarit të kaluar, në mjediset e tij ekspozohet, gjithashtu, një koleksion me rreth 90 fotografi të dimensioneve mesatare, punë të Borias, të cilat, në krahasim me objektet e tjera rrëzëlluese, parakalojnë si pa u vënë re. Por, po të përqendrohesh me vëmendje në to, pasi mëson disa detaje kryesore historike, pasi lexon edhe diçiturat, kureshtja i kapërcen kufijtë ekspozicionalë dhe të tundon me idenë se, pas atyre dhjetëra fotografive mund të fshihet një kontribut  jo dhe aq modest.

Bash këtij profili prej fotografi të një hierarkie të epërme i dedikohet ky shkrim që, bashkë me të tjerët, e plotëson përfytyrimin rreth portretit të spikatur human të Georges D. Boria.

 Mërgimtari

Të dhënat biografike tregojnë se G. D. Boria, si shumë korçarë të tjerë, ka shkuar në SHBA që në moshë 17-18  vjeçare  dhe, shumë shpejt, duhet t’i jetë kushtuar e përveshur mësimit të gjuhës angleze dhe arsimimit e edukimit profesional. Riosh nga një familje tradicionale korçare, optimist, kureshtar, energjik, guximtar deri në kokëshkrepje, sedërtar, stoik e sfidues i etur deri në aventurë, intuitiv e pragmatist për t’u orientuar në situata të panjohura në atë shoqëri të madhe prodhimi e konsumi, ai pozicionohet shumë shpejt dhe merr frenat e jetës për ta komanduar atë drejt ambicieve ëndërrimtare. Falë edhe prirjeve të tij artistike në pikturë e muzikë, ai studion në disa kolegje apo shkolla të tjera artistikedhe, ndoshta, pas tyre, fillon punën e tij si teknicien në filmat vizatimorë të kompanive Hollivudiane dhe, më pas, vijon profesionin e fotografit për një periudhë shumëvjeçare.

Gjatë viteve ‘30 ai shoqëron, gjithashtu, vaporë turistikë amerikanë si artist siluetashdhe instrumentist  muzikor me mandolinë (ai kishte një mandolinë Gibson) dhe gjatë kësaj kohe  ai hap edhe studion e tij fotografike në Los Anxhelos CA. (Gjatë viteve 1920-1930 Boria punoi si një artist siluetash, duke prerë imazhe siluetash në letër. Ai kishte një dyqan në Hollivud, CA dhe udhëtonte rreth ShBA-ve duke bërë imazhe siluetash dhe portrete. Dhjetë prej tyre janë në Muzeun e Artit Oriental Bratko), ndërsa shumë të tjera në disa muze të SHBA-ve. (Instituti Smithsonian etj.)

Duhet t’i jetë kushtuar tërësisht fotografisë nga fundi i viteve ‘30,  duke hapur edhe studion e tij  në Uashington, ku ai u bë i njohur e i kërkuar, sidomos nga shqiptarët. Të rëndësishme për t’i theksuar duken, gjithashtu, dy fakte të kësaj periudhe: së pari që ai, krahas punës së tij private ka qenë edhe anëtar i stafeve redaksionale të disa gazetave e revistave periodike të kohës(Sipas CV-së të  pabotuar që ndodhet e ekspozuar në Muzeun  e Artit Oriental “Bratko”, Korçë, ai  ka qenë anëtari stafeve të periodikëve Vvashington Herald, Los Angeles Time, San Francisko Chronicle, Nevv Orleans Item, La Prensa Mexico City, La Prensa Buenos Aires.), si dhe fakti tjetër që, gjatë këtyre viteve, ai është njohur me Gjon Milin – fotografin tjetër gjenial korçar ende të paafirmuar, me të cilin ishte moshatar.

Ushtrimi i profesionit të fotografit do të përcaktonte më tej të ardhmen e jetës së tij për më shumë se dy  dekada dhe  do të ishte etapa më intensive dhe më  prodhimtare e aktivitetit të tij profesional e intelektual, e cila shënon, pa dyshim, edhe një kapitull të çmuar në historinë e fotografisë shqiptare dhe asaj ndërkombëtare.

