Si zbatohen rekomandimet e KLSH

Nga Ymer Stafa*

Materialet e prodhuara (produkti përfundimtar) nga grupet e auditimit rreth 80% e tyre filtrohen me shumë përgjegjësi në disa struktura organike të KLSH-së, me përjashtim të aktverifikimeve apo akt konstatimeve që kalojnë direkt nëpërmjet grupeve të auditimit në terren. Pra, shprehur qartë, si Projekt raportet e auditimit, raportet përfundimtar të auditimit dhe gjetjet e rekomandimet, që kthehen në vendim marrje të nënshkruara nga Kryetari i KLSH-së (mbështetur në ligjin organik të Kontrollit të Lartë të Shtetit), kalojnë në disa filtra të ndryshëm, me qëllim që produkti i realizuar të jetë sa më i mbështetur në legjislacionin përkatës dhe sa më i kuptueshëm si për subjektin e audituar ashtu edhe për masën e gjerë të popullit.

Me përfundimin e auditimit, subjekteve të audituara, u dërgohen zyrtarisht në rrugë shkresore rekomandimet përkatëse për zbatim, të shoqëruara edhe me një kopje të raportit përfundimtar të auditimit. Subjektet e audituara menjëherë nxitohen për të kthyer përgjigje KLSH-së, për të respektuar afatin 20 ditor (kërkesë e ligjit organik të KLSH-së), që i njohin dhe i pranojnë këto rekomandime duke i shoqëruar edhe me një plan veprimi konkret e duke caktuar edhe strukturat organike që duhet ti zbatojnë. Mbasi kthejnë këtë përgjigje për KLSH-në, subjektet e audituar bien në “gjumë” për zbatimin e tyre dhe kujtohen ditët e fundit për të kthyer përgjigjen ligjore të KLSH-së për respektimin e afatit 6 mujor.

Për çudi ka raste që subjektet në përgjigjen e afatit 6 mujor paraqesin argumente nga më të ndryshme përse nuk janë realizuar një pjesë e tyre. Është fare e pa kuptueshme që fillimisht i pranojnë këto rekomandime dhe mbas 6 muaj në përgjigje paraqesin argumentime subjektive, të pa mbështetura në legjislacionin në fuqi. E në këto rrethana subjekti i audituar vihet para përgjegjësisë, që kujtohet mbas 6 muajsh për dhënie përgjigje të tilla. Subjektet e audituara duhet ti kushtojnë më shumë rëndësi përgjigjeve që jepen për respektimin e afatit 20 ditor, pra duke nxjerrë konkluzionin nëse i pranojnë këto rekomandime apo jo, ndërsa në kuadër të respektimit të afatit ligjor prej 6 mujorit paraqet punën konkrete që bëhet për realizimin e tyre të pranuara.

Madje nuk bëhet fare fjalë, që të trajtojnë edhe shqetësimet e konstatuara nga KLSH-ja në Raportin Përfundimtar të Auditimit. Kontrolli i Lartë i Shtetit në përfundim të kryerjes së auditmit nuk paraqet sukseset e arritura nga subjekti i audituar, por trajton të metat, shkeljet, mangësitë dhe gjetjet që janë kryer në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Jo të gjitha gjetjet e konstatuara dhe të shprehura në raportin përfundimtar të auditimit trajtohen në shkresën zyrtare dhe jepen rekomandime. Në shkresën përcjellëse trajtohen gjetjet dhe rekomandimet e grupit të auditimit më të rëndësishme, që paraqesin edhe risqe më të larta. Nuk është e thënë që të gjitha gjetjet e trajtuara në raportin përfundimtar të auditimit të jepen rekomandime në shkresën përcjellëse. Sipas ligjit organik të KLSH-së me vendim të veçantë Kryetari i KLSH-së miraton Raportin Përfundimtar të Auditimit si dhe miraton rekomandimet e përcaktuara dhe kërkon marrjen e masave përkatëse. Në raportin përfundimtar të auditimit trajtohen shkeljet konkrete të legjislacionit dhe nuk mund të jepen rekomandime që të zbatohet ligji apo vendimi i qeverise. Zbatimi i tyre është detyrim i legjislacionit. Fjala vjen nqse një subjekt auditimi në urdhrin e prokurimit nuk ka dhënë argumentimin për përdorimin e një lloje procedure prokurimi, KLSH-ja nuk mund të rekomandojë zbatimin e LPP dhe vendimin përkatës të qeverisë. Në raportin përfundimtar trajtohet neni apo pika e LPP dhe e vendimit të qeverisë që është shkelur dhe kush e mban përgjegjësinë për të.

