Si duhet të jetë Prokurori i përgjithshëm?

Nga Nuri Dragoj

Në kohën kur politika shqiptare është e përqendruar te plotësimi i kërkesave për statusin e Shqipërisë në BE-së, janë bërë dhe vazhdon të bëhen akuza për lirimin e kriminelëve dhe bashkëpunimin e togave të zeza me vrasësit, lidhjen e politikës, policisë dhe drejtësisë me bosët e drogës etj. Deri tani, nga deklarimet publike të krerëve të politikës shqiptare, kemi mësuar se falja e fajtorëve është urdhëruar njerëz me pozitë të lartë në strukturat e larta të shtetit shqiptar, nga paaftësia dhe korrupsioni në drejtësi etj.

Sytë e shqiptarëve të lodhur me mungesën e drejtësisë, tashmë janë përqendruar te emri i kryeprokurorit të ri, që do të emërohet në këtë detyrë, sipas kompetencave të Presidentit të Republikës apo Parlamentit të Shqipërisë. Pavarësisht se realiteti i sotëm është disi dëshpërues, përsëri rikuperimi i hallkave kryesore në Pallatin e Drejtësisë, mund të ndikojë në një ekuilibër konstant dhe ta ndryshojë gjendjen. Sepse prej kësaj drejtësie pritet të vihet nën binarë edhe politika, nëse ajo do të tërhiqet nga miratimi i ligjeve dhe vendimeve që mbrojnë korrupsionin e zyrtarëve të lartë. Ndaj dhe qytetarët vazhdojnë të kenë frikë për mundësinë e kapjes së sistemit gjyqësor nga politika, sepse presioni që ajo ushtron është i jashtëzakonshëm. Njerëzit presin që prokurorët dhe gjyqtarët, pavarësisht nëse janë apo jo të korruptuar, t’i nënshtrohen procesit të vetingut. Kështu mendojnë shumica, ndonëse ka dhe të tjerë që e shohin atë si masë radikale me ndikim negativ, pasi mund të rrisë tensionin brenda sistemit gjyqësor dhe të frenojë ecurinë e punës, duke ushqyer mosbesimin e publikut në këtë sistem.

Si e dua unë kryeprokurorin?

Unë do të doja një prokuror që do të garantojë zbatimin e ligjit, ndëshkimin e fajtorëve dhe vigjilencë të lartë në kontrollin ndaj akuzave korruptive për çdo seancë gjyqësore. Një prokuror që të kontrolloj çështjet, që kur dëgjon se janë arrestuar aq e kaq persona për arsye tëndryshme, të zbresë në bazë dhe të kontrolloj çfarë është bërë me ta, u dënuan apo paguan pesë lekë dhe dolën për të kryer vjedhje apo krike të tjera. Të kontrolloj çështjet që zvarriten me vite dhe besojmë se ka ardhur koha që të ulen para togave të zeza edhe gjyqtarët që abuzojnë me detyrën. Po kush do të jetë vallë kryeprokurori i ri, që do të përmbushë detyrimet ligjore për të hyrë në histori, ndofta si kryeprokurori i parë që zbatoi pikë për pikë Biblën e drejtësisë, e cila është Kushtetuta e vendit? Vështirësinë e gjetjes së një emri të përshtatshëm mund ta hasë kushdo, nëse individualisht do t’i përgjigjet kësaj pyetjeje: Si e dua unë Prokurorin e Përgjithshëm të vendit tim? Dhe atëherë, pavarësisht nga emrat që po përfliten në shtyp, hulumtimi kryesor shkon tek standardet dhe tek kurrikulat profesionale të secilit prej kandidaturave. Unë dëshiroj që në krye të Prokurorisë së Përgjithshme të vendoset një figurë me pastërti të lartë morale dhe me një certifikatë “virgjërie”, në aktivitetin e tij profesional, për të kthyer besimin e humbur te shqiptarët e rraskapitur nga varfëria e padrejtësia. Duke u shprehur më qartë, unë vetë, kërkoj që në radioskopinë e proceseve gjyqësore të kryeprokurorit të ardhshëm, të mos gjendet asnjë gjurmë e metastazave për bashkëpunime, marrje rryshfetesh, vendime kundrejt aferave korruptive, apo zbatimit të urdhrave të politikanëve të lartë, për raste kur këto urdhra përbëjnë shkelje të kushtetueshmërisë. Unë kërkoj një kryeprokuror, që të jetë i drejtë si me viktimat ashtu edhe me fajtorët, duke u dhënë të gjithëve atë që meritojnë. Kërkoj para së gjithash një kryeprokuror, të cilin të mos ta zërë gjumi asnjë minutë, nëse në sirtarin e tij stivosen dosjet e krimit. Unë kërkoj një kryeprokuror model, me moral të lartë, me kulturë të gjerë dhe edukatë qytetare, me vizion të qartë për të ardhmen e drejtësisë, një prokuror që të dijë të vërë në punë edhe gjyqësorin, që gjyqtarët para se të mbyllin çështjet, të mendojnë se mund të përballen një ditë me kontrolle profesionistësh, të përballen me drejtësinë. Unë kërkoj që ai të ndjekë kriminelët hap pas hapi dhe jo të shmanget prej tyre.

