Si ta mbroni shëndetin e trurit me ushqimet e duhura

Mënyra se si ushqehemi ka një ndikim të jashtëzakonshëm në trurin dhe mirëqenien mendore. Ajo çfarë hamë, mund të na dëmtojë, mund të na shërojë, ose mund të na ‘dhurojë’ edhe sklerozën. Prej kohësh, shoqëria ku jetojmë i përmbahet idesë se ne ushqejmë trupin, duke harruar rolin e trurit në mendimet dhe veprimet tona. Ditë pas dite, ushqimet që ne hamë shpërbëhen në ushqyes të cilët e gjejnë rrugën në gjak dhe më pas në tru.

Aty, këto ushqyes aktivizojnë reagimet qelizore, ushqejnë çdo ind dhe transformohen në shtresën mbrojtëse të trurit. Ky i fundit është organi më i uritur në trup dhe konsumon 20 përqind të të gjithë energjisë së përftuar. Nga ana tjetër, qelizat e trurit janë të pazëvëndësueshme në krahasim me qelizat e tjera të trupit që zëvëndësohen rregullisht. Shumica e qelizave të trurit janë aty që nga lindja deri në vdekje.

Rrjedhimisht ato kanë nevojë për përkujdes dhe ushqyerjen e duhur. Disa ushqime luajnë një rol mbrojtës për trurin, disa të tjerë janë shkatërrimtare për shëndetin mendor. Cilat janë ushqimet që duhet të përfshini në regjimin tuaj ushqimor për një tru të shëndetshëm? Lexoni më poshtë të renditura nga AgroWeb.org.

Acidet yndyrore
Konsumoni më shumë peshk, salmon, sardele si disa nga burimet më të mira natyrale të këtyre acideve kaq të nevojshme për trurin. Mos lini mënjanë farat e linit.

Glukoza
Truri ka shumë nevojë për glukozë dhe këtë duhet ta merrni nëpërmjet ushqimeve. Bashkë me glukozën ju duhet fibër. Të dyja i gjeni tek panxhari, kivi, drithërat e plota, patatja e ëmbël, qepa e thatë dhe qepa e njomë.

Vitaminat dhe mineralet
Të gjitha vitaminat dhe mineralet siç janë seleniumi, hekuri, bakri, zinku dhe vitaminat A, C, E janë të shkëlqyera për trurin. Konsumoni më shumë fruta pylli, portokalle, qitro dhe mollë. Mos hiqni dorë nga brokoli, lakra, spinaqi, lulerradhiqja, qepët, karrotat, domatet apo kungulli. Pjata juaj duhet të jetë shumëngjyrëshe si një ylber.

Vaji i ullirit ekstra i virgjër
Vaji i ullirit ekstra i virgjër është një produkt i domosdoshëm sepse është i pasur me antioksidantë, omega-3 dhe vitaminë E. Kjo e fundit na mbron nga skleroza. Studimet konfirmojnë se njerëzit që konsumojnë më shumë se 16 mg vitaminë E në ditë kanë 67% më pak rrezik nga skleroza. Vitamina E në kombinim me vitaminën C mbrojnë qelizat e trurit nga radikalet e lira. Për më tepër ato rrisin sasinë e oksigjenit që arrin në tru.

Ushqimet që duhet të shmangni
Hiqni dorë nga mishi i kuq, mishi i derrit, ushqimet e skuqura, patatinat, picat e ngrira, biskotat, ëmbëlsirat e paketuara dhe margarina. E njëjta gjë vlen për proshutat, sallamet dhe pançetën që rrisin rrezikun e sëmundjeve mendore. Ushqyerja luan një rol të qartë dhe vendimtar në plakjen e trurit, shfaqjen e Alzheimerit dhe sklerozës. Për shumë kohë këto sëmundje i atribuoheshin geneve problematike që trashëgohen brez pas brezi. Në fillim të vitit 2018, u kuptua që genetika nuk ka shumë të bëjë me këto sëmundje. Për më tepër, më pak se 1% e sëmundje si ajo e Alzheimerit janë një mutacion genetik, ndaj shihet qartë roli i faktorit ushqim. Shkencëtarët besojnë se një e treta e sëmundjeve të trurit mund të parandalohen duke përmirësuar stilin e jetës dhe duke u ushqyer shëndetshëm. Me një hap të tillë, shumë njerëz do të kenë mundësi të plaken me një shëndet të pacënuar mendor./AgroWeb

SHKARKO APP