Shtyhet rivarrimi i Ibrahim Kodrës

Ministria  e  Kulturës  njofton  se  në  vijim  të  kërkesës  së  fondacionit  “Ibrahim Kodra” ceremonia në nderim të Mjeshtrit,  Ibrahim Kodra, “Nder i Kombit” i cili do të prehet në Memorialin në Kodrat e Liqenit, shtyhet për një datë tjetër të mëvonshme.

Njoftimi i Ministrisë së Kulturës

“Ekzekutorët testamentarë kërkojnë të vlerësojnë momentin më të pjekur për të proceduar me amanetin e mbramë  të Mjeshtrit për t’u prehur në Tiranë, ose në Durrës. Fondacioni “Ibrahim Kodra” përjetësues të vullnetit të Mjeshtrit Kodra, në nismën  e  tij  për  plotësimin  e  vullnetit  të  Maestros  paraqitur  në  Ministrisë  e Kulturës, theksonte rëndësinë e promovimit të vlerës së artistit  dhe të njeriut.  Me kërkese të vazhdueshme të ekzekutorëve testamentarë të Maestro Ibrahim Kodrës, në kuadër të dhjetë vjetorit të vdekjes së tij, Ministria e Kulturës, autoritetet vendore, në përputhje me ligjet në fuqi, nisën një bashkëbisedim me komunitetin e Ishmit, për të mundësuar vendosjen e eshtrave në Tiranë, sipas vullnetit të tij.

Megjithë bisedimet disa ditore të zëvendësministrit të Ministrisë së Kulturës, të përfaqsuesve të ekzekutorëve testamentarë si dhe angazhimit të deputetëve të zonës, si pasojë e keqkuptimeve, keqinformimeve dhe keqpërdorimeve për rastin në fjalë, një grup banorësh krijuan një rezistencë të paarsyeshme dhe të padrejtë për procedurat ligjore të përmbushjes së amanetit të fundit të Maestros.

Ky qëndrim i paarsyeshem, e pamundësoi përkohësisht realizimin e amanetit dhe nderimin e Maestros në një monument të ri në Tiranë, veç atij ekzistuesit në Ishëm. Shteti Shqiptar nëpërmjet Ministrisë së Kulturës mori përsipër të organizonte ceremonialin protokollar të nderimit dhe promovimit të vlerave të Mjeshtrit, njohur botërisht si “Primitivi i fundit i një qytetërimi të ri”. Njohja e brezave me punën e mjeshtrit dhe atë çka ai bëri për vendin e tij është publike dhe me interes. Çdo debat tjetër mbi vullnetet e tij apo dëshirën se si ai donte të prehej mbeten interesa privatë, për të cilin askush nuk ka të drejtë të imponohet.

Ministria e Kulturës nuk është ekzekutore testamentare e dëshirave dhe vullneteve të Mjeshtrit, por ajo do të vazhdojë të marrë të gjitha nismat për të bërë të mundur që komuniteti i artistëve shqiptarë si dhe brezat e rinj të mund të përfitojnë nga gjenialiteti dhe bujaria e Mjeshtrit të Madh. Qeveria mbetet e vendosur të përjetësojë figurën e Mjeshtrit, duke përmbushur plotësisht amanetet e tij që parashikojnë edhe themelimin e një Qendre Kulturore për fëmijë, ashtu si edhe e ka shprehur në një nga poezitë e tij: “Kërkoj të mbjell në tokë/ filizin e parë/farën e parë të ardhmërisë”. Arti i Kodrës është një mesazh paqeje.

Qeveria mbetet e vendosur të realizojë edhe në Ishëm pllakën përkujtimore, me qëllimin të ruajë emrin e Ishmit, si vendlindja e Ibrahim Kodrës.  Mjeshtër Ibrahim Kodra është shqiptari i madh, që përjetësoi me Artin e tij buzëqeshjen e njerëzimit. Ai është  figura që na bashkon të gjithëve dhe i tillë do mbetet dhe pas vdekjes”.

SHKARKO APP