“Si e arrestuan Sherif Merdanin në krah të së fejuarës”

Kurt Kola ka nxjerë një libër, ku rrëfen krimet në burgjet e komunizmit.

“Në Shqipërinë burg. Çfarë ndodhi?! Çfarë pashë?! Çfarë hoqëm?!” titullohet libri i ri i “Uet Press” nga Kurt Kola, ku rrëfen dramën e këngëtarit të njohur Sherif Merdani.

Ja çfarë shkruan ai:

***

“Sherif Merdani ishte pjesë e shtresës së deklasuar, por goditjen politike e mori si artist. Nuk kishte studiuar për muzikë, por ishte talent dhe talenti i hapi rrugën për në Universitet. Me shumë peripeci mbaroi studimet për histori-gjeografi. Mbrëmjeve të fundjavës këndonte në dasma, që të nxirrte lekët për të vazhduar studimet. Pati fat se nuk e pikasi Sigurimi dhe arriti të merrte diplomën. E morën ushtar dhe shërbimin ushtarak në dallim nga të tjerët e kreu në repart pune dyvjeçar! Pra, nuk ia njohën universitetin në shërbimin ushtarak, ashtu siç ishte në praktikën e regjimit… Sherifi u bë i famshëm në muzikë, sidomos me këngët anglisht, të cilat zgjuan sigurimin për ta vënë në vëzhgim. U godit festivali i këngës si fenomen liberalizimi në art dhe, doemos, si këngëtar do ta pësonte Sherifi, i deklasuari pa përkrahje… Fama e muzikës, Sherifin do ta ndiqte edhe në burg. Të dënuarit i luteshin të këndonte dhe ai nuk ua prishte qejfin, edhe pse e dinte se ishte e ndaluar dhe dënoheshe. Ai këndonte në galeri këngë shqip e anglisht, dhe ndiqej nga policia. Nuk kishin arritur ta kapnin duke kënduar se rrinin roje, por ishin të informuar dhe të sigurt se këndonte. Për sa i përket punës, Sherifi punonte gjithmonë mbi normën, edhe pse në punën e vështirë si minator dhe nuk mund ta kapnin apo të gjenin shkak për ridënim. Ndonëse i deklasuar, nuk e njihte fare sistemin, mekanizmat e funksionimit, organizatat, lidhjet ndërmjet tyre… Ndërsa për anën juridike ishte krejt naiv. Ai kujtonte, se edhe pasi të kanë arrestuar mund të shpëtosh me anë të dëshmitarëve. Ishte dënuar një herë, kishte kaluar hetuesi, por asgjë nuk kishte mësuar. Ai mendonte se dëshmitari ka fuqi të influencojë në mbrojtje të akuzës, ndërkaq, dëshmitari në rastin më të mirë të mundshëm mund të tërhiqte dëshminë e tij, raste sporadike këto, shumë të rralla. Sherifin, në arrestimin e parë e kishin kapur në një moment tepër delikat. Sapo ishte duke u fejuar me një vajzë që dashuronte. Sigurimi, që po e ndiqte, si organ kriminal që qe, ruante rastin që ta godiste të piketuarin për arrestim, aty ku e shkatërronte më shumë shpirtërisht. Edhe Sheri⼀t këtë lloj goditje donin t’i jepnin. Madje, ky ishte artist, i ndjeshëm edhe më shumë se një qytetar i zakonshëm. Ia kishin aprovuar dashurinë njëri-tjetrit dhe ishin në prag të kurorëzimit, kur hijet e zeza të Sigurimit e ndiqnin hap pas hapi. Ishte një natë me hënë, teksa ecte rrugës së Dibrës, krah për krah me të dashurën; ai duke kënduar lehtë melodi italiane e ajo duke qeshur e duke iu varur në krahë, ndërsa një plakë në sfond përpara, pëshpëriste: Mos u paftë syri i keq! Plaka e mirë lutej për gëzimin e çiftit të ri, teksa njëqind metra më tutje, në një rrugicë të fshehur nga hëna, para portës ku do të hynte çifti i gëzuar kishin zënë pritë “ujqërit”. Me instinktin e rrëmbimit tërheqin vajzën dhe prangosin Sherifin… Eskorta e terrorit kaloi afër plakës, që vazhdonte të lutej për lumturinë e çiftit, pa i shkuar në mend se djali i rrëmbyer kaloi pranë saj e vajza pat ngrirë, mbështetur në portën e shtëpisë! Mbase plaka vazhdonte të lutej, edhe kur Sherifi ishte dënuar dhjetë vjet. Dhe plaka e mirë iku nga jeta e gëzuar, se nuk mori vesh kurrë prishjen e lumturisë së çiftit, dhe të mijëra e mijëra çifteve të tjerë, para e pas Sherif Merdanit! Tani, i ri-arrestuar në kampin e terrorit, ku jeta e njeriut është gjëja më e pavlerë dhe ridënimi ose shtimi i viteve të burgut praktik e preferuar e regjimit, Sherifi kërkon të thërritet në hetuesi për të dëshmuar në mbrojtje të tij, një të burgosur nga Saranda, i cili kishte rënë në burg qysh në moshën 20 vjeç. Ky kishte bërë 20 vjet burg dhe, tani, që ishte 40 vjeç i kishin mbetur ende edhe vetëm 40 ditë për të dalë nga ferri… Ky rrezikzi, që gjatë 20 viteve s’i kishte ardhur as nënë e as baba, as i kishin çuar një letër apo telegram, ky i vdekur i harruar, që po gdhinte net pa gjumë për të parë një ditë pa polic e ushtar nga pas, e sheh veten, çuditërisht, përballë hetuesit kriminel: “Të mbroj Sherifin duke gënjyer e të marr 10 vjet dënim, apo të them të vërtetën e të shkoj në shtëpi?” Në këtë mëdyshje, aq sa e lehtë ishte zgjedhja, po aq i rëndonte në karakter rrezikziut… Hetuesi, i ngazëlluar mendonte: Me një gurë po vras dy zogjtë… – Sherif, pse më ke thirrur mua këtu? – e pyet burri nga Saranda. – Grigor Xarxo më akuzon se kam folur kundër pushtetit ⼀lan ditë, që ishim bashkë në tarracën e apelit. Të kam thirrur ta përgënjeshtrosh si shpifje. – A e di se kam bërë 20 vjet burg, kam 40 ditë për të mbaruar dhe ti më thërret të më implikosh e të më rrezikosh në një dënim tjetër? Ti do që të them të vërtetën, apo të gënjej? – Unë, të kërkova që të thuash të vërtetën, – i thotë Sherifi. – E vërteta është siç ka thënë Grigori! Grigor Xarxo, ishte një spiun që deklaronte publikisht: Unë jam gati të shkel mbi eshtrat tuaja (të burgosurve), veç të dal nga burgu! Ishe më i sigurt të 礀isje kundër në sy të operativit ose komisarit, sesa në sy të Grigorit. Sherifi u ridënua me dhjetë vjet burg, ndërsa sarandjoti plotësoi 20 vjetët dhe iku në shtëpi”.

 

SHKARKO APP