Shtimi i korsive, rritet kërkesa për të blerë biçikleta në Tiranë, tregtarët: “Është mrekulli”

Tirana, pa ngurrim mund të quhet tashmë kryeqyteti i biçikletave. Javët e fundit është vënë re një ‘boom’ shitjesh të biçikletave, aq sa nuk është më e lehtë për t’i gjetur nëpër dyqanet e shitjeve, jo vetëm të atyre të specializuara në këtë drejtim, por edhe pikave të tjera të shitjeve me artikuj të përzier. Situata më e fundit e krijuar jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë, si pasojë e koronavirusit, dhe në kushtet e kufizimit thuajse të plotë të transportit publik, ka bërë që njerëzit të zgjedhin forma të tjera për të lëvizur në kryeqytet, ku forma më klasike është lëvizja me biçikleta. Duke parë këtë situatë edhe Bashkia e Tiranës, mori vendimin për të zgjeruar hartën e korsive të dedikuara për përdoruesit e biçikletave, jo vetëm për të mundësuar lëvizjen e tyre lirshëm nëpër rrugë, por edhe për sigurinë e tyre.

Shtohen korsitë, rritet kërkesa
Masat e marra nga Bashkia e Tiranës për shtimin e korsive të biçikletave në një kohë të shkurtër, duket se lidhet drejtpërdrejtë me një rritje të kërkesës për biçikleta në treg. Shumë njerëz, që i mbanin biçikletat prej vitesh nëpër ballkone apo bodrume, dhe që për vite të tëra nuk i përdornin, i shpluhurosën ato dhe i çuan për riparime te ustallarët, si zona e Pazarit të Ri, ndërsa një pjesë tjetër u derdh nëpër dyqane për të blerë biçikleta thuajse për të gjithë familjen. Rritja e fluksit të kërkesës për biçikleta i ka bënë pak në vështirësi dyqanet e shitjeve, duke i kapur në befasi tregtarët që importojnë biçikleta, të cilët nuk janë më në gjendje të ngopin kërkesën e tregut. Trefishimi i importit të biçikletave që u vu re para dy javësh, ende nuk arrin të plotësojë nivelin e lartë të kërkesës.

Shitësit përballë blerësve
Në rrugën “Myslym Shyri” prej kohësh funksionon një dyqan i specializuar për shitjen e artikujve sportivë, por edhe të biçkletave sportive. Sipas shitësve, ka një fluks të madh të kërkesave për biçikleta, kryesisht nga të rinjtë, duke pasur parasysh edhe profilin e biçikletave që shesin në dyqan. “Vënia në funksionim e korsisë së dedikuar për biçikleta edhe tek “Myslym Shyri” nga ana e Bashkisë së Tiranës, ka shtuar jo vetëm interesin, por nga ana tjetër ka shmangur edhe gjithë atë kaos që krijohej për shkak të parkimeve të makinave anës rrugës. Kërkesat për biçikleta sa vjen dhe po rriten. Tregu për momentin ka boshllëqe në këtë drejtim”, shprehen shitësit.

Fakti që tregu nuk po i përgjigjet si duhet kërkesës së qytetarëve nënvizohet edhe tek Pazari i Ri, që është edhe epiqendra e shitjeve dhe serviseve të biçikletave në Tiranë. Sipas shitësve, tregu pothuajse është zbrazur dhe pritet furnizimi i ri. Bertrand Fishta prej vitesh merret shitje biçikletash dhe mirëmbajtjen e tyre te Pazari i Ri. Sipas tij, kjo që po ndodh është një “mrekulli”, pasi, sidomos servisi i biçikletave po kalonte ditë të vështira. “Mjaft ustallarë kishin menduar ta mbyllnin serivisin e tyre. Ndërsa sot, ata nuk arrijnë dot të përballojnë fluksin, aq sa janë detyruar të marrin edhe ndihmës. Biçikletat cilësore thuajse mungojnë, se janë blerë ditët e fundit. Ka biçikleta të tjera të një cilësie më inferiore, por edhe ato janë drejt mbarimit. Çmimet luhaten nga 150 euro e lart. Jemi fokusuar edhe tek riparimet, pasi shumë njerëz po i sjellin për shërbime, sidomos nga ata që kanë vite që si përdornin”, shprehet Fishta.

Biçikleta, një rrogë plus në shtëpi
Edhe usta Gimi, i njohur tashmë te “Rruga e Kavajës” si riparues biçikletash, shprehet se puna e tij është rritur tej mase këto kohët e fundit. Si çdo kohë, sipas tij, gjërat kanë uljet dhe ngritjet e veta. “Tirona e ka traditë biçikletën. Kështu ka qenë ndër vite, kështu do të mbesë. Osht një rrogë plus në shtëpi. Kështu i themi ne tironcit. Të kursen nga nafta, taksat, siguracioni, gjobat e policisë. Osht dhe shnet! Biçikleta të reja s’kam më me shit. Kanë mbaruar. Po shes dhe riparoj vetëm biçikleta të përdorura. Ka shumë kërkesa”, shprehet ai.
Zhvillimi që ka marrë tregu i shitblerjeve të biçikletave në Tiranë këto javët e fundit, pasqyron jo vetëm dëshirën e njerëzve për një kryeqytet më miqësor me mjedisin, por edhe më ekonomik sa i përket buxheteve të familjeve. Ja pse pa ndruajtje mund të thuhet se tashmë Tirana po kthehet edhe në kryeqytetin e biçikletave.

SHKARKO APP