“Shtëpia e Gjetheve”, fituese e çmimit prestigjioz!
Dje, (6 dhjetor 2019), “Shtëpia e Gjetheve” ka fituar çmimin prestigjioz “Muzeu i Këshillit të Europës 2020″, në Paris.
Pas mbledhjes së 11 votave nga komisioni vlerësues, muzeu ia ka dalë të marrë vendin e parë. “Shtëpia e gjetheve”, që prej majit të 2017-ës u kthye në muzeun që përkujton dhe i rrëfen brezave të rinj, apo turistëve periudhën më të errët të vendit tonë, atë të regjimit diktatorial.
“Muzeu Kombëtar i Përgjimeve” është i pozicionuar pranë qendrës së qytetit, (godina përballë me kishës Ortodokse). Dikur kjo godinë shërbeu për të strehuar për pak kohë Gestapon gjatë Luftës së Dytë dhe gjithashtu ka qenë Selia Qendrore e Përgjimeve të Shërbimit Sekret nga viti 1944 – 1991.
Sot, “Shtëpia e Gjetheve” përkujton dhunën dhe terrorrin psikologjik që njerëzit kanë përjetuar gjatë regjimit komunist.
E ashtuquajtura “Shtëpia e Gjetheve” (falë bimës kacavjerrëse që mbulon sipërfaqen e saj), sot vjen si muzeu i një të kaluare që s’duhet harruar.
Për ata që ende s’e kanë vizituar, muzeu ka 31 dhoma dhe secila ka funksionin dhe simbolikën e veçantë të saj.
“Shtëpia e Gjetheve” do të prezantohet përmes një statuje bronzi të bërë nga skulptori spanjoll Joan Miro dhe bashkangjitur me një diplomë do të mbahet për 1 vit në muze.