Si maska ju mbron nga koronavirusi edhe nëse infektoheni teksa e mbani atë

Maskat janë prodhuar qe të parandalojnë përhapjen e infeksioneve brenda mjediseve spitalore dhe funksionojnë gjithashtu në mjedise publike. Pavarësisht nëse është një maskë e rregullt kirurgjikale, një maskë e sofistikuar me nanopjesëza apo një shall i thjeshtë, maska e fytyrës mund të bllokojë që grimcat të cilat qarkullojnë në ajër të futen brenda organizmit. Nga ana tjetër, maska gjithashtu mund t’ju mbrojë edhe nëse infektoheni teksa e mbani vënë.

Ekspertja e sëmundjeve infektive të Universitetit të Kalifornisë, Monica Gandhi, shkroi një artikull në The Conversation disa javë më parë, ku shpjegoi se maskat e fytyrës mund të bllokojnë pjesën më të madhe të virusit duke ulur ngarkesën virale, gjë që do t’ju shpëtojë nga një infeksion i rëndë i Covid-19.

Ndërsa virusi hyn në trupin e njeriut, sistemi imunitar alarmohet se një patogjen ka depërtuar dhe fillon të sigurojë mbrojtje. Sa më e ulët të jetë ngarkesa fillestare virale, e quajtur inokulum viral ose dozë, aq më të larta janë shanset e sistemit imunitar për ta luftuar. Sa më e madhe të jetë doza e infeksionit, aq më e vështirë është për sistemin imunitar që të përballojë infeksionin.

Si rezultat, Covid-19 mund të jetë me simptoma më të rënda për ata njerëz që thithin një ngarkesë më të lartë virale krahasuar me ata që mbajnë maska.

Kjo nuk është vetëm një teori, pasi artikulli i detajuar i Gandhi-t citon shembuj të ndryshëm që vërtetojnë rëndësinë e dozës fillestare virale. Eksperimentet laboratorike kanë treguar se maskat kirurgjikale të fytyrës mund të parandalojnë hyrjen e 80% të grimcave virale në gojë dhe hundë. Studiuesit kryen eksperimente me një lloj brejtësi dhe vërtetuan se kafshët të cilave u jepej ajri përmes maskave, patën më pak të ngjarë të infektoheshin. Edhe në rastet kur u infektuan, patën simptoma më të lehta.

Gandhi dhe kolegët e saj botuan një letër në fund të korrikut në Journal of General Internal Medicine, ku argumentuan se ekspozimi ndaj Covid-19 përmes maskave të fytyrës mund të çojë në valë të sëmundjes asimptomatike, të rrisë imunitetin e tufës dhe të ngadalësojë përfundimisht përhapjen e sëmundjes.

SHKARKO APP