Sinergji me një Klik, thjeshtohen dhe shumefishohen partnershipet në Panairin e Tiranës
Nga Apeninet në Alpe, Italia e pranishme si rrallëherë në Panairin e Tiranës
Mbi 100 kompani italiane marrin pjesë në edicionin e 26-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës. Si asnjëherë më parë sipërmarrësit italianë përfaqësojnë gati 20 krahina të ndryshme të Italisë, dhe kanë shprehur interes për të zgjeruar biznesin e tyre në vendin tonë. Njëzëri ata janë shprehur se ky Panair po shërben si hapësirë takimi mes kompanive të vendeve të ndryshme për të diskutuar marrëveshjet e mundshme të bashkëpunimit. Fabrizio Ricarelli, menaxheri i Përgjithshëm i “Politecnica Sedili” një ndërmarrje italiane që merret prej më shumë se 20 vitesh me ndërtimin e karrikeve për autobusë, tragete, anije e trena, gjatë një interviste për median u shpreh se “Shqipëria mund të jetë një treg tjetër, një partner tjetër tregtar i huaj për ne dhe mjaft interesant”. “Kompania ka lindur në 1998 falë intuitës së vjehrrit tim, pra të gjeneratës së parë. Sot jemi gjenerata e dytë që punojmë në ndërmarrje duke çuar përpara traditën dhe cilësinë Politecnica. Është hera e parë për ne në Shqipëri. U kontaktuam nga Klik Ekspo Group dhe jemi të kënaqur që pranuam ftesën për të qenë këtu dhe të shohim. Ne po kërkojmë mundësi të reja, bashkëpunëtorë të rinj,” tha Ricarelli.
“Presim të nisim një rrugëtim njohës të territorit, të mundësive që ky vend ofron dhe dalëngadalë nëse mundim të ndihmojmë Klik Ekspo Group, por edhe Shqipërinë në përgjithësi për t’u rritur në fushën e transporteve, që është fusha ku ne veprojmë. “Politecnica” eksporton aktualisht 90 % të prodhimit të saj, vetëm 10% mbetet në vend. Është një kompani e fokusuar kryesisht tek eksporti. Shqipëria mund të jetë një treg tjetër, një partner tjetër tregtar i huaj për ne interesant”,- nënvizoi Ricarelli, ndërsa shtoi se kanë shumë miq dhe sipërmarrës të njohur që zhvillojnë aktivitetin në Shqipëri me të cilët janë në kontakt të shpeshtë. ”Jemi në dijeni të zhvillimeve këtu. Po përpiqemi që me produktin tonë të gjejmë partnerë bashkëpunimi,”vijoi më tej Ricarelli. Në Klik Ekspo Group mesh shumë të tjerave prezantohet edhe ndërmarrja e parë italo-shqiptare për konsulencën në fushën e enologjisë. Ndërmarrja italiane me mbi 40 vite eksperiencë në Itali dhe më gjerë, e pozicionuar në Toscana synon të investojë në të ardhmen në Shqipëri. Daniele Baldetti, përfaqësues i kësaj kompanie u shpreh se “ Consulente Enologica Albania”, lindi nga bashkimi i “Consulente Enologica Italia” dhe një partneri biznesi shqiptar. Ajo merret me realizimin e kantinave dhe mbështet klientët që në fazat e para të zgjedhjes së impiatit. ”Ne kemi arkitektët tanë dhe nisim që me shfrytëzimin dhe menaxhimin e hapësirave, përzgjedhjen dhe vendosjen e impiantit, maksimizimin e procesit, ofrojmë gjithashtu të gjitha mjetet e mundshme që nga procesi fillestar i mbledhjes së rrushit deri në mbushjen e shisheve me verë. Më pas garantojmë asistencë teknike post shitje. Ne kemi linjën tonë të produkteve në Toscana dhe prandaj kemi ardhur me zyrën tonë të konsulencës në Shqipëri, Tiranë.” Panairi Ndërkombëtar i Tiranës është parë si një mundësi shumë e mirë e prezantimit të aktiviteteve të reja të ndërmarrjes në Shqipëri dhe më gjerë. ”Ndërmarrja në Itali operon që prej 1980-ës, kurse kjo në Shqipëri më 2019-ën. Po e prezantojmë tani në panair. Ne shfrytëzuam rastin për të prezantuar dhe promovuar aktivitetin tonë të ri. Për momentin po nisim me një zyrë konsulence, por në të ardhmen ambiciet janë të mëdha që të ndërtojmë një strukturë, një magazinë që produktet ti kemi të disponueshëm këtu. Sa i përket klientëve ne jemi në bisedime. Na kanë kontaktuar disa ndërmarrje shqiptare,” u shpreh z.Baldetti. Kompanitë italiane dominojnë në edicionin e 26-të të Klik Ekspo Group me afro 100 stenda dhe konsiderohen si pjesëmarrësit më ‘besnikë’ të Panairit, ku jo vetëm nuk mungojnë asnjë vit, por vijnë duke u zgjeruar gjithnjë e më shumë.Kompanitë turke në Klik Ekspo Group, të interesuara për të investuar në ndërtim dhe industrinë ushqimore