Fototeka

Në vitin 1942 Boria ftohet të punojë si fotograf i ushtrisë amerikane dhe, për këtë, ai kryen paraprakisht Kolegjin e Luftës në Uashington. Së pari shërben si anëtar i trupave ndërlidhëse në Komandën Europiane, ndërsa në fund të Luftës II Botërore, 1945, ai përfitoi lirimin e nderuar dhe u bë fotograf i Agjencisë së Ndihmës dhe Rehabilitimit UNRRA të OKB-së. Kjo punë e kthen në Europë, ku ai fotografon situatën e pasluftës në disa vende (Itali, Gjermani, Jugosllavi, Austri, Greqi). Paskëtaj, kur e përfundon këtë mision, më 1947, pranohet si fotograf civil në Shtabin e Gjeneralëve të Fuqive Aleate të Azisë Lindore, që komandohej nga gjenerali i famshëm Douglas MacArthur (1880-1964)- një nga 5 gjeneral armate të ushtrisë amerikane që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë amerikane.

Ky moment shënon fillimin e periudhës më intensive e kontribuesetë veprimtarisë së tij në lëmin e fotografisë, ku ai mbetet një prej protagonistëve të një trashëgimie  shumë të gjerë e të larmishme historike, kulturore e shoqërore që flet me gjuhën e imazhit pamor.

Për rreth 14 vjet (1947-1961) ai është një prej krijuesve të memories së pashlyeshme historike të ngjarjeve të mëdha botërore që ndodhnin në atë kohë në Orientin Aziatik, kryesisht në Japoni e Kore. Për shumë vite ai punon si fotograf përgjegjës i laboratorit të parë amerikan me ngjyra në Tokio. Personaliteti profesional i Borias, i mishëruar edhe nëpërmjet  dhuntive artistike të tij, ishte i një performance të lartë, të padiskutueshme. Kjo dallohet lehtësisht, n.q.s përqendrohemi sado pak nga njëra anë në tematikën e problematikën e fototekës së tij dhe, nga ana tjetër, në këndvështrimin vizual e estetik të punës së tij laboratorike. Galeria e madhe e personazheve, ngjarjeve, objekteve, situatave është gjithmonë elitare. Madje, edhe aq preferenciale sa që,   nga shumë personalitetet e lartë botërorë që kanë qenë në fokusin e aparatit të tij, Boria posedon fotot e tyre me autografe, shënime, komplimente e vlerësime profesionale. Mes tyre, pa dyshim, evidencohen rreth 30.000 foto, negativa e diapozitiva, që sot posedon Qendra Muzeore e Douglas MacArthur-it, e vendosur në Norfolk të shtetit Virginia, SHBA, e që janë pjesë shumë e rëndësishme dhe e pazëvendësueshme në këtë memorial historik amerikan. Kjo fototekë unikale është krijuar kryesisht gjatë viteve 1947-1961, periudhë kur Boria përjetoi dhe ilustroi ngjarje të mëdha e të pashlyeshme njerëzore. Ai së bashku edhe me disa fotografë të tjerëfiksuan në kamerën e errët dhjetëra mijëra fragmente jetësore të realitetit të largët lindor që, po t’i bashkosh, krijojnë kaleidoskopin historik, ekonomik, social e kulturor të disa vendeve e popujve në një prej periudhave dramatike të historisë botërore.

