Shtëpia e Abatit, banesa karakteristike shkodrane ku lindi alfabeti shqip

Brenda mureve të saj mban një peshë të madhe të historisë së Shkodres, mes të cilës edhe atë të një banese karakteristike, që këtij qyteti vitet e errëta ja shuan njera pas tjetrës.

E pozicionuar në krah të katedrales së “Shën Shtjefnit”, godina dykatëshe që vitet dhe koha ja kanë rënduar pozitat, njihet si shtëpia e Abatit ose selia e shoqërisë ‘Bashkimi’, falë së cilës kemi alfabetin e shqipes.

Sot ajo më shumë se kurrë ka nevojë për dorën e shtetit, që të mundësohet rikonstruksioni i saj, me qëllim që të ruhet jo vetëm historia, por edhe vlera shumëdimensionale që ajo ka.

Artur Jaku:  Vërtet ajo është një perlë e jashtëzakonshme. Ka një arkitekturë fantastike që rrallë gjenden nëpër Shkodër, prandaj do kisha vlerësuar që strukturat shtetërore mos ta linin të degradohet.

Dom Artur Jaku, vëren se në 100-vjetorin e vdekjes së Abatit Prenk Doçi duhet sjellë në vëmendje shoqëria ‘Bashkimi’, e themeluar në Shkodër vetëm disa metra larg Katedrales.

Artur Jaku: Në fakt te kjo shtëpi kanë ndodhur dy ngjarje të rëndësishme. Ajo shtëpi ka shërbyer si seli për lëvizjen Bashkimi. Një tjetër ngjarje e rëndësishme është sepse nga ajo shtëpi ka lindur dhe alfabeti shqiptar.

Famullitari në intervistën e tij të fundit në këtë detyrë bën thirrje që pse jo, kjo shtëpi të kthehet në një Muze, për të pasuruar kolanën që rrethon Shkodrën e trashëgimisë e kulturës.

Artur Jaku: Risistemimi dhe rikthimi i këtij objekti në muze mes dokumenteve fotove dhe objekteve që ka përdorur Fishta etj mund të jetë një mundësi për vizitorët që të kuptojnë ngjarjet e rëndësishme që janë bërë në këtë shtëpi.

Si shtëpi e Abatit, ajo u bë edhe selia e shoqërisë së themeluar prej tij në janar 1899, në Shkodër, e pastaj veç emrit të tij te “Bashkimi”, dhanë ndihmesën e vet të çmuar edhe emra si At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Imzot Jak Serreqi, Imzot Lazër Mjeda, Atë Ambroz Marlaskaj, Nikollë Sheldija.

Studimet kanë dëshmuar se për t’u bërë pjesë e Shoqërisë, veç klerit qenë ftuar edhe laikë, të cilët nuk u aktivizuan për të mos krijuar dyshime në autoritetet e vendit.

Sot 100 vite nga vdekja e Abatit e 109 vite nga Kongresi i Manastirit, selia e ‘Bashkimit’ dergjet, strukur në qendër të Shkodrës, pa rënë në sy, e të gjithë duke heshtur si bashkëfajtorë!

SHKARKO APP