Turqia renditet si partneri i katërt tregtar i Shqipërisë, ku shkëmbimet tregtare mes dy vendeve tona njohën një rritje prej 50.34 miliardë lekë në 10 muajt e fundit të këtij viti. Referuar të dhënave të INSTAT për periudhën janar-tetor eksportet shqiptare drejt Turqisë llogariten 1.7 miliardë lekë, ndërsa importet për periudhën 10-mujore llogariten 4.6 miliardë lekë. Çdo vit pjesëmarrës në Klik Ekspo Group, bizneset turke dominojnë në stendat e Panairit Ndërkombëtar të Tiranës me një larmishmëri produktesh dhe shërbimesh. Sipas të dhënave nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Stambollit e cila ka një eksperiencë 130 vjeçare dhe me 430 mijë biznese anëtare, numërohen afro 300 biznese turke që janë prezantuar në tregun shqiptar. Aktiviteti tregtar i këtyre bizneseve ka sjellë 3-fishim ose 1 mld dollar në vit shkëmbime tregtare, marrëdhënie që forcohen edhe më shumë nga pozita gjeografike e Shqipërisë me Turqinë. Të pyetur nga zyra e shtypit e Klik Ekspo Group, kompanitë turke janë shprehur se e shohin Panairin Ndërkombëtar të Tiranës si një ‘portë’ hyrëse për tregun shqiptar por jo vetëm. Mehmet Aslan përfaqësues i kompanisë turke “Skela Luani” që është e pozicionuar në Stamboll tha se është hera e parë që vjen në Shqipëri dhe se ka pritshmëri të larta nga Klik Ekspo Group, për të gjetur klientë potencial dhe firmosur marrëveshje bashkëpunimi. ‘’Kompania jonë e ka të zhvilluar shumë tregtinë me Europën, Izraelin, po ashtu edhe me vendet e Ballkanit. Ne kemi marrëdhënie tregtare si me Serbinë, Maqedoninë më shumë, po ashtu edhe me Kosovën. Tani me ardhjen në këtë panair po pretendojmë të krijojmë marrëdhënie tregtare edhe me Shqipërinë. Jam në dijeni të zhvillimeve ekonomike në Shqipëri, kryesisht në fushën e ndërtimit dhe infrastrukturës për të cilat kompania jonë është më së shumti e interesuar dhe kjo është arsyeja që unë jam këtu për të parë dhe biseduar për partneritete të mundshme në Shqipëri. Duke qenë se ne e disponojmë dokumentacionin e plotë nga shteti ynë për të vepruar si brenda dhe jashtë Turqisë, në të gjithë botën, jemi të hapur të vijmë e të zhvillohemi edhe në Shqipëri”,-tha z.Mehmet Aslan.
Një tjetër investitor turk pjesëmarrës për herë të parë në edicionin e 26-të të Panairit Klik Ekspo Group është edhe z. Orhan Dulger , i cili përfaqëson një kompani 40-vjeçare që merret me ndërtimin e karrikeve për salla konferencash, hotele, salla kinemaje etj. ‘’Në dëshirën tonë është të hapim një filial të kompanisë tonë këtu, apo edhe fabrikë. Por kjo mbetet për një moment tjetër. Aktualisht duam të lidhim kontrata tregtare me partnerë të mundshëm këtu në Shqipëri. Të shohim e të bëjmë. Duam të kuptojmë interesin që kanë shqiptarët për produktet tona. Kemi lënë disa takime që do ti konkludojmë deri në mbyllje të panairit, të cilët teorikisht janë të interesuar në bashkëpunim. Të shohim se çfarë do të dalë gjatë bisedave,’’ u shpreh z.Orhan Dulger. Kompanitë turke të pranishme në Panair janë jo vetëm të shumta në numër, por edhe në shërbimet që ofrojnë. “Kilikya” e themeluar që në vitin 1957, operon në prodhimin e lëngjeve të frutave Bio. Z.Meli Nas është brezi i tretë që vijon traditën e kësaj kompanie. Për të nuk është hera e parë që vjen në Shqipëri, pasi produktet e kësaj firme gjenden në tregun shqiptar, por kompania synon ta zgjeroj biznesin e saj në vendin tonë, ndaj ka zgjedhur Klik Ekspo Group për të prezantuar produktet e reja të saj. ‘’Duam të hapim një dyqan. Kemi dhe një produkt të ri që nuk gjendet në Shqipëri dhe po synojmë ta sjellim për herë të parë dhe po e prezantojmë në panair. Produkti i ri është lëng karrote e zezë bio. Karrota e zezë prodhohet në Adana të Turqisë dhe është shumë e shëndetshme në parandalimin e disa sëmundjeve. Si synim të parë kemi gjetjen e një partneri për të tregtuar e më pas nëse gjërat shkojnë mirë, pse të mos investojmë në një fabrikë prodhimi,’’ shprehet z.Nas. Yavuz Ozdemir përfaqëson kompaninë 40 vjeçare FEËA (water pump systems) e cila ndodhet në Stamboll të Turqisë. Kjo kompani prezantohet për herë të parë në Panairin Ndërkombëtar të Biznesit Klik Ekspo Group, dhe operon në prodhimin e pompave të ujit të të gjitha llojeve. Duke e parë Shqipërinë si një treg potencial për të investuar, z.Ozdemir u shpreh se synon të lidh kontrata të mundshme bashkëpunimi për tregtim e më pas nëse gjërat ecin mirë, mund të investojnë këtu për një filial të kompanisë së tyre. Krahas kompanive pjesëmarrëse në Panairin Ndërkombëtar të Bizneseve, Tiranën e kanë vizituar këto ditë edhe delegacione zyrtare dhe grupe te organizuara nga komuniteti i biznesit, konkretisht mbi 150 nga Serbia; 80 nga Turqia, 30 nga Hungaria, mbi 100 nga Republika e Kinës, si dhe nga dhe Italia me mbi 100 kompani ekspozuese.