Vend të veçantë në këtë arkiv zënë fotot që i janë bërë gjeneralit MacArthur dhe të gjitha episodeve që lidhen me rolin e tij politik e ushtarak. Bashkë me to radhiten një mori fotosh të ushtarakëve e personaliteteve të ndryshëm   amerikanë  të ushtrisë, të gjeneralëve të tjerë George Marshall, George Patton, Omar Bradley etj., dhe bazave e mjeteve luftarake në Oqeanin Paqësor etj.. Po ashtu, të një vlere të jashtëzakonshme për periudhën perandorake Shoëa, janë qindra foto që Boria i ka bërë perandorit legjendar japonez Hirohito, që konsiderohej si një perëndi i gjallë dhe familjes së tij. Hirohito krijoi me Borian një miqësi, afinitet, besim e siguri aq të lartë profesionale, sa ai e konsideroi atë si një prej fotografëve personalë dhe e mori me vete, veç të tjerash, edhe gjatë udhëtimit të tij rreth Japonisë për të vlerësuar situatën pas lufte dhe mbijetesën e rimëkëmbjen e saj.  Për familjen perandorake ai fotografoi, gjithashtu, çaste nga jeta familjare, si dhe pasuritë e vyera materiale e artistike të trashëguara prej saj.(K. Balli, Jayne Blanchard: Shtëpia thesar, Gazeta “Drita” 16 Maj 2004, f. 13: Boria u njoh me Hirohiton dhe familjen perandorake pasi i kërkoi perandorit t’i bënte një foto: “Unë i thashë atij diçka në japonisht që nënkuptonte “Njatjeta, ju!”. Asnjeri tjetër nuk ia kishte thënë atij më parë kësisoj. Dhe, që atëherë, u bëmë miq të mirë.” Për perandorin, Boria fotografoi thesaret e pallatit – jo arin dhe xhevahiret, por kukullat, kimono-të dhe tekstilet e familjes prej më se 3000 apo 4000 vitesh.)

Galerinë e tretë kryesore të fotove të Borias në Memorialin MakArthur e përbën një numër shumë i madh syresh që pasqyrojnë vende, situata dhe njerëz të zakonshëm, festa, monumente e institucione fetare, peizazhe piktoreske e vizita turistike, pamje nga rindërtimi dhe përparimi i shpejtë ekonomik i Japonisë, etj.

Ndërkaq, arena e luftës koreane dhe ndërhyrja mbikëqyrëse amerikane në të në favor të OKB-së(1951-1953) kanë qenë, gjithashtu, objekte të kamerës së tij për mijëra foto kushtuar kësaj lufte.

 Vitet e qëndrimit në Japoni janë për Borian, gjithashtu, të mbushura edhe me udhëtime të shpeshta në shumë vende aziatike, të cilat i shfrytëzoi, krahas të tjerash, edhe për fotografimin e shumë personaliteteve historikë e politikë të kohës, për krijimin e lidhjeve e miqësive me ta, ashtu si edhe për hobinë e tij të koleksionistit.

Për periudhën e mëtejshme (957-1961) të qëndrimit në Japoni nuk kemi deri sot të dhëna të hollësishme. Dimë se ai vijon jetën bashkëshortore (Në moshën 47 vjeçare ai u martua me një vajzë japoneze 15 vjeçare. Lidhur me këtë ngjarje, ai shprehet kështu në intervistën e tij për  gazetën “The Montgomery Journal”, 1989: “E takova babanë e gruas sime më 1948. Ai ishte një koleksionist arti dhe unë bleva prej tij shumë objekte … Ndërkohë që ishim duke pirë raki orizi, më ra në sy vajza e tij 12 vjeçare dhe më shkrepi t’i them atij: unë do ta marr për fare vajzën tuaj dhe, ai çuditërisht, u përgjigj: Miku im, ju mund ta merrni atë qysh tani.”

       Kështu, ata u martuan pas pak më shumë se dy vitesh dhe Boria thoshte me krenari: Që më 1950, ajo nuk e ngriti kurrë zërin ndaj meje. Ajo gjithë kohën këndonte!”) dhe ushtron hobin e tij  pasionant për koleksionimin e veprave të artit dhe relikeve të vjetra etnologjike orientale. Natyrisht,  nuk mund të ketë hequr dorë edhe nga profesioni i tij si fotograf, deri sa, më 1961, ai vendosi të kthehet në ShBA.

