Shtëpitë dhe ndërtimet në Çamëri si dëshmi autoktonie

Besnik Aliaj, rektori i universitetit “Polis”, flet për arkitekturën e veçantë të objekteve në Çamëri

Nga Hyqmet ZANE

Gjenocidi grek mbi Çamërinë dhe popullatën e saj, ka lënë pas dëshmi autentike, jo vetëm të njerëzve që panë dhe përjetuan mynxyrën e vrasjeve dhe gjymtimeve nga më kriminalet, por edhe dëshmi të ndërtimeve të banorëve të kësaj treve që edhe sot e kësaj dite janë themele të një kohe kur në këtë vend jetuan, punuan dhe ndërtuan paraardhësit tanë.

Arkitektura ndërtimore e shtëpive të banorëve çamë të para 100 vjetësh të mbetura në gjenden e pas largimit të të zotëve të tyre, janë dëshmi e një jete me shumë mirëqenie dhe me tendenca të një modeli tregues autoktonie në Çamëri. Largimi me dhunë dhe gjenocid të popullatës çame nga shtëpitë e tyre 72 vjet më parë ka qenë një shfaqje e të vërtetave që nuk ka se si t’i mohojë dhe t’i harrojë as Greqia, por as banorët e mbetur të Çamërisë që jetojnë aty, që flasin shqip dhe jetojnë krah këtyre shtëpive si ndërtime që qëndrojnë në këmbë të parëna dhe si strukturë e qëndresës së të parëve që i ndërtuan ato.

Nëse ajo shprehja greke që thotë “shqiptarë trima dhe çamër krenarë” kërkon të rrëfejë për krenarinë e banorëve të Çamërisë, duhet thënë se edhe ndërtimet e shtëpive të tyre kanë tendenca krenarie të thekur dhe të shoqëruara me madhështi të spikatur. Fotografitë e shtëpive që janë marrë në këto 10-15 vitet e fundit janë tregues i një realiteti që flet hapur për ndërtime të qëndrueshme dhe të sigurta. Edhe pse të zotët e tyre kanë 72 vjet që janë larguar nga ato troje, muret e shtëpive qëndrojnë të patretura, edhe pse tavanet dhe çatitë nga mos mirëmbajtja kanë rënë. Gjithsesi themeli, muret dhe arkitektura e ndërtimeve janë bashkëshoqëruesi i vëmendjes së madhe që çamët kanë treguar për ndërtimet e shtëpive të tyre.

Edhe pse nuk jam njohës ekspert i ndërtimeve, përsëri, mjaftë t’i shohësh shtëpitë dhe ndërtesat e  çamëve në vendin e tyre, do bindesh për kujdesin e treguar dhe koston e lartë të investimeve të bëra si shprehje e jetëgjatësisë në tokën e tyre dhe pas ndërtimit, edhe pse nuk e dinin që një ditë do të kishte një largim kaq tragjik. Kush mund të thotë që këto shtëpi dy dhe tre katëshe nuk janë të çamëve sa edhe vendasit e mbetur nuk kanë guxuar t’i prekin e as t’i ndryshojnë destinacionin, si tregues i respektimit të së drejtës pasurore trashëgimore.

Kam arkivuar dhjetëra shtëpi që më kanë ardhur si dëshmi e të vërtetave që flasin e flasin kaq shumë se në këto shtëpi kanë jetuar banorët autoktonë të Çamërisë. Kudo, në çdo cep të Çamërisë, në qytete dhe në fshatra, nga veriu në jug të kësaj krahine në çdo udhëtim që bëhet, shikon shtëpi të mbetura ërrmi, siç i themi ne çamët dhe që qëndrojnë si lapidare të së vërtetës historike dhe gjeografike se banorët e kësaj treve kanë qenë jetuesit shekullorë të kësaj toke të lashtë sa edhe banorët e saj.

Me nostalgjinë e trashëgimisë time, dua të them se edhe shtëpia e gjyshit tim në Filat është rreth 100 vjeçare, si shtëpia e re e ndërtuar pasi e vjetra do të shërbente si magjari, vend ku rrinë kafshët e shtëpisë. Kjo shtëpi në një nga sheshet e Filatit, që në ndërtim ka qenë trekatëshe dhe me një papafingo sipër saj. Sipas të dhënave të babait dhe nënës time, në katin e parë të shtëpisë ishte lutërvia e vajit, makineria për përpunimin e ullirit dhe prodhimin e vajit dhe përbri saj rezervuari i madh i depozitimit të këtij vaji. Sipas po të njëjtit rrëfim për të cilin tregoja vëmendje të madhe kur i dëgjoja, sipër këtij rezervuari ishte dhoma e grave ku zonjat e shtëpisë edhe rrinin, edhe gatuanin, edhe kujdeseshin për fëmijët e vegjël, por ndërkohë edhe përgatiteshin edhe për shtrimin e sufrasë së bukës për burrat. Në mes të dhomës ishte një kamare me kapak ku brenda saj qëndronte një kovë teneqeje e zhytur në vajin e ullirit në depozitën e madhe të prodhimit që kishte familja. Gjithnjë kur më shumë më tregonte nëna, ajo më thoshte se dhoma e grave lidhej me një palë shkallë të brendshme me manxaton, dhomën e burrave ku ishte oda e madhe e pritjes dhe e ndejtjes së burrave të shtëpisë dhe e miqve që vinin në të. Po me shkallë të brendshme shtëpia lidhej me katin e tretë që ishin dhomat e gjumit të familjes ndërsa në papafingo rrinte gjyshi.

