Siguruesit dyfishojnë fitimet – 2.7 milionë euro për tremujorin e parë të këtij viti

Kompanitë e sigurimit të jo-jetës dyfishuan fitimin e tyre neto në tremujorin e parë të këtij viti. Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se siguruesit fituan 337 milionë lekë ose rreth 2.7 milionë euro. Rezultati teknik, që përfshin fitimin nga aktiviteti sigurues arriti vlerën e 266 milionë lekëve, me një rritje modest prej rreth 8%. Por, diferencën e ka bërë sidomos përmirësimi i të ardhurave nga investimet. Për tremujorin e këtij viti, të ardhurat nga investimet ishin pozitive për 89 milionë lekë, ndërsa një vit më parë kompanitë kishin raportuar humbje nga investimet në vlerën e 111 milionë lekëve.

Sipas llogaritjeve të AMF-së, kompanitë e sigurimit të jo-jetës kanë fituar rreth 11 lekë për çdo 100 lekë prime sigurimi bruto të shkruara. Ky raport është rritur me dy herë krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.

Tregu vazhdon të ketë raporte paradoksale në mënyrën sesi paratë e primeve shpenzohen. Kompanitë e sigurimit të jo-jetës shpenzojnë vetëm 26% të primeve për të paguar dëme, ndërsa 45% e tyre shkojnë për shpenzime administrative.

Sigurimet janë aktivitet fitimprurës pa sfida të mëdha biznesi, i mbështetur kryesisht tek detyrimet ligjore apo ato indirekte për sigurime të detyrueshme. Kompanitë arrijnë të fitojnë para pa u shqetësuar shumë për të përmirësuar profilin drejt sigurimeve vullnetare.

SHKARKO APP