Prandaj lind e nevojshme që raporti përfundimtar i auditimit duhet tu bëhet prezent të gjitha strukturave të subjektit të audituar që janë atakuar në raport punohet me punonjësit dhe strukturat dhe secila strukturë për vete mban shënime dhe gjatë punëve të përditshme për të ardhmen ti ketë parasysh, me qëllim që të mos përsëriten më mangësi të tilla.

Një element tjetër i rëndësishëm për zbatimin e rekomandime të KLSH-së për subjektet e audituara është rekomandimi për shpërblimet e dëmeve ekonomike dhe të masave administrative.

Është bërë si zakon, që në këtë kuadër subjektet e audituara dërgojnë njoftimet për shpërblime dëmi ekonomik dhe dhënie masash administrative, ku subjektet me kaq e konsiderojnë punën e kryer (rekomandimin e realizuar). Në kuadrin e respektimit të aftit 6 mujor është një kohë shumë e bollshme, që subjekti të kryejë të gjitha rrugët ligjore, sidomos për shpërblimin e dëmit ekonomik dhe masave administrative. Po të merren seriozisht nga subjektet e audituara puna fillon që në ditët e para të dërgimit të rekomandimeve nga KLSH-ja, e konkretisht: mbasi i ka dërguar njoftimin për detyrimin që ka punonjësi apo subjekti i lihet një afat kohorë dhe pastaj nqse nuk reflektojnë këto, atëherë menjëherë subjekti i audituar duhet të fillojë nga rrugët e tjera ligjore, deri në dërgimin në organet gjyqësore dhe në përfundim të bëjë edhe kontabilizimet përkatëse në librat e kontabilitetit të institucionit. Po kështu veprohet edhe për zbatimin e rekomandimeve të masave administrative.

Pa përmendur këtu, që të tilla njoftime, lihen ditët e fundit të përfundimit të afatit kohorë të përgjigjeve të respektimit të afatit 6 mujor.

Fjala vjen në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dërgimi i rekomandimeve nga KLSH-ja është bërë me datë 2/5/2017 dhe bërë hyrje në protokollin e kësaj ministrie me datën 8/5/2017, ku afatet kohorë prej 20 ditësh dhe 6 mujor janë respektuar, por njoftimet e subjekteve janë bërë me shumë vonesa, si psh. Janë njoftuar për likuidim detyrimesh subjektet e ndryshme datë 3/11/2017, ditën që ka përfunduar afati kohorë 6 mujor apo njoftuar edhe KLSH-në. Ose njoftuar personat përkatës për vendimin e Agjencisë së Prokurimit Publik për vënie gjobe mbas 15 ditësh (vendimi i APP ka datën 18/9/2017 dhe njoftimi i subjektit datë 3/10/2017), madje subjekti mbas datës 3/10/2017 deri datë 8/11/2017 nuk ka kryer asnjë veprim tjetër ligjor. Prandaj subjektet duhet ti kryejnë veprimet sa më të argumentuara dhe sa më të rregullta duke i marrë edhe sa më seriozisht me qëllim të plotësimit të eficencës, ekonomicitetit dhe efektivitetit.

*Auditues, KLSH

SHKARKO APP