Shtëpia nuk është burg

Placeholder Image

Nga Ilir Levonja –
Ajo që po e kapërdijnë me vështirësi në Shqipëri, është vetizolimi. Megjithëse është një nga masat më të domosdoshme për faktin se mund të reduktojë ndjeshëm përhapjen e virusit, prapë hezitohet. Duhet të kishte filluar që në momentin kur u njollos me të kuqe Italia, sepse jemi të lidhur gjymtyrësh, jemi gati siamezë. Dhe mos eksperienca në të tilla epidemi që janë mes shekujsh dhe brezat nuk e kanë idenë, gjithçka kthehet në një gjendje sportive dhe shteti flet dokrra për të ruajtur karriken, pasi magazinat a shtretërit e karantinave janë shitur batjava. Por ka një nismë spektakolare të personave publik sidomos e atyre që jetojnë e kontribuojnë në Itali dhe kjo është për tu admiruar. Sado larg që ikim prapë koka na dhëmb aty dhe koha po e vërteton, mjafton të përmendim edhe fondacionin e marinsit shqiptaro amerikan Marko Kepi në tërmetin e 26 nëntorit të vitit të kaluar. Nga ana tjetër disa mediume shtrojnë ca pyetje naive se çfarë mund të bëhet i izoluar në shtëpi? Shqiptarët nuk rrinë dot pa kafenet’. Duke qënë se jetoj prej vitesh në një vend tropikal ku stuhitë janë të përvitshme, izolimin e kemi gjymtyrë të jetës. Por në raport me izolimin e coronavirusit, stuhia të lë pa drita, pa ujë etj. Dhe mund të të humbësh gjithçka, mund të mbetesh në qiell të hapur sikur të mos kesh ekzistuar asnjëherë. Në rastin konkret nuk ju mungojnë aspak as dritat e as uji dhe për më tepër komunikimi virtual. Disa ditë a disa javë nuk janë asgjë, mjafton të mendosh se sa jetë mund t’i kursesh të së përditshmes. Mund të jetë një i njohur për ju, a një i largët.., por është prindi, babai a nëna, motra, vëllai i dikujt tjetër. Dhe ky dikushi që fati ua mbajti larg nesër mund të jeni edhe ju, ksisoj thuaje plot, Zot mbaje dorën. Në kuptimin e drejtë të fjalës kjo është luftë me natyrën, me fatin…, pavarësisht minuseve se, nuk ka asnjë diskutim që ne jemi nga vendet më të papërgatitura pasi kurrë nuk ndërtuam një shtet të vërtetë.
Nëse në studiot shqiptare do flitej ndonjëherë për emeregjencat, se si veprohet, se si një shtet mban në gatishmëri hallkat e tilla, pra nëse do flitej ndonjëherë, me pa diskutim do kishim filluar themelet e shtetit. Por shqyhemi me ligjëratat boshe të Ngjelës a ca kapterëve si Peza, me llogje duke mbetur gjithmonë vend i botës së tretë, jo new Hollandë apo Zvicër, asesi që jo. Ndaj sot shtrohen ca pyetje naive se çfarë mund të bëhet në shtëpi për 1 apo 2 javë. Kot që paskemi shtëpi, kot që shtrydhemi për familjen, gjithçka e jona qenka llogjet e kafeneve dhe ajo kureshtia prej provinciali se kush e hëngri sot? Përpara se të dali presidenti apo kryeministri, bëhuni vet të tillë, pasi ne kurrë nuk na ka munguar vitaliteti, pavarësisht se e kemi shtyrë tutje për hatër të politikës. Eshtë luftë për faktin e thjeshtë se është një epidemi globale, me një armik të padukshëm…, jo rastësisht janë vatrat të shpërndara si Iran, Itali, Seul. Eshtë vrasës sa i pa parashikueshëm, aq edhe i lexueshëm, vatrat e trafikut ajror, lidhjet e afërta si rasti ynë me Italinë etj. Por është edhe një situatë e tillë ku kupton se sa luftë bën qenia njerëzore për të mos u fikur jashtë radhe dhe sikur kurrë të mos kishim ekzistuar. Shkurt në shtëpi do shkoni, jo në burg, ndaj mblidhuni e lërjani vendin zbrazëtisë.

SHKARKO APP