Rikthim në SHBA

Falë dinjitetit e prestigjit intelektual e profesional, gjatë viteve 1961-1990 Boria angazhohet sërish në disa projekte të Departamentit Amerikan të Shtetit, deri sa e ndërpret dalëngadalë e përfundimisht aktivitetin e tij për shkak të moshës. Më 1989 ai thotë: “28 vite rresht jam sorollatur, apo kujdesur për kopshtin dhe vizitat e njerëzve.” (Boria i kalon ditët duke luajtur muzikë dhe duke medituar para kutizës faltore 300 vjeçare budiste. Meditimi lindor i përzier me atë ortodoks është besimi i tij… “Natën rri në qetësi dhe lutem për vdekjen”, thotë ai. “Është momenti më i ëmbël në jetën tonë. Unë do të vdes, natyrisht. Ndaj kam zgjedhur muzikën për funeralin tim”.)

Në se Georges  D. Boria do të mbetet në pafundësinë e memories historike, jo vetëm të shqiptarëve, përveç Muzeut të Artit Oriental “Bratko”, aktiviteti e kontributi i tij në lëmin e fotografisë mbetet edhe më madhor, edhe më superior, i paçmuar e i pakrahasueshëm nga pikëpamja historike, humane, sociale, kulturore. Me trashëgiminë fotografike që ka lënë, pa dyshim, ai zë vend të merituar në panteonin e artistëve fotografë shqiptarëe amerikanë, për arsyen se ai u përcjell brezave një vepër origjinale, unikale, të denjë, një pinakotekë voluminoze çastesh fotografike që, bashkërisht, përbëjnë vite të tëra jete e historie – histori kontinentesh e kombesh që ruhet e sigurt në një prej memorialëve më të njohur të SHBA-ve dhe Botës. Dhe, në përpjekje për ta zbuluar, për ta shfletuar, njohur e dëshmuar atë, përveç koleksionit të hapur në Muzeun e Artit Oriental Bratko dhe një sërë publikimesh të tjera, jo të shumta, në disa periodikë e institucione të tjera mediatike, publike, muzeore, sot na vijnë në ndihmë për të parën herë disa qindra foto të zgjedhura nga koleksioni i tij në Memorialin MacArthur e të botuara në vitin 2007 në dy volume katalogësh me formate të mëdhenj(30cmx23,2cm), me nga 192 faqe  e me mbi 200 foto secili, të titulluar  “Koleksion fotosh me ngjyra nga  Japonia pas Luftës II Botërore” prej Dimitri Borias. Ky botim i rrallë është realizuar nga Tokyo-Archives Publishing Co. 2007 në gjuhën japoneze dhe me përzgjedhës e interpretues të kësaj vepre madhore profesorin japonez Yoneyuki Sugita. Sipas tij, “…kjo është hera e parë që koleksioni i Borias është botuar në këtë përmasë të madhe… Shumica e fotove nuk janë botuar kurrë  dhe nuk janë parë  asnjëherë në Japoni… Disa foto janë botuar në librat japoneze, por me cilësi të dobët, ose bardh’e zi. Ne përzgjodhëm fotot historikisht të rëndësishme, ose ato që mund të ruanin një cilësi të lartë pas zmadhimit… Shpresoj se lexuesit do të zbulojnë gjëra të reja në këto libra

  Në vëllimin e parë(1 Maj 2007) të ndarë në shtatë kapituj paraqiten pamje të pas luftës nga Tokio, të alternuara me figurat e famshme historike botërore si ato të perandorit Hirohito, gjeneralit Dagllas MacArthur, të Tribunalit të Tokios, foto të jetës së përditshme ekonomike e sociale të kryeqytetit japonez, skena nga ceremoni të ndryshme festive, etj.

