Shtypi suedez: Ismail Kadare, Kafka shqiptar

Gazeta suedeze "Helsingborgs Dagblad" në numrin e kësaj të marte ka botuar një shkrimi me titull "Kafka shqiptar", ku analizohen tre romane të Kadaresë: "Kronikë në gur", "Pallati i ëndrrave" dhe "Dimri i madh", të botuar së fundmi nga shtëpia botuese "Modernista" në shtetin skandinav

Përndryshe, libri “Kronikë në gur” është një prej romaneve më të hershëm të Ismail Kadaresë. Ndryshe nga letërsia e deri atëhershme për Luftën Antifashiste, e karakterizuar nga dy kampe personazhesh – partizanë e pushtues – ky roman solli një imazh më të ndërlikuar të saj, ku ndërthuren fate ushtrish të huaja të pakteve të ndryshme kundërshtare, fate shtresash të ndryshme brenda për brenda tyre, fate të njerëzve të lidhur vullnetarisht me rezistencën ose të mobilizuar prej komandës, fate të indiferentëve, të sehirxhinjve dhe të kundërshtarëve.

Që lufta ishte një kohë mjaft më e ndërlikuar se ajo që shërbehej prej një tradite letrare skematike; kjo mund të shihet edhe në fatin e një familjeje qytetare në vendin e "kronikës në gur", ku konflikti hyn brenda saj, duke ia tronditur regjimin tradicional. Me këtë roman Kadare pasuroi temën e Luftës Antifashiste, duke sjellë një shikim prej fëmije për evokimin e ngjarjeve të saj. Rrëfimi në vetën e fëmijës, në vetën e personazhit që evokon fëmijërinë e autorit, me "pafajësinë" e vet, megjithëse i ka dhënë romanit njëfarë karakteri autobiografik, njëherësh e ka mbrojtur atë prej qëndrimit të kritikës./ KultPlus.com

SHKARKO APP