Sociologu Gëzim Tushi: Ky izolim i shëndetshëm, do ndryshojmë sjelljen
Në një intervistë me skype me gazetarin Sebastian Zonja ne Ora News, sociologu Gëzim Tushi tregon mësimet që po nxjerr shoqëria nga pandemia e COVID-19.
“Me sa duket ka qenë e parashikuar që shekulli XXI do të jetë shumë problematik dhe shoqëria do të përballet me problematika të ndryshme. Brenda dy dekadave njerëzimi u përball me Ebolën, gripi i derrit dhe tani me COVID-19. Dhe mësimi i parë që duhet të nxjerrim është se duhet të ndryshojmë mënyrën e sjelljes, jo vetëm ndaj jetës së përbashkët, por dhe ndaj individit. Duhet të kuptojmë që rreziqet janë shumë të mëdha dhe eminente, dhe do të thotë që dhe kujdesi duhet të jetë shumë I madh, qoftë ai social dhe qoftë individual.”
Beson se do të ndryshohet mënyra e sjelljes nga populiste tek më individuale dhe se “bunkerizimi ishte një eksperiment i madh sociologjik”, i cili nuk do të mund të arrihej edhe sikur të kërkonin sociologët si eksperiment.
“Besoj se kjo pandemi do të sjellë mënyrën e sjelljes, të jetë më indivuale. Marrëdhëniet e njeriut do të ndryshojnë, do të bëhen më të kujdesshme dhe nuk do të jenë më kaq populiste. Fakti që po mësohemi të mbajmë distancat, duke garantuar hapësirat private duke “mos u ngjitur tjetrit nga prapa” janë mënyrat e jetesës që do të kenë të ardhme.”
Pasojat e izolimit
“Nëse mendon mirë pozitivisht izolimin, edhe ndjenjat do të vijnë duke u përmirësuar. U bëj thirrje njerëzve kontrolloni të menduarin, mendoni pozitivisht dhe jo anën e errët. Ky izolim është i shëndetshëm, izolim I mbrojtjes së shëndetit”, thote Gezim Tushi.