Në vëllimin e dytë(Korrik 2007), të ndarë në 6 kapituj fokusohet kryesisht jeta e pas luftës në provincat japoneze të Kyotos, Hokkadios dhe Okinavës. Një numër i konsiderueshëm fotosh janë realizuar për perandorin Hirohito gjatë turit të vizitave që ai bëri pas luftës rreth Japonisë. Një cikël prej më shumë se 30 fotosh i takon qytetit turistik të Kyotos me drita të kuqe të pjesës së tij historike. Po ashtu edhe provinca e Okinavës, ku janë zhvilluar luftime të ashpra midis japonezëve e amerikanëve e ku gjenden baza të rëndësishme ushtarake amerikane. Përfshihen, gjithashtu, disa dhjetëra foto që paraqitin personazhe dhe skena nga jeta e përditshme ekonomike e tregtare e këtij qyteti të madh.

Duke u përqendruar me vëmendje te fotot që ne disponojmë, por edhe nëpërmjet konsideratave të shprehura herë pas here nga personalitete të rëndësishëm politikë e publikë të huaj, si edhe nga marrëdhëniet e raportet profesionale e shoqërore që Boria ka krijuar nëpërmjet kamerës së tij me shumë ngjarje e personazhe të kohës kur ai e ushtroi profesionin e tij, apo detyrën e drejtuesit kryesor të një prej laboratorëve të mëdhenj me ngjyra amerikanë në Japoni, të krijohet përshtypja se George Dimitri Boria është një prej dëshmitarëve okularë aktivë në arenën e ngjarjeve pas Luftës II Botërore në ilustrimin dhe pasqyrimin e realitetit historik të asaj periudhe me gjuhën e pashlyer të fotografisë, e cila shërben si enë komunikuese e të kaluarës së Japonisë me të ardhmen e saj. Fototeka e tij e pasur, që konservohet në Memorialin MacArthur, në Norfolk, VI, veçmas botimet e përzgjedhura që ne sot kemi nga ky koleksion, si dhe më shumë të panjohura e mistere të tjera, ende të papublikuara, dëshmojnë për një veprimtari me denduri të lartë prodhuese e dokumentuese. Më tej, nën këndvështrimin e një investiguesi estetik, mund të konstatosh se, midis  vlerave të shumëfishta, në fotot e tij ndihet jo rrallë sensi krijues e artistik. Me përvojën e tij të gjatë, por edhe me mbrujtjen e tij artistike Boria e zotëron, e bind dhe e komandon aparatin e tij me sigurinë e një  profesionisti. Ai zgjedh subjektin, pamjen, shpesh herë masive dhe këndvështrimin ndaj tyre, figurat kryesore, ato dytësore, si dhe detajet e sfondit. Ai e përpunon eterin optik dhe e përdor grafikisht raportin dritë-hije për të evidencuar apo për të zbehur, për të afruar ose për të larguar pjesoren dhe, kështu, për të kontrastuar apo harmonizuar estetikisht të tërën. Jo në pak raste syri dhe  gishti i tij i binden fiksionit gjeniun të artistit. Ndërkaq, në shumë foto ndihet spontaniteti i realitetit të ashpër dhe brazdave të thella, i reflektimit dhe dhimbjes që shkakton skenografia e teatrit tragjik të luftimeve.  Në shumë foto, kryesisht personalitete historike, gjejmë diçitura e dedikime për autorin Boria, të cilat shprehin, krahas të tjerash, edhe vlerësimet e lëvdatat për nivelin e lartë mjeshtëror.

Edhe pse aspak, ose shumë pak i njohur

nga shqiptarët deri në fund të viteve 2000, megjithëse natyra i fali jetë të gjatë, Georges Dimitri Boria  mbetet, pa dyshim, një prej atyre personaliteteve historikë të diasporës që modestinë dhe anonimatin e  e jetës biologjike e kurorëzuan me  dinjitet e humanizëm  me bëmat që lënë pas. Ai i la historisë  së fotografisë gjurmë të pashlyeshme të dimensionit botëror, dëshmi të pazëvendësueshme  historike universale; ai i la vendlindjes koleksionin dhe pasurinë e pasionit të tij artistik, prandaj edhe kujtimi i tij mbetet i rrethuar nga brerorja e mirënjohjes njerëzore…

SHKARKO APP