Si mund të rikuperohet ekonomikisht një shtet pas një katastrofe natyrore?!
Fatkeqësitë natyrore shkatërrojnë jetën, shkatërrojnë komunitetet dhe, ndonjëherë, madje edhe shtete të tëra. Katastrofat e papritura kataklizmike si tërmetet, cunami, uraganet dhe përmbytjet shkaktojnë shkatërrime të rëndësishme.
Shkalla e këtyre katastrofave e bën të vështirë përballjen dhe rikuperimin me pasojat e shkaktuara. Të mbijetuarit dhe komunitetet e prekura duhet të ballafaqohen me humbje jetësh njerëzore banesash e shtëpish. Kombet dhe qeveritë përballen me detyrën gjigante të rivendosjes dhe rindërtimit të pasurive të shkatërruara, si ekonomike ashtu edhe sociale.
Por qartësia në të kuptuarit qartë sfidat e zhvillimit ekonomik pas katastrofës është më se e domosdoshme. Në nivel global, ekspozimi ynë ndaj rreziqeve të këtyre ngjarjeve ka të ngjarë të rritet në të ardhmen. Ndryshimet klimatike parashikohet të intensifikojnë ashpërsinë e ngjarjeve ekstreme të motit. Për më tepër, numri i njerëzve që jetojnë në zona të prirura nga rreziku do të rritet si pasojë e zhvendosjes masive nëpër qytete që kanë parandalim joadekuat ndaj katastrofave ose në zona gjeografike që janë veçanërisht të prekshme nga rreziqet.
Efektet shkatërruese të fatkeqësive natyrore ndjehen më shumë në vendet më të varfra sesa në ato të zhvilluara ekonomikisht. Edhe pse e gjithë bota i nënshtrohet risqeve natyrore pjesa më e madhe e 3.3 milionë vdekjeve të shkaktuara nga katastrofat natyrore gjatë 40 viteve të fundit kanë ndodhur në vende të varfra.
Procesi i rindërtimit ekonomik është unik për secilin vend që preket nga një fatkeqësi natyrore. Ekzistojnë sfida dhe vështirësi që janë të zakonshme për shumicën e vendeve, megjithatë, dhe të kuptuarit e tyre është e rëndësishme për të realizuar kështu politika dhe veprime që shërbejnë në zvogëlimin e vuajtjeve njerëzore që ndodhin gjatë këtyre momenteve të jashtëzakonshme.
Sfidat
Shpejtësia e rimëkëmbjes ka shumë rëndësi është veçanërisht në vendet në zhvillim ku jetesa është e pasigurt edhe në mungesë të katastrofave natyrore. Kur rindërtimi pas katastrofës është i ngadaltë, dhimbja ekonomike dhe vuajtja e familjeve dhe komuniteteve është e thellë dhe zgjat shumë.
Cilësia e rimëkëmbjes ekonomike gjithashtu ka rëndësi. Fatkeqësitë natyrore shpesh shihen si një mundësi për të “ndërtuar më mirë”, strehim më të mirë, rrugë, shkolla dhe spitale. Sidoqoftë, është e rëndësishme të sqarojmë se çfarë kuptojmë me “më mirë”. Rindërtimi i banesave dhe infrastrukturës publike në standarde më të larta të sigurisë që zvogëlojnë rrezikun nga katastrofat është thelbësore. Ai minimizon humbjet njerëzore dhe ekonomike në ngjarjet e ardhshme dhe ndihmon në zbutjen e frikës dhe traumës së të mbijetuarve ndërsa ata rishfaqen në jetën shoqërore dhe ekonomike.
‘Rindërtimi më mirë’ nganjëherë konsiderohet si një mundësi për një vend të goditur nga fatkeqësitë natyrore të bëjë një “hap zhvillimi” duke krijuar, për shembull, një infrastrukturë të sofistikuar që nuk do të ekzistonte në mungesë të katastrofës. Nëse kjo nuk bëhet në një mënyrë që të përputhet me disponueshmërinë e aftësive lokale, megjithatë, rimëkëmbja mund të dështojë.
“Rindërtimi më mirë” gjithashtu duhet të jetë koherent me kulturën vendase. Gjatë viteve janë vënë re shumë raste shtëpish të reja të cilat edhe pse kanë qenë rezistente ndaj rreziqeve, kanë mbetur të pabanuara për shkak të modelit të panjohur ose të papërshtatshëm për vendasit.
Kush fiton dhe kush humbet nga rikuperimi ekonomik pas katastrofës? Kjo është një pyetje e rëndësishme për të bërë sepse përfituesit nuk mund të jenë gjithmonë ata me humbjet më të mëdha ekonomike. Pas katastrofës, Qeveritë dhe donatorët vlerësojnë dëmet dhe humbjet dhe hartojnë propozime teknike për rindërtim. Rezultatet e këtyre planeve, megjithatë, shpesh mund të devijojnë nga qëllimet e tyre. Në praktikë, një mori faktorësh të tjerë hyjnë në lojë, përfshirë disponueshmërinë e fondeve dhe aftësive, cilësinë e institucioneve zbatuese, interesat dhe marrëdhëniet e pushtetit. Ndonjëherë grupet e cenueshme me të drejta pasurish të patundshme ose tjetër të pasigurta (gra, fermerë qiramarrës, të pastrehët) vuajnë shumë nga humbja e jetëve dhe të ardhurave gjatë një fatkeqësie, dhe më pas humbasin edhe më shumë kur planet e rivendosjes nuk i njohin të drejtat e tyre të pronësisë ose kur ekonomikisht grupe më të fuqishme përfshihen në ndarjen e pasurive. Pra, pabarazitë e reja ose të ndryshuara sociale dhe ekonomike mund të shfaqen edhe kur ndodh rimëkëmbja ekonomike në një nivel më të gjerë kombëtar.
Edhe pas rindërtimit post-katastrofe, modelet e vjetra të cenueshmërisë dhe privimit mund të vazhdojnë. Kjo ndodh edhe në vendet e pasura. Dhjetë vjet pasi Uragani Katrina goditi New Orleans, në SHBA, niveli i varfërisë së fëmijëve në mbeti jashtëzakonisht i lartë. Rastet e tilla theksojnë nevojën për të rimenduar konceptin e “ndërtimit më të mirë”; i cili duhet të përfshijë jo vetëm infrastrukturë por edhe një trajektore më gjithëpërfshirëse të zhvillimit ekonomik.
Rindërtimi ekonomik pas një katastrofe nuk e rikuperon kurrë plotësisht atë që humbi dhe nuk i kthen komunitetet në gjendjen “normale” që ekzistonte më parë. Shpesh ekziston një “normal i ri”, pasi shoqëritë dhe ekonomitë ndryshohen përgjithmonë. Rindërtimi efektiv ekonomik duke krijuar një ‘normale të re’ mund të lehtësojë vuajtjet e individëve dhe komuniteteve dhe mund të nxisë rritjen ekonomike dhe mirëqenien në të ardhmen. Por është e nevojshme të jemi vigjilent ndaj vështirësive dhe pengesave të mundshme në rindërtim. Politikat dhe veprimet e vendeve dhe donatorët nuk duhet të përkeqësojnë traumën dhe tragjedinë e katastrofave natyrore.
Së fundmi, mënyra se si të mbijetojmë ndërsa goditemi pabesisht nga një fatkeqësi natyrore është diçka që e mësojmë dhe ku lundrojmë me hezitim, si individë, bashkësi dhe kombe.
Burimi: Unchronicle – Material i përgatitur nga portali SCAN