Si u shua në Përmet Jorgo Bulo, çastet e fundit të akademikut

 

Akademiku Jorgo Bulo ka ndërruar jetë në mënyrë të papritur dje, në moshën 76­-vjeçare. Ai ka qenë prezent në një aktivitet në Përmet, ndërsa Zylyftar Hoxha, që ka qenë prezent vetë, rrëfen se çfarë ka ndodhur.

"Bulo ishte në një aktivitet në Përmet kur humbi jetën. Por më duhet të shtoj edhe disa detaje të tjera rreth kësaj ngjarjeje të rëndë, pasi, për fatin tim të keq, jam ndodhur edhe unë në momentet e fundit të jetës së profesorit të shquar, ku, si dhe profesori, isha ftuar në të njëjtën veprimtari, në “Natën e Bardhë Naimane”, organizuar nga Shoqata Atdhetare Mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri” në Përmet, dhe që gjatë gjithë aktivitetit dhe të gjithës darkës, kam qenë në krah të tij.

Në këtë veprimtari merrte pjesë, veç intelektualëve dhe krijuesve të tjerë nga Përmeti dhe Qarku i Gjirokastrës, edhe poeti Xhevahir Spahiu dhe kryetari i Bashkisë së Përmetit, Niko Shupuli. Veprimtaria ishte planifikuar në orën 17 mbas dite të datës 25 nëntor në një nga sallat Qendrën Kulturës Përmet dhe në orën e caktuar, njerëzit ishin grumbulluar dhe po prisnin nga çasti në çast që të fillonte takimi.

Në këto momente del në podium kryetari i shoqatës “Vëllezërit Frashëri” dhe organizatori i veprimtarisë, Tomorr Kotorri, i cili iu kërkoi të pranishmëve falje dhe të bënin pak durim sa të vinte nga Gjirokastra Akademiku Jorgo Bulo, i cili kishte qenë edhe atje në një veprimtari të organizuar nga Bashkia e këtij qyteti për 1-0­vjetorin e pranimit nga UNESCO të Iso­polifonisë shqiptare si pasuri botërore.

Nuk vazhdoi gjatë, veçse disa minuta dhe profesori hyri në sallë i pritur mes duartrokitjesh. Pas hapjes së veprimtarisë nga kryetari i shoqatës, fjalën e mori profesor Bulo, i cili, me një korrektesë të admirueshme lexoi çdo germë të kumtesës së tij me një diksion të qetë, të natyrshëm, por edhe me një pasion të pafshehur (çast që s’do të më hiqet kurrë nga mendja si mua dhe të gjithë atyre që ishin në sallë) për kolegun e tij të letrave, Dritero Agollin, si emblema e letërsisë shqipe.

Veprimtaria vazhdoi më pas me një konkurs të Fjalës Artistike, ku konkurruan nxënës të tri shkollave të mesme të Përmetit, ku profesori, megjithëse i lodhur, ndoqi dhe duartrokiti të gjithë debutuesit në sallë. Në darkën e shtruar me këtë rast, të cilën ai e mbylli me një gotë të vetme vere, bëri dolli ku, natyrisht, përmendi vëllezërit Frashëri, vlerat e qytetarisë përmetare si dhe për shëndetin organizatorëve. Pas një darke që nuk zgjati shumë, u shpërndamë në hotel. Nga ora 23.30, dikush merr në telefon se Jorgua nuk është mirë. U zgjuan të gjithë, mjekët bënë të pamundurën, por pas 3 orësh përpjekjesh mes jetës dhe vdekjes, fitoi kjo e fundit… dhe profesori u nda përjetësisht nga ne. Në këto çaste më ka ardhur në mendje gjithë ajo punë kolosale, gjithë ajo vepër e tij, që do ta bëjë të paharrueshëm”, shkruan ai.

SHKARKO APP