Skënder Sallaku, humor me Kadri Hazbiun

Nga libri “S. Sallaku ose si qeshnim nën diktaturë”

Nga Pellumb Kulla

Me Kadri Hazbiun, ministrin fytyrëvrer të Sigurimit të Shtetit, Skënderi ishte takuar rastësisht në shtëpinë e Besim Levonjës. Ministri shprehu kënaqësinë që takohej me artistët dhe “pas një dite, vërtet të lodhëshme në zyrë, vetëm pamja e tyre rreth e qark mikut të tij, Levonjës, ishte një prehje e ëmbël”. Besim Levonja, ishte mjaft i njohur në fushën e humorit. Përveçse komediograf, ishte vetë aktor i shkathët i komedisë. Edhe në bisedat me shokët binte në sy natyra e tij gazmore.

Atë ditë, megjithëse i mbërthyer në shtrat, Levonja arriti ta shtendoste atmosferën, e cila rrezikonte të ishte gjithnjë ashtu, në praninë e mysafirit të rëndë, këtij Zoti të Madh të universit të përgjimeve, ndjekjeve, denoncimeve dhe torturave psiko-fizike mbi kundërshtarët e regjimit. I zoti i shtëpisë urdhëroi njerëzit e vet të sillnin më shumë raki dhe meze, kurse Kadri Hazbiu, pa vënë alkohol në gojë, pranoi ta zgjaste edhe pak vizitën.

Në një çast ministri e zuri veten teksa më shumë po fliste se po dëgjonte, gjë që ishte e pazakontë për natyrën e tij prej polici ultraprofesional. Megjithëse ato që tregonte ai, artistëve u takonte t’i dëgjonin rallë e ishin vërtet interesante, Kadri Hazbiu vendosi ta mbyllte këtë çezmë dhe ta shkopsiste edhe më tej atmosferën. Për këtë iu kthye Sallakut:

"Më kanë thënë se ti tregon ca histori të bukura… Është e vërtetë, Skënder?

Skënderi e qëroi zërin dhe ia ktheu me një shprehje kënaqësie për komplimentin: "E vërtetë është, shoku Kadri… Po shpesh, varet… si të qëllojë repertori, apo problematika, që na vjen nga Komiteti i Partisë…

Hazbiu nuk deshte ta linte artistin të luante më gjatë budallanë.

“Jo mor jo, unë nuk flas për tematikat, që ju porosit Komiteti i Partisë. Unë jam kureshtar e do të kënaqesha shumë, po të dëgjoja ndonjë nga ato, si i thoni ju, nga ato “të xhepit” që në skenë nuk mund të tregohen se është frika e biçakut të Çeços …

Ç’ishin aty, i kishin sytë nga Sallaku. Të gjithë e kuptonin se çfarë po lypte Shefi i Sigurimit. Edhe pse çehrja ngjyrë dheu e ministrit nuk pat ndryshuar fare, këtë kërkesë nuk po i a shihnin aspak qëllimkeqe. Zor se Kadri Hazbiu do të dëshmonte pabesi në sy të artistëve. Megjithatë, Skënderi mundohej t’i shmangej. Ia kishte frikën këtij njeriu. Një herë mendoi ta kalonte radhën me ndonjë nga ato që zyrtarisht nuk shihnin dritë. Vendosi t’ia plotësonte kërkesën Kadri Hazbiut me ndonjë pornoanekdotë, shumë nga të cilat edhe sot në pleqëri, Sallaku i ka gati edhe sikur ta zgjosh në gjumin e parë të mesnatës… Por këtyre lëkundjeve, u dha fund Besim Levonja.

“Ec, o Skënder tani, mos e tirr gjatë e trego ndonjë nga ato kundër këtyre të mëdhenjve. Këta të parët e fesë i kanë qef anekdotat kundër tyre!”

Të gjithë prisnin me sy nga Skënderi.

Mirë, me që keni qejf, po e tregoj atë të vetmen që dij!”

“Mirë, atë të vetmen, tregoje!” iu përshtat ministri i policisë.  

Deri këtu kërkesat, frenat, shtytjet, shmangjet e kishin bërë atmosferën mjaft të tendosur dhe nuk gjendet në botë anekdotë që mund të korrë sukses në kushte të tilla. E këtë, më mirë nga të gjithë mjeshtrat, e di Skënder Sallaku. Prandaj ai vendosi të bëjë të ashtuquajturën “nxemje”.

“Unë po e tregoj,” paralajmëroi Skënderi me aventurën  në gjak, me atë cilësi që e ndihte të merrte më lehtë se gjithë të tjerët vendime, të hypte në pedanën nga ku do të fluturonte, ose të kërcente nga lartësitë e cirkut përmbi rrjetën elastike. “Unë po e tregoj, por ju të gjithë më paçi në qafë po shkoi gjë në vesh të Sigurimit!

“Kurrë! Vdesim e nuk rrëfejmë!” u fut me lehtësi në lojë i madhi i gjithë sigurimsave.

Skënderi e ndjeu se temperatura ishte tani ajo që duhej.

 

Ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, i ka shtruar një drekë pune, Shefit të Shtabit të ushtërisë së Kinës, Pao Y, që ka ardhur në Shqipëri në krye të një delegacioni.

