Simbolika e Feniksit mitik: Ripërtëritja, rilindja dhe shkatërrimi

Në mitologjinë e lashtë, simbolika i zogut madhështor Feniks, që lidhet më së shpeshti me Diellin, vdes dhe ringjallet nëpër kultura të ndryshme, dhe gjatë gjithë kohës. Legjenda e lashtë, përshkruan pamjen e një zogu magjik të ndritshëm dhe vezullues, që jeton qindra vjet para se të vdesë, duke shpërthyer në flakë.

Pastaj rilind nga hiri, për të nisur një jetë të re dhe të gjatë. Kaq e fuqishme është kjo simbolikë, sa që është një motiv dhe imazh, që sot përdoret shpesh në kulturën dhe folklorin popullor. Feniksi legjendar është një zog i madh, shumë i ngjashëm me një shqiponjë, ose një pallua.

Ndonjëherë ai do të rrethohet nga një ngjyrë e shkëlqyeshme, e purpurt ose e verdhë, pasi ajo është e lidhur me diellin dhe zjarrin në rritje. Sytë e tij janë blu dhe shkëlqejnë si safiri. Ai ndërton varrin ose folenë e vet, dhe e ndez atë me një rrahje të vetme të krahëve të tij. Pas vdekjes ngrihet lavdërishëm nga hiri dhe fluturon larg.

Zogu Feniks, simbolizon ripërtëritjen dhe ringjalljen

Feniksi simbolizon ripërtëritjen dhe ringjalljen, dhe përfaqëson shumë tema si “dielli, koha, perandoria, metapsikoza, shenjtërimi, ringjallja, jeta në parajsën qiellore, Krishti, Maria, virgjëria, njeriu i jashtëzakonshëm”.

Tina Garnet shkruan në librin e saj “Feniksi në mitologjinë egjiptiane, arabe dhe greke: “Kur ndjen që po i afrohet fundi, ai ndërton një fole me gjethet më të mira aromatike të pyjeve, i vë asaj zjarrin dhe konsumohet nga flakët. Nga grumbulli i hirit, rilind një Feniks i ri i fuqishëm.

Më pas, mbi hirin e paraardhësit një vezë pjell një vezë, e merr dhe fluturon me të në qytetin e Diellit, Heliopolis, ku e vendos vezën në altarin e Zotit Diell”.”

Ka versione më pak të njohura të mitit, në të cilat Feniksi vdes dhe thjesht dekompozohet përpara se të rilindë. Grekët e lashtë e quajtën atë Feniks, por ai është i lidhur me Benun egjiptian, Thunderbird-in e Amerikës Lindore, Firebird-in e Rusisë, Fen Huangin kinez dhe japonezin Hō-ō.

Besohet se grekët i quajtën Kananejtë, Fenikas, një term që mund të rrjedhi nga fjala greke ‘Feniks”, që do të thotë i kuqërremtë. Në fakt, simbolika e Feniksit është gjithashtu e lidhur ngushtë me Fenikasit.

Feniksi nëpër kohë

Ndoshta shembulli më i hershëm i legjendës, është moti i egjiptianëve për Benu, një shpend që është pjesë e mitit të krijimit të tyre. Benu jetoi në majë të shkëmbinjve të Ben-Ben ose obeliskëve, dhe adhurohej nga njerëzit sëbashku me perenditë Osiris dhe Ra. Benu, shihet si një avatar i Osiris, një simbol i gjallë i hyjnisë. Zogu i diellit, shfaqet në hamajlitë e lashta, si një simbol i rilindjes dhe pavdekësisë, dhe lidhet me periudhën e përmbytjeve të Nilit, duke sjellë pasuri dhe pjellori të re.

Historiani grek Herodoti, shkroi se priftërinjtë e Heliopolisit të lashtë, e përshkruan zogun si të gjallë për 500 vjet me rradhë, përpara se të ndërtonte dhe vinte flakën folesë së vet. Pastaj, pasardhësit e zogut u ngritën nga hiri dhe çuan priftërinjtë në altarin e tempullit në Heliopolis. Në Greqinë e lashtë, thuhet se zogu nuk hante fruta të freskëta, por vetëm fruta të thata. Gjithashtu ai mblidhte kanellë për folenë e tij, në përgatitje të vdekjes në zjarr. Në Azi, Feniksi mbretëron mbi të gjithë zogjtë e tjerë, dhe është simboli i perandorit kinez, i hijeshisë femërore, si dhe Dielli dhe jugu.

Shikimi i Feniksit, është një shenjë e mirë se një udhëheqës i mençur është ngjitur në fron, dhe një epokë e re ka filluar. Ai ishte përfaqësues i virtyteve kineze: mirësisë, ndjenjës së detyrës, dhe besueshmërisë. Pallatet dhe tempujt ruhen nga kafshët mbrojtëse prej qeramike, të gjitha të udhëhequra nga Feniksi.

Shkatërrimi dhe Krijimi

Feniksi mitik gjendet në shumë besime fetare, dhe nënkupton përjetësinë, shkatërrimin, krijimin dhe fillimin e ri. Për shkak të temave të vdekjes dhe ringjalljes, ai u adoptua si simbol në Krishterimin e hershëm, si një analogji e vdekjes së Krishtit dhe ringjalljes së tij 3 ditë më vonë. Imazhi u bë një simbol popullor në varrezat e të krishterëve të hershëm. Feniksi është gjithashtu simbol i një zjarri kozmik, që disa besojnë se e krijoi botën, të cilën do ta konsumojë.

Një Feniks i rilindur

Në legjendën hebraike, Fenksi njihet si Milkam – një zog besnik dhe i pavdekshëm. Duke u kthyer në Eden, ku Eva zotëronte mollën e dijes, ajo i tundoi kafshët e kopshtit të hanin frutat e ndaluar. Zogu Milkam nuk e pranoi ofertën, dhe për besimin e treguar i`u dha një qytet ku do të jetonte në paqe pothuajse përjetësisht, duke rilindur çdo 1 mijë vjet, dhe duke qenë i imunizuar ndaj Engjëllit të Vdekjes.

Simbol i alkimisë

Feniksi është gjithashtu një simbol alkimik. Ai përfaqëson ndryshimet gjatë reaksioneve kimike, dhe ecën përpapa nëpërmjet ngjyrave, vetive të materies, dhe ka të bëjë me hapat e alkimisë në bërjen e Veprës së Madhe, ose të Gurit Filozofal. Shtesat moderne për këtë mit në kulturën popullore, thonë se lotët e Feniksit kanë fuqi të mëdha shëruese, dhe nëse Feniksi është afër, askush nuk mund të gënjejë.

Në ndryshim dhe rindryshim të përhershëm, Feniksi përfaqëson idenë se fundi është vetëm fillimi. Ashtu si ky mit i fuqishëm, simboli i feniksit do të rilindë pa pushim në legjendën dhe imagjinatën njerëzore. / ancient origins – bota.al

SHKARKO APP