Përveç kësaj, do të doja një kryeprokuror që të luftojë deri në fund për barazinë e të gjithë njerëzve para peshores së ligjit dhe të mos pranojë viktimizimin e të pafajshmëve dhe zbutjen e ndëshkimeve për kriminelët. Një kryeprokuror, që të mos ulet në gjunjë apo të çohet instinktivisht në këmbë, kur flet në telefon me eprorët e tij, qofshin këta në krye të Presidencës, Parlamentit apo Ekzekutivit, por të përgjigjet denjësisht për çdo rast, apo për çdo vendim të dhënë nga përfaqësuesit e prokurorisë. Unë kërkoj një kryeprokuror, që të t’i skuqet faqja dhe të nxihet nga turpi, nëse në tryezën e tij dosjet e kriminelëve më të rrezikshëm fillojnë të harrohen, pasi është e sigurt që nesër do të pjellin një tjetër krim, mbase më të rrezikshëm se i pari, siç ka ndodhur praktikisht deri tani. Por jo vetëm kaq, prokurori që duhet të zgjidhet tani nga Presidenti i Republikës, duhet të shfletojë çdo ditë ecurinë e proceseve të mbërritura, ku në vëmendjen kryesore duhet të ketë hetimin e krimeve me rrezikshmëri të lartë shoqërore, aferat e zyrtarëve të lartë, që shpesh fshihen pas kartotekave të politikanëve. Unë kërkoj një kryeprokuror që të stimulojë zbatimin ligjor edhe në rastet kur para togave të zeza ndodhen emrat e ministrave, zv/kryeministrave, apo kryeministrave, për çdo shkelje të madhe apo të vogël, që mund të kenë bërë. Pra të mos qëndrojë i përhumbur, por të këmbëngul në heqjen e imunitetit të ministrave të implikuar në afera korruptive të mbarsura me krime, gjë që deri tani nuk është bërë si duhet. Unë kërkoj nga kryeprokurori i ardhshëm, hetimin e imtësishëm të burimeve të pasurimit të përfaqësuesve të politikës, ku ministrat ngrysen me borxhe e gdhihen si miliarderë. Gjithashtu, do të doja që kryeprokurori i ardhshëm, të mos ketë diferenca të mëdha financiare nga dita e parë e punës në ditën e fundit të saj. Sepse dihet mirë që askush nuk mund të pasurohet me punë të ndershme brenda një periudhe 5-vjeçare, nëse ai nuk përfiton nga aferat kriminale. Tanimë është bërë e ditur që paratë nuk jepen nga politika, por nga krimi. Ata që paguajnë janë kriminelët dhe vrasësit e njerëzve të pafajshëm, janë ata që nuk njohin ligjet e shtetit, që s’pyesin për dogana, që tregtojnë drogën dhe qeniet njerëzore. Janë ata që u dërgojnë kryeprokurorëve trasta me para, kundrejt lirimit nga akuzat. Së fundi unë kërkoj nga kryeprokurori i ardhshëm, që ai të luftojë pa kompromis për zbatimin e detyrimeve të tij, duke marrë parasysh edhe sakrificën më sublime. Dhe, nëse një ditë, ai do ta kuptojë se këtu nuk mund të luftohet krimi, aferat korruptive dhe skandalet mafioze, do të dëshiroja prej tij dorëheqjen e ndershme nga detyra. Dhe jo kapjen me të dyja duart pas mandatit, në mënyrë që resurset, të cilat burojnë nga ky profesion të mos i ndërpriten.

SHKARKO APP