Si të ruani në ngrirje shegën dhe lëngun e saj
Shega është një frut i mrekullueshëm dhe plot vlera për shëndetin e njeriut. Ajo duhet konsumuar rregullisht gjatë gjithë vitit por fatkeqësisht stina e shegës nuk zgjat shumë.
Mënyra më e mirë për të përfituar vlerat e shkëlqyera të shegës është që ta ruani atë në ngrirje. Metodën e duhur mund ta mësoni duke lexuar më poshtë në këtë artikull.
Si të ruani shegën në ngrirje
Në fillim duhet të zgjidhni frutat që kanë një lëkurë me ngjyrë të kuqe të errët dhe peshojnë. Ndajeni shegën në dysh dhe nxirrni kokrrat e saj si rubinë të kuq. Kokrrat e kuqe hidhini në një tas dhe më pas përgatituni për t’i futur në ngrirje.
Metoda e parë është të përdorni enën e akullit dhe t’i fusni kokrrat në kubikët e vegjël e më pas në ngrirje. Metoda e dytë është që të vendosni një shtresë me kokrra në një letër kuzhine dhe ta fusni në ngrirje. Pasi të jenë ngrirë kokrrizat, futini në qese plastike që mbyllen me zinxhir dhe më pas futini sërish në ngrirje. Këto metoda do të garantojnë që kokrrizat të mos ngjiten me njëra tjetrën.
Si të ruani jëngun e shegës në ngrirje
Shtrydheni shegën dhe lëngun hidheni në kubikët e akullit e më pas futeni në ngrirje. Copat e ngrira më pas futini në qese duke u siguruar se në të do të ketë sa më pak akull. Qesen futeni sërish në ngrirje. Kur të përgatisni lëngje të ndryshme frutash dhe perimesh mjafton të merrni një ose dy kubë me lëngun e ngrirë të shegës dhe të merrni lverat e duhura.
Për ata që janë të shqetësuar se ngrirja mund të ndikojë në përmbajtjen e antioksidantëve, ekspertët thonë se nivelet e tyre bien në total me 50 përqind si pasojë e ngrirjes. Kjo automatikisht nxjerr në pah rëndësinë e shegës së freskët, por fundja e fundit , sërish 50% antioksidantë është prapë më mirë se zero, ndaj përpiquni të ruani sa më shumë shegë për gjithë vitin./AgroWeb.org