Të gjitha dhomat ishin të shtruara me dysheme druri prej pishe që kur laheshin dhe fërkoheshin me tel lëshonin aromën e rrëshirës dhe të pishës. Njëherazi edhe tavanet e të gjitha dhomave ishin me dru dhe të rregulluara me ornamente të punuara nga mjeshtrat dibranë që gjatë periudhës së dimrit, për shkak të të ftohtit në zonat e tyre, vinin dhe punonin në Çamëri. Mes tyre ishte një miqësi e mirë edhe për shkak të fesë së përbashkët islame. Kështu si shtëpia e gjyshit tim, ishin pothuajse të gjitha shtëpitë e Filatit, të fiseve të njohura të lagjeve me emër që përbënin këtë qytet. Ato ndërtime shtëpish janë autentike dhe të qëndrueshme, janë të ndërtuara sipas stilit më të mirë të kohës, me ustallarë dibranë që ishin mjeshtra të gdhendjes dhe ndërtimit me gur. Çdo familje që ndërtonte një shtëpi të tillë, që kishte dhe koston e vet, kuptohet që kishte edhe një pasuri tjetër, po aq të madhe si tregues i nivelit të mirëqenies qytetare dhe vitalitetit të një popullate në trojet e tyre.

Jo më pak të tilla ishin shtëpitë edhe në fshatrat e zonës së Filatit si në Lops e Galbaq, në Shqefar e Vërselë, në Spatar e gjithkund ku popullata çame jetonte me pasurinë e vet, me shtëpitë e tyre të mira, me orendi që në një masë të konsiderueshme ishin pjesë e zejtarisë së ustallarëve më të mirë të Janinës. Në shtëpitë e çamëve binte në sy pastërtia, lulet e manxurasë që kundërmonin erën joshëse dhe të këndshme, por edhe lyerja me gëlqere sidomos e anëve të dritareve që bien në sy edhe pse kanë kaluar 72 vjet nga ikja e zotëruesve të tyre. Çdo trashëgimtar i atij brezi të familjeve çame që ikën përmes rrëmujës gjakatare të Napolon Zervës, mori me vete lebetitjen nga krimet, por njëherazi nuk kishte se si të mos merrnin me vete kujtimet për shtëpitë, për kopshtet, për komshinjtë, për qytetin apo fshatin e tyre, për drurët e ullinjve të mbetur dhe bukuritë e parrëfyera të Çamërisë të bekuar edhe prej Zotit, besimtarë të mirë të të cilit ishte popullata e kësaj krahine.

Bashkëbisedim me Besnik Aliaj, rektori i Universitetit “Polis” në lidhje me ke këto ndërtime, të cilat edhe i ka vizituar si ekspert i mirënjohur i arkitekturës dhe urbanistikës, shprehet në lidhje me ndërtimet në Çamëri “Janë banesa tradicionale çame dhe ajo qytetare që dëshmojnë qartësisht të njëjtin stil dhe frymë arkitektonike, siç e gjejmë në edhe në Tiranë, në Kçë apo Elbasan. Natyrisht banesat historike janë pjesë e atij stili arkitektonik me qytetet e jugut të Shqipërisë. Por edhe ndërtesat e fillim shekullit të 20-të, kur elementëve të traditës i shtohen modernizmi janë pothuaj njësoj me frymën e vilave apo objekteve administrative si në Tiranën dhe qytetet e tjera të Mbretit Zogu I. Kjo frymë mund të thotë dikush është në të gjitha vendet e rakonit për shkak të tendencave të kohës dhe industrializimit. Por një gjë është e qartë : ato nuk janë tipike në materiale dhe stil me rajonet e tjera të Greqisë”.

Duke vlerësuar këtë përcaktim me ide profesionistësh, arkitekti i Arteve të Bukura, Besnik Aliaj shton se “Karakteristike tjetër është mimetizimi (përshtatja) e këtyre ndërtimeve me peizazhin dhe integrimi i tyre gradual me natyrën. Mjafton të shikosh fshatrat e qytezat çame dhe do ndihesh si në Sarandë, Gjirokastër apo edhe më tej.

Natyrisht shtresa e Epirit (hapësira, ku shqiptarët e grekët kanë bashkëjetuar) ndihet në këto vendbanime dhe arkitekturën e urbanistikën e tyre. Por sot mund të flitet për një stil dhe karakter tipik çam edhe në këto fusha, duke e bërë jetike nevojën që studiuesit dhe ekspertët e fushave në Shqipëri në tërësi dhe sidomos ata çame ta studiojnë këtë fushë të kulturës dhe jetesës së një komuniteti të tërë. Do ishte një kontribut jo vetëm për Çamërinë e Shqipërinë, por edhe për vetë Greqinë nëse flasim për një rajon të hapur e demokratik siç i ka hije çdo vendi normal në Europë”.

SHKARKO APP