Shuhet kompozitori dhe kitaristi Alfonc Balliçi

Ndahet nga jeta kompozitori dhe një ndër kitaristët që la gjurmë ndër brezin e viteve 60-70, “Mjeshtri i Madh” Alfonc Balliçi.

“Muzikant i talentuar me një vesh absolut, që të mahniste për mprehtësinë e dëgjimit dhe virtuozitetin improvizues të kitarës, të cilën e mësoi që në fëmijëri pothuajse autodidakt. Njohës i shkëlqyer i motiveve të Elbasanit, ku dhe kaloi periudhën më të rëndësishme të jetës së tij, ai kontribuoi fuqishëm në përpunimin e melodive dhe motiveve të Shqipërisë se Mesme, sa që ato iu bënë elementë organike që i buronin në formën më të përsosur dhe origjinale, në të gjithë krijimtarinë muzikore të tij”, shkruan në “Facebook”, kompozitori i njohur Gazmend Mullahi.

Balliçi u edukua seriozisht duke u pajisur me dije të plota dhe profesionale, duke kryer me sukses Akademinë e Arteve duke qenë ndër kuadrot e parë të tij. Ashtu si edhe plot kolegë krijues e muzikantë të shkëlqyer si Deda, Krajka, Lalo, Xhunga, Kodra, Laro, Shëngjergji, Peçi, Minga, Zaharian, Tili, ai shtroi rrugën e drejtë duke i dhënë këngës tonë dhe muzikës në përgjithësi, një tingëllim sa origjinal dhe profesional, që do të përbënte një përvojë të mrekullueshme dhe një model të rëndësishëm për brezat e mëvonshëm.

Plot elegancë dhe me një përmbajtje të shëndoshë melodie kombëtare, do mbahet mënd koncerti i organizuar nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, me krijimtarinë më të spikatur të këtij artisti, e cila ishte dhe një përshëndetje për të gjithë artdashësit dhe dashamirësit e këtij zhanri.

SHKARKO APP