Skenaret e mundshme të Brexit

Pak më shumë se 100 ditë nga Brexit, më 29 mars, por askush nuk guxon të parashikojë vijimin e procesit të bllokimit nga kundërshtimi i Parlamentit ndaj marrëveshjes së tërheqjes nga BE-ja të arritur nga kryeministrja  Theresa May.

Ja skenaret kryesore:

Parlamenti voton tekstin

Brexit i rregullt:

Nëse marrëveshja votohet në Parlament, procesi i Brexit do të vijojë normalisht. Përballë mundësisë së humbjes në votim, May do të shtyjë votimin në janar. Por, mospranimi i tekstit mbetet i njëjtë, pas një samiti të BE-së katastrofik për May e cila nuk pa as lëshimin më të vogël.

Marrëveshja parashikon një periudhë të tranzicionit postBrexit deri në fund të 2020 gjatë së cilës thuajse asgjë nuk do të ndryshojë. Ajo rregullon çështjen e faturës që duhet të zgjidhë Londra me BE-në për t’iu përmbajtur angazhimeve të tyre dhe përcaktuar të drejtat e emigrantëve.

Parlamenti studion skenare të tjera

Alternativa Norvegji

Në perspektivën e një kundërshtimi të tekstit, ministrat e Theresa May po hartojnë skenare alternative. Një prej tyre do të ishte votimi në Parlament për disa opsione për të mbërritur në një konsensus, sugjeruar nga ministrja e Punës, Amber Rudd apo edhe ish-kryeministri laburist Tony Blair.

Parlamenti hedh poshtë tekstin

Dalje pa marrëveshje

Nëse teksti hidhet poshtë nga Dhoma e Komuneve, qeveria do të ketë 21 ditë për të informuar rreth planeve të saj të ardhshme. Rreziku kryesor është ai i një Brexit pa marrëveshje, një opsion që rrethi ekonomik i druhet më së tepërmi, me perspektivën e zhvlerësimit të stërlinës dhe rritjes së shpejtë të papunësisë.

Pa Brexit

Referendumi i Dytë

Kjo perspektivë kundërshtohet me forcë nga Theresa May, por e dëshiruar tanimë si nga eurofilët me shpresën që të ndryshohet rezultati i konsultimit të 23 qershorit 2016, dhe nga drejtuesit e politikës që e shohin si një mjet për daljen nga ngërçi i tanishëm.

Mbeten për t’u përcaktuar çështjet e ngritura, qëndrim në BE apo plani i Theresa May? Apo dalje pa marrëveshje? Dhe data e divorcit pritet të shtyhet pa garanci që konsultimi do të jepte një rezultat ndryshe./ATSH-AFP/

SHKARKO APP