     Balluku ve re se mysafiri kinez po mundohet prej një gjysëm ore të presë me thikë njërën nga copat e mishit në tavën e kosit. Nuk e pret dot, heq dorë, pret fare kollaj një copë tjetër dhe prapë me këmbëngulje, kinezi i kthehet të parës, që as nuk i hyn piruni e as nuk e pret thika.

             Kur Shefi Pao i kthehet koklës së mishit për herë të tretë, Beqiri nuk duron më dhe i thotë përkthyesit:

           “I thuaj shokut Pao, të mos lodhet kot. Ajo copë nuk është mish.  Është një mikrofon, që na kanë vënë këta çunat e Kadri Hazbiut, nga Ministria e Brendshme!..

 

Duhet t’u jepte Kadri Hazbiu udhën të qeshurave, që të shfrenin dhe të tjerët. “E bukur,” tha më shumë për mirësjellje.

 

Një ditë,” – e hapi xhepin më tej Sallaku, duke dashur të hidhet në mes të figurave më të njohura vendase, ”shoku Enver, u shqetësua shumë se nuk po gjente një bllok të vogël që e kishte me shënime të fshehta… Nuk ishte me shënime ushtarake, armatimesh e forcash… Ishte thjesht një projekt pesëvjeçar për zbulimin e armiqve brënda në udhëheqje të Partisë. U bë tym. Grrrap, telefonin! Të ka marrë ty shoku Kadri…

 

“Vazhdo!” tha ëmbël dhe me ton urdhërues Kadri Hazbiu.

 

–         … “Kadri”, tha Enver Hoxha, “dikush më ka marrë bllokun, ku mbaj ca shënime rezervate. Nuk është puna te blloku, por më vjen plasje, që jam i rrethuar nga kaq agjentë armiq. Kush ma bën këtë punë?” “Mos u bën merak shoku Komandant!”, i thotë …i paskeni thënë ju. “Do ta gjejmë!” . Edhe Sigurimi paska filluar nga detyra. Ata të personelit rreth e qark shokut Enver u morën  në pyetje, ditën, natën dhe hetuesat i përdorën të gjitha mjetet që t’ju kujtonin atyre se ç’u kërkohej .

       Ditën e tretë shoku Enver e gjeti bllokun e famshëm në xhepin e pizhameve dhe mer Kadri Hazbiun në telefon: “Kadri, pezullo hetimet, lëri dishimet e  mos u lodh, se e gjeta bllokun”.

           “Mos e keni gabim, shoku Enver. Këtu deri tani, tetë vetë e kanë pranuar që ju a kanë vjedhur bllokun dhe ua kanë përcjellë atë agjenturave të huaja!”…

 

“Kjo anekdotë është ruse, edhe  është treguar me Stalinin dhe  ministrin e tij të brëndshëm, Berian, kur gjeorgjanit i humbi çibuku,” tha i madhi i Sigurimit duke u lëshuar në një gaz të shlirët. “Kurse këtu, ju e përshtasni dhe e tregoni për ne… E si reagojnë njerëzit kur i dëgjojnë? Qeshin?”

“Absolutisht, jo!” nxitoi Skënderi. “Revoltohen shumë sapo e dëgjojnë. E kuptojnë që është e importuar, dhe flet për gjëra që nuk ngjasin kurrë këtu tek ne!”

Të gjithë sa ishin, shpërthyen në gaz. Kadri Hazbiu për vete fshinte lotët.

“Tiranas i poshtër je, Skënder Sallaku!.. E për çfarë tjetër revoltohen njerëzit?”

“Për të gjitha… Po më shumë janë revoltuar  për këtë tjetrën…”

Dhe njërën pas tjetrës Skënder Sallaku, i tregoi Kadri Hazbiut njëmbëdhjetë anekdota.

Uturima e të qeshurave nga dritaret e Besim Levonjës zbriste deri në rrugë, ku rojet dhe shoferi i ministrit shihnin njëri-tjetrin të habitur. Kurrë nuk e kishin dëgjuar shefin e tyre të qeshte  aq shumë e  aq gjatë!…

Dhe Kadri Hazbiu ia mbajti fjalën Skënder Sallakut: ministri vdiq e kurrë nuk i rrëfeu njeriu se përse kishin qeshur me komikun e njohur, kur u ndodhën në të njëjtën kohë për një vizitë. Emri i Kadri Hazbiut ironikisht pat përfunduar në një nga faqet e bllokut të anekdotës dhe pak më shumë se një dhjetëvjeçar më pas, në rrjedhën e një fushate të korrash në plenume, ministri ish  gjendur para togës së pushkatimit. Tërë anekdotat që Kadri Hazbiut pat dëgjuar nga Skënder Sallaku atë natë, për këtë pushkatim flisnin. I madhi i armës enveriane të Sigurimit, pat qeshur si kurrë më parë në jetën e tij, bile mund të kish kuptuar dhe profecinë, por sado komunist dhe larg bestytnive, specia e tij në themel e kish të rrënjosur njërën nga ato: atë që fatet e shkruara nuk mund t’i ndalësh!…

 

     Nga libri “S. Sallaku ose si qeshnim nën diktaturë” (2001), fq 53

SHKARKO APP