Si dukeshin nuset shqiptare në vitet ’80-‘90
Në ditët e sotme, është vështirë dhe gati e pamundur t’i mendosh nuset në ditën e dasmës pa ndofarë grimi të kuruar në detaje, pa modele flokësh të stiluar nga profesionistë, fustane të modës së fundit etj.
Gjatë kësaj kohe, teksa shihnim dasmën e Afërdita Dreshajt, Chiara Ferragni-t apo Sara Hoxhës, ku nuk munguan festat e beqarisë, makeup-i i realizuar nga emrat më në zë, pamje përrallore nga ceremonia etj, na shtohej kurioziteti për të parë si janë dukur dikur gratë shqiptare në vitet ’80-’90 ose aty rrotull.
Një ide të përgjithshme e kishim, fundja të gjithë i kemi parë fotografitë e nënave tona që pozonin me raste si me siklet para aparatit, shtrirë sipër krevatit ose në cep të murit pranë lules.
Vite e vite më parë, produktet kozmetike sajoheshin me ç’të gjenin në shtëpi. Gjyshja më tregonte se sytë i lyenin me bojën e këpucëve si një gjetje e zgjuar për të zëvendësuar lapsin e zi. Më pati thënë se nuk ishte rregulluar kur u martua; të paktën jo rregullim në atë kuptim që jemi mësuar ne sot. Thjesht mblodhi flokët me karfica, vendosi disa lule mbi kokë dhe një vello dy pëllëmbë poshtë supeve. Pak a shumë një pamje si fotot e mëposhtme, të mbërritura në inbox-in e Anabel në Facebook.
Në mungesë të një pjastre apo mashe për flokët, gratë shqiptare vendosnin bishtin e xhezvezë në zjarr dhe pasi nxehej pak, rrotullonin një pjesë të flokëve rreth tij për të krijuar ondet.
Përgjithësisht fustani merrej hua tek dikush që ishte martuar më parë. E njëjta gjë edhe për vellon, bizhuteritë, kapelen etj.
Nisur nga fotot e dërguara nga ndjekësit tanë në Facebook, themi se poza ishte e njëjtë pothuajse për të gjitha: në fokus portreti, pa asfarë pamje nga mbrapa; nusja dhe dhëndri duke parë njëri-tjetrin ose tek krevati të bashkuar kokë më kokë.
Një pjesë e mirë e fustaneve, duken të fryrë, afërisht të ngjashëm me ato të princeshave – me fruta dhe dandella të theksuara tek pjesët e shpatullave.
Siç e thamë më sipër, pavarësisht mungesës së grimit apo stilimit të flokëve, me apo pa ndonjë pamje nga mbrapa, ashtu të qeshura, këto fotot të grave shqiptare përcjellin ëmbëlsisht një grimcë të harruar të së kaluarës.